
Vetëm pak ditë e ndajnë Bieta Sulon dhe Alban Dudushin nga ardhja në jetë e fëmijës së tyre të parë. Bieta bëhet nënë për herë të parë, ndërsa Albani për herë të dytë, duke qenë se ka një vajzë 13 vjeç nga martesa e tij e mëparshme.
Por gëzimi për ardhjen në jetë të vogëlushit ka qenë i njëjtë si herën e parë, ndonëse siç tregon Bieta, ajo është ende në ëndërr, kurse Albani është më i përmbajtur. Në një intervistë për ‘Who’, Bieta ka treguar momentin e parë që i ka treguar moderatorit të “Top Show” se është në pritje të një fëmije.
“Albani me makinën e tij, une në timen, rrugës nga “Top Channel” për në Bllok. I jap sinjal me dritat e gjata dhe hapim krahun, pa mundur dot të prisja deri sa të mbërrinim në destinacionin për tek i cili ishim nisur. Ndërkohë që mendja dhe zemra prej mëngjesit ishin pushtuar. Pavarësisht se kisha marrë vendimin të sigurohesha fillimisht me një analizë gjaku, parkoj makinën time dhe hipi në të tijën. “Çfarë ka mi?”, më tha i hutuar për atë ndalim të papritur. “Dëgjo” i thashë “më duhet të të jap këtë” dhe i zgjas një kuti stërgjatëshe. Duke e hapur nuk po kuptonte asgjë. “Termometër?”, më tha. “Shikoji dy vizat”, i thashë. Dhe aty u bë i qartë dhe për të lajmi që unë kisha marrë që në mëngjes” – ka rrëfyer ajo.
Por po kaq emocionues ishte momenti kur Joelle, vajza e Albanit, mësoi se do të bëhej me një vëlla. “Joelle-it natyrisht që ia thashë unë.”-tregon Dudushi.
“Ne vendosëm, jo për çështje bestytnie, por për çështje sigurie, që deri në muajin e tretë të shtatzënisë, të mos ia tregonim askujt, deri sa të kalonte faza e parë e rrezikshme dhe fëmija të lidhej mirë. Kështu që sekretin e ne të dyve, e ndava unë me Joelle. Ajo u bë personi i tretë që e dinte. Ishte një pasdite e ditës së dielë dhe unë me vajzën po ktheheshim nga kinemaja. Bieta ishte në shtëpi. Rrugës, në makinë, i thashë: ‘Joelle, shumë shpejt do të bëhesh me vëlla.’ Edhe vetë u befasova nga entuziazmi i saj. Joelle deri tani ka qenë vajza e vetme dhe mbesa e parë në familjen time të ngushtë dhe kjo natyrisht që e ka bërë të përkëdhelurën e të gjithëve, kështu që unë, megjithëse ajo tani është e rritur, kisha një lloj ndroje se mos një vëlla do e bënte xheloze…”
Megjithatë Joelle u tregua mirëkuptuese dhe ka vendosur kushte që tani, vëllai i saj do të jetë 50% i Albanit dhe Bietës dhe 50% i saj. Kush del i fituar në këtë mes?
