Gazetari dhe analisti i njohur Andrea Stefani është përcjellë sot në banesën e fundit nga familjarë, miq, kolegë e dashamirës. Stefani është ndarë nga jeta pasditën e së shtunës, në një spital në Romë ku po kurohej nga një formë e rëndë e kancerit në stomak.
Trupi i pajetë i gazetarit ka mbërritur në Shqipëri një ditë më parë, ndërsa paraditen e së martës nisën homazhet në ambientet e RTSH-së. I pranishëm në ceremoninë mortore për të shprehur ngushëllimet e tij ishte dhe kryeministri Edi Rama dhe emra të tjerë të njohur të sferës politike në vend.
Edhe pse Stefani gjatë karrierës së tij ka qenë kritik ndaj së djathtës, deputeti i partisë demokratike, Arben Ristani, u shfaq në homazhe me një buqetë me lule në duar për të nderuar figurën e tij, ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha shprehu ngushëllimet e tij nëpërmjet një statusi në Facebook, ku iu referua si 'kritik i palëkundur i tij'.
Jo rastësisht është zgjedhur holli i RTSH-së për të kryer homazhet ndaj analistit, pasi ai ia dedikoi gjithë jetën dhe pasionin gazetarisë, duke dhënë kontribute shumë të vyera në ecurinë e kësaj të fundit. Pas homazheve, kortezhi mortor u nis drejt banesës së fundit, pranë varrezave të Tufinës.
Analisti Andrea Stefani u nda nga jeta në moshën 58- vjeçare, në kulmin e karrierës së tij, pa u shkëputur në asnjë moment nga debatet televizive, ku ka qenë gjithnjë kritik dhe mbështetës i flaktë i idealeve që besonte. Nisur nga natyra e tij luftarake, zor se mund të kuptohej se gazetari vuante nga një sëmundje e pashërueshme.
Duke mos dashur ta ndajë me të tjerët problemin e tij, ishin të paktë ata që e dinin se ai po kurohej nga specialistët e fushës në një spital në Romë. Largimi i tij padyshim do të lërë një vend bosh në studiot e debateve televizive.Andrea Stefani i takon brezit të gazetarëve të viteve të tranzicionit.
Ai e filloi karrierën në vitin 1989 si gazetar pranë gazetës “Puna”, për të vijuar më pas si gazetar i lirë. Ka punuar në “Gazetën Shqiptare”; në gazetën “Rilindja” të Kosovës, që botohej në Tiranë, e më pas në gazetat “Shekulli”, “Panorama”, “Shqip”, “Dita” etj., në faqet e të cilave ka qenë përherë i pranishëm me shkrimet e tij fillimisht me karakter ekonomik e më pas politik. Stefani ka qenë për shumë vjet drejtues i programit investigativ “Hapur”. Për më shumë se 10 vjet ishte i pranishëm në debatet e përnatshme, në ekranet më të rëndësishme. Ai është gjithashtu autor i librave publicistikë “Albanistan” dhe “Komplot kundër lirisë”.
Burimi: Panorama