
Në një nga seancat e të hënës në drekë, terapistja ime më tha: “Dua që gjatë kësaj jave të bësh një listë: “Pse njerëzit duhet të të duan ty?”
Pa merak! Ishte gjëja më e lehtë. Pas një stuhie të furishme ndryshimesh në jetën time brenda një periudhe 4- vjeçare – dashuri-martesë – lindje e dy vajzave njëra-pas-tjetrës –menaxhim i tejngarkuar i jetës familjare dhe profesionale – kisha vendosur që “ashtu si bota” edhe unë të shkoja në terapi. Një herë në jave konsultë me një psikologe nuk do të më bënte keq. Përkundrazi. Unë mbahesha për llafolloge. Ja do shtrihesha në kolltuk si në filma, me sytë në tavan e do të rrëfeja për jetën time. Psikologia më qëlloi ideale: E zgjuar, e drejpërdrejt, madje aq e drejpërdrejt sa ndonjëherë doja të hidhesha e t’I thoja: “Moj ti, kujt I flet kështu?”
Por kur seancat nisën, kuptova se nuk ishte kaq e lehtë. Madje unë isha një kliente e vështirë. I rrefeja për çdo gjë që më pyeste, por e kisha të vështirë të përkufizoja me fjalë se çfarë ndjeja apo çfarë kisha ndjerë në momente të ndryshme. Me një fjalë, unë, që e mbaja veten si “më të sinqertë seç duhet” , isha në fakt “gojëkyçur” kur binte fjala tek ndjenja. Ndaj, pas rrotullimeve të tejzgjatura përreth grepit të të vërtetës, mendoja se detyrën e shtëpisë : “Pse njerëzit duhet të të duan ty?” do ta bëja me lehtësinë më të madhe. Fundja, unë isha një mjeshtre e “Pse-së”. Më falni, e korrigjoj. Jam një mjeshtre e “Pse-së”
Kur studioja jashtë, mësova me dhimbjen më të madhe që të zhdukja nga esetë ato fjalitë më të bukura, paragrafët më të ndjerë, vetëm se sipas profesorëve të mi “Nuk e justifikonin qëllimin e esesë apo mbrojtjen e hipotezës.” “Why is this necessary?” ishte pyetja që më bënte të shkruaja e ri-shkruaja disa herë esetë (ose “papers” siç I thonë andej) deri në orët e para të mëngjesit, me kafen e Dunkin’Donuts të pandarë nga koka e krevatit.
Më pas, kur nisa punë si gazetare në Shqipëri, pa asnjë eksperiencë të mëparshme në këtë profesion, fjalia e parë që dëgjova ishte: “ Pse-ja është pyetja më e rëndësishme që duhet t’I japim përgjigje në në një lajm”. Ka “Kush? Çfarë? Kur? Ku? Qysh? dhe Pse?”
“Në shumë raste, gazetarët harrojnë ose nuk arrijnë t’I përgjigjen “Pse-së?” Dhe unë mbaja shënime.
Më pas ishte “Pse-ja” kreative e spektakleve televizive: “Pse duhet ta bëjmë kështu skenografinë? Pse duhet ta ftojmë këtë njeriun në panel? Pse duhet ta trajtojmë këtë temë? Pse duhet që x personazh të hyjë tani dhe jo më vonë? Pse duhet që ta sjellim këtë performancë në këtë mënyrë?”
U bëra fanatike e “Pse-së?” dhe madje kur isha në pozicione drejtuese, bezdisesha dhe nuk toleroja që përgjigja e “Pse duhet ta fusje këtë informacion?” të ishte diçka e tillë: “Po ku di unë, ndoshta sepse m’u duk interesante.” Pse-të e mia torturuese mendoj se më kanë shërbyer shumë në profesion. E njihja “Pse-në” dhe dija se si ta menaxhoja. Prandaj po them, jam mjeshtre e vetëshpallur e “Pse-së”
E qetë dhe e sigurt, u largova nga séance 1-orëshe e terapisë. Javës tjetër listën do ta kisha gati. Por përgjigjen e “Pse-së” nuk ia cova kurrë.
Kur erdhi puna të kërkoja “Pse-në” tek vetja ime, papritur u përballa me të vërtetën më të madhe: Unë isha tërësisht e paaftë të kuptoja Pse-në e jetës sime.
