Shqipëria

Ja sa duhet të paguani tani për t’u pajisur me patentë

10 Mars 2017

Ja sa duhet të paguani tani për t’u pajisur me patentë

Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës së fundmi publikoi tarifat e reja që qytetarët duhet të paguajnë për t’u pajisur me patenta. Vendimi i ri ka hyrë në fuqi që prej datës 9 mars, pasi u publikua në Fletoren Zyrtare.

Udhëzimi përcakton që për shoferët të cilët pajisen me patentë për të drejtuar çiklomotor deri në 50 kubikë, që i përket kategorisë AM, do të paguhen 3 mijë lekë. Bëhet fjalë për tarifën që paguhet në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor pas përfundimit të testimit. Për këtë kategori, leja e drejtimit merret vetëm me testim teorik.
Të njëjtën tarifë do të paguajnë edhe për patentat e kategorive të reja, A1 dhe A2. Për shoferët që pajisen me patentë të kategorive B1 dhe B, do të paguhet 4500 lekë. Ndërsa për patentat e kategorive C1 e C, tarifa që do të paguhet është 2 mijë lekë.
Për leje-drejtim të kategorive D1 dhe D do të paguhet tarifa 3 mijë lekë. Tarifa prej 3 mijë lekësh do të paguhet edhe për patentat e kategorive B96, BE, C1E, CE, D1E dhe DE. Të njëjtat tarifa do të paguhen edhe për ata shoferë, të cilët duhet të rinovojnë patentën aktuale.

Tarifat e reja për patentat e makinave

a) për leje drejtimi të kategorisë AM, A1, A2, A, 3000 (tre mijë) lekë;

b) për leje drejtimi të kategorisë B1, B, 4500 (katërmijë e pesëqind) lekë;

c) për leje drejtimi të kategorisë C1, C, 2000 (dy mijë) lekë;

ç) për leje drejtimi të kategorisë D1, D, 3000 (tremijë) lekë;

d) për leje drejtimi të kategorive B96, BE, C1E, CE, D1E, DE, 3000 (tre mijë) lekë


Edhe pse prej 1 janarit ka nisur shpërndarja e modeleve të reja të patentave, kjo nuk e kushtëzon qytetarin ta ndryshojë. Patenta aktuale është në fuqi deri në momentin e përfundimit të afatit të vlefshmërisë.

Burimi: Blitz.al