Nora Istrefi ishte e ftuar në emisionin “N’Za” ku iu kërkua të zgjidhte një prej zarfeve të dy moderatorëve. Zarfi që zgjodhi Nora kishte brenda një foto të vjetër familjare, të shkrepur gjatë një dite të cilën Nora Istrefi e mbante mend si të ishte dje.
Në foto dukeshin i ndjeri Nezir Istrefi, bashkëshortja Suzana Istrefi (Tahirsylaj) si edhe tre motrat Nora, Nita dhe Era. Nora, me një shikim të trishtë tregoi se kjo foto ishte shkrepur shumë vite më parë gjatë një shëtitjeje familjare në bregdetin e Ulqinit, në kohën kur vëllai i vogël Bledi nuk kishte lindur akoma.
“Sa herë shikoj foto të vjetra me babin, më kthehen shumë kujtime.”, tha Nora, “Janë kujtime shumë të lumtura, por bashkë me lumturinë ndiej edhe trishtim.”
Nezir Istrefi u nda nga jeta pothuajse 13 vjet më parë. Megjithatë, Nora thotë se ende sot e kësaj dite, nuk e pranon dot faktin që ai nuk është më.
“Nuk pajtohem dot me idenë që ai nuk jeton më me ne. Kam kaq shumë kujtime të mira, dhe do të doja që edhe fëmija im të përjetojë momente të tilla lumturie.”
Nora tregoi se, përveçse një fëmijëri shumë të lumtur, babai bashkë me nënën u kanë lënë të katër fëmijëve të tyre dëshirën për të qenë në botën e artit dhe ekranit. Suzana Tahirsylaj ka qenë këngëtare shumë e njohur në Kosovë kurse Nezir Istrefi, një prej gazetarëve më të rëndësishëm të televizionit kosovar në vitet ’90.