E kush tha që për t’u quajtur fashionista duhet të eksperimentosh non stop me kombinime ngjyrash të çuditshme dhe veshje ekstravagante? Dajana Dako është shembulli më i mirë që mund të bëhet edhe e kundërta dhe nëse nuk e ndiqni ende në Instagram, atëherë ky është momenti për ta bërë.
Në profilin e saj me stil kryesisht minimalist, do të përjetoni një lloj shkëputjeje nga realiteti dhe një ndjesi paqeje, goxha larg zhurmës së Tiranës ku Dajana jeton përditshmërinë e saj të përcjellë nëpërmjet fotove.
Ndonëse jo një blogere, 25-vjeçarja është bërë pjesë e grupit të disa prej vajzave shqiptare më fashion, duke treguar që thjeshtësia dhe shija e hollë janë një kombinim fitimtar kur vjen puna tek stili.
E pyetur nëse ka menduar të krijojë një blog të mirëfilltë, ajo shprehet se diçka e tillë nuk është aspak e thjeshtë dhe një blog kërkon atë që quhet “terezi”. Si një vajzë që e siguron vetë jetesën (Dajana punon në një agjenci turistike), 25-vjeçarja shprehet se një blog është një impenjim shumë i madh. "Blogu kërkon shopping të vazhdueshëm në kërkim të veshjeve perfekte dhe goxha kohë të lirë, punë kjo që në fund as nuk shpërblehet, duke qenë se ky lloj biznesi në Shqipëri nuk funksionon siç duhet."- shprehet ajo.

Dhe teksa flasim për stilin e saj në ambjentet e reja të butikut Via Anabel, Dajana vijon të kërkojë mes rafteve për thesare të vogla e të mëdha.Rezultati: Fotot flasin vetë!



Fotografia: Ina Omuri
