Si kurrë më parë në historinë e zgjedhjeve amerikane, jo vetëm mediat më të rëndësishme amerikane që shquhen për paanshmëri, por edhe ato të cilat për më shumë se 100 vjet kanë mbështetur vetëm kandidatët republikanë për presidentë të Shteteve të Bashkuara, janë solidarizuar njëzëri pro-fitores së kandidates demokrate Hillary Clinton. Në këto zgjedhje, çdo nxënës gazetarie mund të marrë leksionin më të dobishëm ndonjëherë: pushteti i 4-rt sado i fuqishëm në ndikimin e tij, nuk mund të jetë vendimmarrës për zgjedhjet e një populli. Media amerikane, me gjithë fuqinë e saj financiare, duke kërkuar të sulmojë të vërtetat e oponentit Trump, tregoi herë pas here gjatë kësaj fushate, një naivitet dhe një “izolim” ndaj një të vërtete më të madhe, atë të vetë qytetarit amerikan.
E gjithë media pro-Hillary-t!
Jemi gati një muaj përpara zgjedhjeve dhe kandidatja demokrate për presidente ka mbështetjen e mbi 83 gazetave më të mëdha të vendit si dhe të shumë ekraneve të fuqishme si: NBC, ABC apo CNN. Madje edhe 'Fox News', që deri në zgjedhjet e kaluara presidenciale ishte hapur pro-republikan, në këtë fushatë ka pasur herë pas here përplasje me kandidatin Trump.
Gazeta “USA Today” me qarkullimin më të madh në tregun amerikan, deklaroi hapur se do të mbështeste çdo kandidat përveç Trump-it. 'New York Times' që renditet në vend të tretë për nga shitjet, u shpreh publikisht se ishte pro-Hillary Clinton-it. “Mbështetja jonë bazohet në respektin që kemi për intelektin, eksperiencën, forcën dhe kurajon e një karriere të gjatë, dedikuar shërbimit publik, shpesh si e para ose si e vetmja grua në këtë fushë.”
Krahas "The New York Times" dhe gazetave të tjera liberale si: “LA Times” apo “Boston Globe”, në mbështetjen pro-Clinton u renditën për herë të parë në historinë e tyre edhe gazeta konservative. Deklarata e “Dallas Morning News” u prit me protesta, shumë lexues anuluan abonimin kur lexuan një editorial ku shkruhej se do të mbeshtesnin kandidaten demokrate: “Ne nuk e kemi pasur të lehtë të arrinim në këtë vendim. Kjo gazetë nuk ka rekomanduar kurrë një demokrat qysh përpara Luftës së 2-të Botërore, pra në më shumë se 75 vite dhe 20 zgjedhje presidenciale.”
Akoma më tronditës ishte vendimi i gazetës konservative “Arizona Republic” që theu traditën 120 vjeçare. “Ishte një vendim i lehtë, duke parë sjelljen e Trump-it gjatë zgjedhjeve dhe mënyrën sesi ai komunikon me publikun. Ne mbështesim Clinton-in.”
"CNN Network" me një shpërndarje në 212 vende të botës, është në një luftë të vazhdueshme me Trump-in, madje ky i fundit, tallet në postimet e tij në Twitter me televizionin, deri dhe i ka quajtur “dështakë” analistët e punësuar pranë CNN.
Momentalisht, mediat e vetme që e mbështesin kandidatin republikan Trump janë: “New York Post”, pronë e manjatit të mediave Rupert Murdoch, “The New York Observer” që ka si pronar dhëndrin e Donald Trumpit dhe “The National Enquirer” një tabloid i famshëm amerikan që ka një lexueshmëri të lartë tek shtresat e ulëta.
Trump një ushqim i vazhdueshëm për mediat.