Një ditë u ula me laps e letër e vendosa që të bëj listën. Pse duhet të më duan mua njerëzit? Po sepse jam e drejtpërdrejtë. Po prit, jo gjithmonë. Nuk të kujtohet ajo situata ku ti shmange të vërtetën….Ah po! Varja! Pse më duan mua njerëzit? Po, sepse jam e dashur…Lëre fare, sa herë mbyllesha në dhomën time që në adoloshencë, kur vinin njerëz sepse thjesht përtoja t’I takoja. Pse duhet të më duan mua njerëzit…Hmm pse? Kam humor? O dhe ti tani! Sikur po e shkruan një klloun këtë e jo unë! Pse duhet të më duan mua njerëzit? Pse?Pse?
Shkruaja diçka dhe e fshija menjëherë kur më kujtohej ndonjë incident që hidhte poshtë “vlerën” që kisha listuar. Kjo ndodhte me çdo gjë që më vinte në mendje. Pse-ja, nga një pyetje instiktive që më vinte në profesion nga eksperienca, m’u kthye në një barrë. S’arrija të gjeja përgjigje për asgjë. E paaftë për të renditur qoftë një arsye në listë, nisa të bëja të kundërtën. Pyesja veten: “Pse njerëzit nuk më duan mua?”. E çuditshme se sa më e thjeshtë ishte një listë e tillë. Por e lashë edhe atë, kur e ndjeva që po tej-ngarkohesha me një energji të keqe.
Sa mirë që shkoja në terapi dhe jo në shkollë, sepse do të kisha ngelur, në pamundësi për të dorëzuar detyrën. Terapistja ma kujtonte herë pas here: “Nuk ma dorëzove asnjëherë atë listë.” Ç’ti thoja? Ose ndoshta duhet t’ja thoja përderisa isha në terapi. Fundja nëse s’ja thoja asaj, kujt t’ja thoja?
Por ja që përballja me veten paskërkesh qënë shumë e vështirë. Mendon në një moment se je njeriu më I sigurt në botë, mendon se me ato çfarë arrin dhe me komplimenta në jetë apo virtualisht, ke mjaftueshëm material për të gjetur 100 arsye dashurie.
Por kur ulesh t’I shkruash, nis një luftë me veten aq e ashpër, sa në një moment e kupton, që ajo çfarë ti mendon për veten tënde, ndërhyn mizorisht tek ato çfarë njerëzit mendojnë pozitivisht për ty dhe papritur, ajo çfarë ti mendon për veten bëhet e vërteta edhe e të tjerëve. “Njerëzit nisin të shohin tek ty, ato që ti sheh tek vetja jote.” E përsëriste shpesh terapistja ime.
Nuk I thashë njeriu për këtë listë, por nisa të bëhesha më e vëmendshme ndaj “reflektimit” të të tjerëve tek unë. “Pse këta djem që shkojnë me modele mendojnë se kjo zonja që është shumë mbipeshë është kaq seksi?” Shihja gruan se si ecte nëpër korridore sikur I gjithë ambienti të ishte prona e saj, se si asnjëherë nuk kontrollonte nëse e kishte barkun brenda apo jo, se si bënte foto e përkëdhelej si koketë pranë një vajze që ishte sa gjysma në peshë dhe shumë më e re. Ajo ishte seksi. Papritur mbipesha e saj ishte aq e dukshme sa një nishan në rrëzë të veshit. Harrohej krejtësisht përballë sjelljes e buzëqeshjes.
Pastaj studioja me vëmendje një grua që të gjithë ia dëgjonin fjalën. Ndodhte që ajo thoshte edhe gjëra të paqëna, ndodhte që ia fuste kot dhe unë tmerrohesha se si vazhdonte të “llomotiste” pa menduar dy herë që po e tepronte. Ajo fliste me bindje dhe çfarë donte e kërkonte me bindje. I përgjigjej çdo telefonate me zë të plotë, prezantohej me emër dhe mbiemër me zë të plotë dhe kërkonte çfarë donte pa ndryshuar tonin dhe pa u shpërqëndruar shpesh nga sytë e habitur të bashkëbiseduesit. Nuk zmbrapsej. Njerëzit largoheshin nga zyra e saj e tundnin kokën. Kthenin batutat që thoshte në barsaleta që I ndanin gjatë kafeve. Por në fund, I bindeshin dhe ia plotësonin kërkesat. Ajo fitonte.
