Kisha përshtypjen që të gjitha bebet qajnë, por ky bebi ynë rrinte si zotëri i rëndë me syçkat e mbyllura dhe qerpikët e gjatë deri te mollëzat. Shyqyr që ishte i bardhë borë, se nuk e di pse, por të gjithë bebet e vogla pa baba, më duket sikur do të dalin me ngjyrë. Më është ngulitur në mendje që bebet jashtë martese janë fryt i një pasioni të çmendur me një afrikan. Dhe Adonisin e kisha përfytyruar si një mashkull të murrmë në të zi; dmth nga përshkrimi I Lolës për natën e seksit që kishte pasur me të, e kisha menduar me shumë një dem të zi se sa një person gjysëm grek e gjysëm hebre.
Lola, akoma me fytyrë te fryrë nga shtrëngimet, ishte në gjumë. Çfarë bukurie, nënë e bir njëri pranë tjetrit, me asnjë tipar të përbashkët, por dy bukuri të veçanta! Dhoma ishte tejmbushur nga lulet, Asaj ishte kujdesur për çdo detaj që Lola të mos ndihej ndryshe nga nënat e tjera që sapo kishin lindur. Vadiku, i alarmuar në maksimum, po i nxirrte të gjitha lulet jashtë se mos i merrnin oksigjenin bebit, plus që poleni i tyre mund të ishte i dëmshëm për të gjithë, pasi shkaktonte alergji. Korridori u bllokua nga tullumbacet me halogjen. Asaj mundohej të mbante lulet brenda, ndërkohë që Vadiku ia shtynte jashtë dhomës dhe në fund ranë dakord që t’i linin tek dera. Pritëm derisa Lola hapi sytë, pa vargullt tre buzëqeshjet tona dhe ktheu kokën nga bebi. Infermierja na u lut të largoheshim pasi mamit dhe bebit i duhej qetësi.
Kur dolëm, sikur na u hapën mushkëritë. Lindja, sado proces i bukur e i shumëpritur të jetë, nuk bën për ne. Asnjëri nuk diti ta përballonte dhe ishim zverdhur pak .
Mendja më rrinte tek letra e Asaj. Më dukej e pamundur, por nuk po guxoja ta pyesja se sa e vërtetë ishe, mund dhe të ishte tallur. Fakti që e kishte dërguar letrën tek Anabeli, më thoshte që kishte të vërtetë në ketë mes, por më mirë të mos e ngacmoja, nëse do të donte të fliste mund të jepte dhe një intervistë te “E diela Shqiptare” e të na e merrte fytyrën fare pastaj! Shihnim njerëzit si hynin e dilnin nga materniteti dhe nuk lëviznim: këngë të shkëputura dëgjoheshin nga xhamat e hapur të makinave që shkonin e vinin, më së shumti Noisy dhe Ledri. Në fakt gjithmonë kam pyetur veten: ‘Këta që dëgjojnë këngë franceze ose simfoni a kanë jetë sociale? A i mbajnë xhamat e makinës hapur këta lloj njerëzish? A bëjnë sex a çfarë bëjnë se nuk i shohim asgjëkundi, dhe jemi me fat që nuk i shohim, se mendo të njihesh me një mashkull që dëgjon simfoni? Me çfarë ritmi bën sex për shembull një person i tillë?!
Përmendem nga përfytyrimi dhe i jap drejtim me ndarjen nga Vadiku dhe Asaj. Kishim takim me gratë në darkë dhe Vadiku e kishte ndarë mendjen që do të vinte. Se si do ta stisnim historinë dhe si do të sajoheshim, akoma nuk e kisha idenë. Marr në telefon Balenën, më shumë për të gjetur një pretekst apo një mënyrë se si mund ta merrja Vadikun me vete. I bie numrit pa asnjë strategji në mendje:
- “Hej ça bën?”, e pyes. Zëri i saj ishte i lumtur si përherë, njerëzit e shëndoshë në përgjithësi janë të lumtur, sepse në fund të fundit, ku ka më mirë se të hash çfarë të duash e të pranosh dhjamin për muskul!
- “Mirë” ….Zvarris pak zërin me idenë që t’i tregoja se Lola lindi, se djali është një bebe e mrekullueshme dhe që unë do të doja të behesha nënë gjithashtu, por …. , në fund të fundit, Balena nuk ishte shoqja ime, nuk kisha pse t’i tregoja se çfarë po bëja e ku po shkoja.
- “Për takimin në darkë të mora”, përgjigjem, “Është akoma ok plani? Më vjen një shoqe dhe do të jem me të deri në një farë ore”.
- “Yyyuupiiiii po merre dhe shoqen, çfarë thua, ne njerëz të rinj duam, se për gallatë po mblidhemi!”
-“ Yessss dhe yesss dhe yessss!”. I shpjegova me dy fjalë që shoqen e kisha pak të veçantë, po nuk është se ma fërshëlleu shumë. “ Hajde mos e zgjat”-më tha dhe ma mbylli telefonin.
Vadiku pati 5 minuta heshtje, aq shumë e përjetoi lajmin që do të vinte. “Po mirë që po vi”, më tha, “Po si do të dal nga kjo histori?”. “Pse?”, i them, “Ty vetëm një buzëkuq të duhet. Të sheh gjithë Tirana që vesh geta rrjetë poshtë pantallonave, çfarë ke? Nuk të njeh asnjëra nga ato, rri pa merak. Merr dhe librin me vete”, e kujtoj .
