Ligji i ri që pritet të miratohet nga senati italian hapi panik mes shumë të rinjve shqiptarë. Në përpjekie për të mos humbur më shumë vende pune për italianët, shteti fqinj vendosi të pengojë zhvendosjen e call center-ave në shtete jashtë BE-së, si Shqipëria.
Kjo u kuptua si një vendim për të mbyllur degët e call center-ave italiane në vendin tonë, duke rrezikuar rreth 25 mijë të punësuar në këto ndërmarrje, mes tyre shumë të rinj që sigurojnë jetesën përmes kësaj pune. Por drejtues të call center-ave shpjeguan për TV Klan se ç'do të thotë në të vërtetë ky ligj.
Ligji nuk i detyron call center-at në Shqipëri të mbyllen, por shtrëngon kushtet për nëse kompanitë italiane do të duan të hapin call center të tjerë në vendin tonë, apo vende të tjera jashtë BE-së. Pra, kompanitë e mëdha të call center-ave këtu do të vazhdojnë të jenë, por nuk do të jetë aspak e thjeshtë të hapen të tjera.
Tashmë, nëse kompanitë e call center-ave në Itali do të duan të zhvendosen jashtë vendit, do të mund ta bëjnë vetëm në vende që janë pjesë e Bashkimit Evropian.
Burimi: TV Klan