E dija që po të pyesja këto gra se “Pse njerëzit I donin”, as nuk do të merrnin mundimin të fshiheshin diku me një laps e letër e të mendoheshin gjatë, duke fshirë e zhgarravitur disa herë në përpjekje e sipër me pasiguritë e tyre.
Ato do të përgjigjeshin aty, në zyrë, me zërin e plotë dhe në sy të të gjithëve: “Po pse të mos më duan mua?” E do të nisnin të rendisnin vlera pa modestinë më të vogël dhe pa u dekurajuar nga nënqeshjet apo sytë e shqyer të të tjerëve që mezi prisnin t’I komentonin për “megallomani” sapo të largoheshin. Janë këto gra më të sigurtat në botë? Absolutisht jo. Mund të jenë po aq të pasigurta sa mua e të tjerë. Por kishin bërë një pakt me veten, ndoshta edhe instiktivisht: “Të bëheshin ato që besonin se mund të bëheshin” Dhe të tjerët në fund, do t’I shihnin të tilla. Edhe nëse s’I shihnin, do të ishin të detyruar të respektonin autoritetin që përcillnin.
Pas këtij observimi të gjatë, e gjeta edhe përgjigjen e Pse-së: Pse njerëzit më duan mua? Sepse e meritoj. Natyrisht kjo “rilindje” e imja, nuk ishte aq e thjeshtë dhe sipërfaqësore. U pasua sërish nga 100 pyetje të tjera:
Unë – Po ku e di ti që e meriton?
Ndërgjegja – Po e meritoj dreqi e mori, në mos për 1000, të paktën për 3. Të paktën tre më duan, se ia vlej.
Unë – Po atëherë I bie që të tjerët të mos të të duan?
Ndërgjegja – Po ç’rëndësi ka?
Unë– Po ka rëndësi, si s’ka! Sepse njeriu duhet të rrethohet nga sa më shumë dashuri.
Për pak sekonda ngecja. S’dija ç’të thoja. Po prit pak:
Unë - A është kaq thelbësore të të duan të gjithë? Sepse të gjithë mund të të duan për motive krejt të tjera, nga ajo që je ti në të vërtetë? Pastaj, ti mund të kërkosh dashurinë e të gjithëve duke u dhënë atë çka duan, por mund të humbësh dashurinë e njerëzve më të afërt, që të njohin mirë për atë çka “ke fshehur”?
Ndërgjegja hesht. Sa e vështirë paska qenë! Sa e komplikuar! Vendosa ta thjeshtëzoja fare përgjigjen, ose thënë qartë: Ta bëja me hile. Do të pyesja njerëzit e mi më të dashur se përse më donin dhe kështu do bija rehat. “Po ku di unë të them tani se përse të dua. Të dua dhe kaq. S’mjafton kjo?” m’u përgjigj im shoq
“Të dua moj se të kam vajzë” M’u përgjigj mamaja
“Të dua, se pavarësisht tipit tënd që shpesh më ngre nervat, të kam shoqen më të mirë” M’u përgjigj siç e kuptuat, një nga mikeshat e mia më të mira. Asnjë nuk dha asnjë detaj. Asgjë. Ma komplikuan edhe më shumë. Kisha “rilindur” deri tek fjala “E meritoj” por s’dija ende ta sqaroja se “Pse?” Kujtova edhe njëherë dy gratë që kisha studiuar me aq vëmendje. Qartë, e kuptova!
Do të filloja të besoja edhe unë se isha e mrekullueshme e kështu të gjithë do të më shihnin si të mrekullueshme. Do të nisja nga minifundet. Do të bindja veten që dukem mirë me fund të shkurtër pa geta dhe se ndonjë celulit që shfaqej në këmbë, ishte thjesht iluzion optik.
Do të ndaloja në rrugë e do të takohesha me çdo njeri të njohur, çdo njeri, pa shmangur asnjërin dhe do t’I thoja që çdo gjë në jetën time shkonte mrekullisht mirë: Biznesi ishte I përkryer, në punë gjithçka që pëlqehej nga publiku e bëja (sigurisht) unë dhe isha një nënë e jashtëzakonshme që në një mënyrë të habitshme arrija të gjeja ekuilibrin mes familjes dhe fëmijëve, madje gjeja kohë edhe për gatime që do të mahnisnin edhe shef Renaton. Pse jo? Edhe ata të sigurtët që vëzhgoja me kujdes, kështu flisnin! Dhe pasi ishin prezantuar e ri-prezantuar kudo me këto paragrafe shabllon, kishin nisur t’I besonin ato që thonin e gradualisht të reflektonin tek të tjerët ato që besonin. Shumë e thjeshtë! Kjo mund të bëhej! E vendosa, do e bëj!