- - - -
Silueta që u shfaq në cep të parkingut, fiks në orën që unë po prisja të takoja Vadikun , do të bënte këdo të kthente kokën. Sapo kisha mbyllur telefonin me këpucën 46 .E qeshura e tij më kumbonte akoma në vesh pasi i tregova që tek gratë do të shkoja bashkë me Vadikun dhe telefoni për pak më ra nga gishtat kur pashë një super femër që më shikonte si tigreshë. “Dil, dil se të njoha”, i thashë. Goja e madhe mashkullore e tradhtonte. Kudo do ta njihja , edhe sikur ato buzë të binin ne mes të një mijë buzëve të tjera, përsëri do ta dalloja gojën e Vadikut, jo prej dhëmbëve super të bardhë, me një madhësi perfekte, por prej formës së tyre të përsosur me një kontur mishtor dhe ngjyrës rozë të fortë. Kurrë të kafshuara, si buzët e mia me lëkurë copa-copa, ato mbanin një buzëqeshje stampë, si gjysmë buzëqeshjeje, me një cep pak të ngritur që krijonte një gropë bukurie në njërën faqe. Parukja natyrale i zbulonte fytyrën ovale; njëra dorë e vendosur lehtë mbi gjoks, ku valëvitej një dandellë një copëshe, që shkonte deri poshtë këmbëve nga ku dilnin jeans-at e përveshura dhe atletet e bardha borë. Për pak i thashë: “Hajde te lali jot.”, aq mashkull u ndjeva përballë gjithë kësaj delikatese.
Flokët e mia të mbledhura topuz lart dhe fundi i zhubravitur, nuk më stimulonin fare; por pikërisht, pra, dhe nëse do të ndërrohesha e do të vishja rroba të tjera të sapomarra nga pastrimi kimik, përsëri s’do të isha kaq e bukur sa Vadiku. Ai, me sigurinë e femrave që shkelin në tapetet e kuq të Cannes, as më pyeti fare se si dukej. Po dhe qerpikët fallco i duken natyralë, dreqi e mori. Moj, mos ka mbajtur qerpikë fallco gjatë gjithë kohës ky e nuk ia kam vënë re, se kur u bë gati kaq shpejt?!
- “Unë mund të vija dhe si vetvetja Alinë, por ato nuk pranojnë meshkuj kinga si puna ime, dhe u detyrova të transformohem kështu! Të kam nderuar ama!”. Më zgjat krahun dhe vazhdon të justifikohet e justifikohet pafund, duke mos e fshehur kënaqësinë e të lyerit me parfum femrash.
- “Nëse do të jetonim në Kanada”, më thotë, “Do të ishim 6 orë përpara. Lola do të ishte duke lindur dhe ne nuk do të ishim këtu. Ishte mënyra e tij për të hequr stresin në takime të rëndësishme. Marrim ashensorin dhe për 4 minuta jemi brenda një apartamenti të mobiluar në mënyrën më ekstravagante të mundshme . Shoh perdet e pelices dhe më krijohet një ndjesi komforti e paparë. Era e puros dhe të qeshurat e larta pas gotave me verë vinin nga një ndarje në fund të korridorit. Balena na pret qetësisht ulur në kolltuk, ndërkohë që dy filipinase të vuajtura, vinin rrotull dhe hiqnin tavullat e mbushura plot. M’u duk vetja si nxënëse shkolle dhe libri brenda çantës rëndonte 100 kg. S’po dija as ku të ulesha, as çfarë të thosha .
- “Veronika , gëzohem dhe faleminderit shumë për ftesën”. Byzylyku i floririt në dorën e Vadikut vezulloi në dhomën me ndriçim të dobët. Si mund të shihnim librin me këtë dritë?! Herën e parë ishim në një shtëpi më normale se kjo, sigurisht shtëpia e Balenës ishte ndryshe nga çdo shtëpi tjetër, por unë mirë që nuk shikoja nga drita e paktë, por kisha frikë se mos lëvizja dhe rrëzoja ndonjë statujë a gjë me vlerë përtokë. Vadiku ndërkohë kishte marrë rrugët si në shtëpi të tij. E shikoj që përqafet me njërën nga gratë, kush e di çfarë i ka prallisur, dhe ato kukuriseshin sikur e kishin shoqe prej fëmijërisë. Unë e ulur qetësisht afër Balenës, nusëroja me duart mbi gjunjë . – “Si po të shkojnë punët me Damianin?”, më pyet, e m’u duk sikur kisha mamin përballë, jo një person që shpenzonte 40 000 euro për një varëse dhe nuk e vriste mendjen për hallet e popullit. “Bëj kujdes me të se e ke djalë të mirë!”. Më shikon gjatë me sy vezullues, melankolikë, sikur ndërkohë po mendon: “A po bie shi në Pekin apo kanë shkuar retë në Shangai dhe a ka mbetur orizi i Pekinit pa vaditur? Pasi e vaditi orizin kokërr më kokërr, duke më vënë mua në një siklet të paparë, “Ti heq apo mos ti heq sytë?” bën një frymëmarrje të thellë, ngrihet nga kolltuku ku ishte zhytur dhe me zërin e trashur nga vera, pëshpërit:
- Le të ndizen dritat dhe të fillojë gallata!
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.