Anabel Dossier

Aldon Lipe rrëfen detajet:A mund ta gjesh dashurinë tek Aldo Morning Show?

22 Prill 2017

Aldon Lipe rrëfen detajet:A mund ta gjesh dashurinë tek Aldo Morning

Muajt e fundit, mëngjeset e shqiptarëve janë bërë më argëtuese, pasi të gjithë po dëgjojnë nga radioja e makinës apo e autobusit se si dy njerëz të panjohur flasin për herë të parë tek Aldo Morning Show. Prezantuesi i njohur, që na zgjon prej disa viteve tashmë, është pas mikrofonit (gjithmonë pa e treguar fytyrën) për të pritur gra e burra që për një arsye ose një tjetër, janë vetëm!

Ajo që emisioni i orës 6:55 po bën nuk është një mblesëri nga ato që jemi mësuar të shohim, ato të rrënjosurat thellë në traditat tona. Përkundrazi. Aldo po thyen tabutë dhe frikën që vjen së bashku me divorcin në moshë të madhe: frikën se pas të 40-ave nuk ka më shpresë për të gjetur një partner me të cilin të kalosh jetën.

Prezantuesi tregon për Anabel.al se: "Ideja e kësaj rubrike ka lindur më parë, por së fundmi rastet e telefonatave të tilla ishin shtuar." Ndoshta rrjetet sociale kanë bërë që një pjesë e komplekseve të zhduken dhe për ta të mos jetë problem kërkimi i një partneri…edhe live në televizion, pse jo?

Telefonatat vijnë nga rrethe të ndryshme të vendit, pjesa dërrmuese nga Tirana dhe Durrësi, por jo domosdoshmërisht tiranas apo durrsakë. Kërkesat janë pothuajse të njëjta: ‘sinqeritet, besnikëri dhe të mos ketë vese”. Por, ka dhe pretendime të tipit që shkojnë deri në racizëm, sikur të mos jemi të gjithë shqiptarë.

"Aldo më gjej një njeri, mundësisht jo nga Fieri apo Gjirokastra; E dua të dorës së bardhë; Aman vetëm verior të mos jetë..."

“Aplikantët” gjenden në situata të ndryshme. Disa të sapodivorcuar, disa të ndarë prej kohësh, disa vijnë nga një marrëdhënie e dhunshme dhe të tjerë që nuk e kanë gjetur asnjëherë dashurinë. Nëse dashuria mendohet të jetë diçka e lehtë, lista prej më shumë se 1000 aplikantësh që Aldo tregon se ka, na bën të mendojmë ndryshe.

Por, a ia vlen? A është e mundur ta gjesh dashurinë nëpërmjet një telefonate tek Aldo Morning Show?

Këto janë disa pyetje që na vijnë të gjithëve në mendje dhe për të cilat prezantuesi ka një përgjigje: ‘Për t’u kuptuar: qëllimi i emisionit nuk është martesa apo të të gjej burrë apo grua. Unë u krijoj mundësinë njerëzve në nevojë apo të vetmuar për një njohje. Ata lidhen apo mbeten thjesht miq…ose nuk takohen më…deri tani unë nuk e di sepse deri këtu u ofrohet ky shërbim. Po vazhdoi suksesshëm ky format…pse jo, mund t’i çojmë deri në fund gjërat, por në mënyrë televizive.”- thotë moderatori i "Aldo Morning Show"

Dhe në të vërtetë, për dikë që ka përjetuar një histori me fund të dhimbshëm, letrat dhe firma nuk janë më një dëshirë. “I sinqertë dhe pa vese” nuk është një cliché!

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Ergisa Bejkollari
Gazetare

MOS I HUMBISNI