Të nesërmen mezi ç’prisja të bëhesha ajo tjetra. Ajo që donte këdo dhe e donin të gjithë. Ja kështu ndeza makinën si gjithmonë në orën 10 të mëngjesit dhe u nisa për t’u përballur me botën, krejtësisht e rilindur. “Ja ku jam!” S’arrita tek refreni I këngës, se më ra telefoni. Ishte një mikesha ime, e cila më telefononte me zë aq të ulët nga zyra, saqë më duhej të fikja radion bashkë me kondicionerin. Ajo – Alo, se s’flas dot me zë të lartë. E more vesh që ajo bëri dje skandal në mes të restorantit? I ulëriste të shoqit. Të gjithë e pane. Unë qëllova aty. Pastaj u mbyll në banjo për shumë kohë. Më duket se po qante.
Shoqja ime I referohej asaj gruas së sigurt për të cilën ju fola pak më pare që të gjithë meshkujt kolegë I bindeshin. Ajo kishte momente dobësie? Ajo qau në banjon e restorantit?!
Unë: Mos! Ajo më prishi mua gjithë planin.
Ajo – Qyqa, çfarë plani kishe ti mi?
Unë – Po ja, po ta them ty. Në kërkim e sipër të t’iu përgjigjur pyetjes : “Pse më duan mua të tjerët?” arrita në përfundimin që “E meritoj” dhe tani po përpiqem që sipas teorive dhe atyre çfarë kam studiuar, të besoj vërtet atë që unë perceptoj për veten time. Pra, rregulli është që kur beson se je e mrekullueshme, e reflekton këtë. Por tani që më the këtë histori, nuk e di nëse ia vlen ta thuash. Unë atë grua e shihja si më të sigurtën në botë dhe ajo më zhgënjeu.
Ajo – Të zhgënjeu? Epo gabimi është I yti pra, se si ndërton mendimin për një tjetër në raport me veten. Dhe më sqaro pak, si ke vendosur që të ndërtosh këtë reflektimin tënd të ri?
Unë – Po ja, psh. Nëse unë besoj që këmbët më duken yll me minifund dhe pa geta, unë e reflektoj këtë dhe askush nuk e vë re.
Ajo – Dhe ti e beson këtë që sapo the?
Unë – Normale që jo
Ajo – Po atëherë pse e bën? Ç’të duhet kjo teori? Ti je ajo që je dhe s’është nevoja të futesh aq thellë në analiza se përse të dua unë apo një tjetër. Rëndësi ka që të duam ne dhe që ti ta dish!
Unë – Tani ma thua këtë, që kam veshur minifund pa geta ?!
U dëgjua një e qeshur me zë të lartë. Ajo qeshte dhe ishte e pamundur ta ndërprisja. Rrija në heshtje nga ana tjetër e receptorit
Ajo – Oh më fal se u meka. Ti je përfundimisht e paparë. Më shkrive! Ik bli një palë geta ik, se kur të ulesh gjithë siklet se mos të shtypen kofshët, s’do ta kesh mendjen tek “Mrekullia e sigurisë” aq shumë. Ika tani. Të puth.
Ajo u zhduk dhe unë nuk u mendova gjatë por direkt ndërrova korsinë për nga trotuari ku ishin të rreshtuar dyqanet. Më duheshin getat patjetër. Dreqi e mori, të drejtë ka. Për pak do isha fëlliqur. Do thonin: “U çmend nëna me kalamaj!...Ja e shiko! Prapë e bëra! E gjykova veten!
Ndërsa vishja getat në parkingun e punës, iu riktheva edhe njëherë pyetjes së famshme:”Pse njerëzit duhet të më duan mua?”…U sistemova, hodha edhe njëherë sytë përreth se mos padashje më kishte parë njeri dhe e vetmja fjali që më erdhi në mendje ishte: “Po ku di unë, ndoshta dukem interesante.” Dola jashtë. Mbylla makinën dhe u ngjita në zyrë.