Me kaq shumë mbështetje mediatike, duke shtuar këtu edhe me dhjetëra moderatorë të famshëm apo aktorë Hollivudi, rruga e Hillary Clinton drejt fitores do të kishte qenë shumë më e lehtë. Për më tepër, që vetë kandidati Trump ua ka bërë shumë të lehtë gazetarëve që ta sulmojnë, për shkak të deklaratave të tij të njëpasnjëshme politikisht (tmerrësisht) jo-korrekte; raciste (Kur quajti meksikanët ‘përdhunues’ apo kur u shpreh se muslimanët duhet të ndalohen të hyjnë në territorin amerikan); injorante ndaj çështjeve globale (Kur tha se “Ngrohja globale është shpikje e kinezëve” apo kur tha se nuk do të ndërhynte në asnjë sulm të Rusisë ndaj shteteve Balltike, duke injoruar faktin që sipas Traktatit të Atlantikut të Veriut, SHBA duhet të ndihmojë çdo shtet të NATO-s që përballet me një sulm”; seksiste (Kur ashpërsinë e një moderatoreje në debat e justifikoi me faktin se ajo kishte menstruacione, apo kur e quajti një ish-Miss Globe “Miss Derrkucja.” ) apo qoftë edhe narciziste, kur deklaroi se ai ishte presidenti më i rëndësishëm që do të kishte Amerika ndonjëherë. Edhe kur Trump, presidenti me zero-përvojë në politikën amerikane apo ndërkombëtare, kërkon të mbrohet me karrierën e tij si biznesmen i suksesshëm, mediat i kujtojnë një sërë dështimesh e falimentimesh dhe së fundmi, edhe përmes një dokumenti që provon se sipërmarrësi me një pasuri prej 3.7 miliardë dollarësh, mund të mos ketë paguar taksa për shumë vite.
Por pavarësisht “garuzhdeve” me informacione anti-Trump, që ushqejnë mediat amerikane, lufta mes tij dhe kandidates Clinton është shumë e ashpër. Në një raport të 28 Shtatorit të 2016-ës nga realclearpolitics.com, dy sondazhe (Bloomberg dhe Rasmussen) e nxjerrin Trump me përparësi prej rreth 4 pikësh ndaj Clinton, ndërsa kandidatja e demokratëve ka përparësi me një mesatare prej 4 pikësh në 8 sondazhe të tjera. Pikët ulen e ngrihen në çdo moment dhe ende qëndron një pasiguri se kush do të jetë fituesi. Me gjithë këtë mbështetje unanime të paprecedentë, duhet tashmë të kishim një fitues të qartë, një muaj përpara zgjedhjeve. Por, ende nuk e dimë.
Mediat naive kundrejt Trump
Mediat nuk e morën seriozisht Trump-in kur ai deklaroi se do të kandidonte për president në qershor të vitit 2015. Fundja nuk ishte hera e parë që ai e deklaronte. Të njëjtën gjë bëri përpara zgjedhjeve të vitit 2000 dhe të vitit 2012. Më pas u tërhoq. Mediat nënvlerësuan “depolitizimin” e tij deri në atë moment: Trump ishte shumë liberal për republikanët, madje ai kishte mbështetur financiarisht edhe fushatat e republikanëve edhe të demokratëve. Në një shkrim të datës 17 qershor të vitit 2015, “USA Today” citonte një analist të famshëm dhe të paanshëm politik, Gonzales, nga “Rothernberg & Gonzales Political Report” që thoshte: “Trump nuk do të jetë kandidat për president. Sa më shumë kohë ai të kalojë në skenë dhe në syrin e publikut, aq më shumë do t’i zbehet legjitimiteti si kandidat.”
Ndaj deklarata e Trump u konsiderua si shaka dhe më pas u mirëprit si fillimi i një reality-show argëtues që natyrisht, në mendjen e shumë gazetarëve dhe redaktorëve, do të përfundonte me një finale dështimi. Sa më shumë fliste Trump, aq më shumë shkrihej së qeshuri media amerikane, por pa e ditur që do të ishte pikërisht e folura pa dorashka dhe shpesh harbute, që do të kthehej në forcën e tij. Paralelisht me talljet sociale dhe memet e krijuara me shprehjet e Trump, ai po fitonte popullin dhe republikanet.
Në qershor të vitit 2016, kundër çdo parashikimi, Trump zyrtarizohet si kandidati i republikanëve për president.
“Ne kemi dalë jashtë kursit dhe amerikanët e dinë.” - deklaroi për CNN, senatori republikan i Alabamës, Jeff Sessions, mbështetësi i parë i Trump-it. “Trump është përgjigja për rritjen e krimit, të sulmeve terroriste dhe për mos-efektivitetin e Kongresit. Votuesit amerikanë dëgjuan mesazhin e tij dhe vlerësuan kurajon dhe lidershipin.”
Si ka mundësi që përballë një oponenti me eksperiencë të gjatë në politikë dhe në jetën publike si Hillary Clinton, Trump të luajë kaq fort? Dhe si ka mundësi që mediat amerikane të luajnë kaq dobët për të eleminuar kandidatin?
Fillimisht duhet të kuptojmë që pjesa më e madhe e mediave amerikane, pavarësisht eksperiencës së gjatë në politikë, u treguan naive dhe diletante në mbulimin e Trump. Ata e trajtuan kandidatin si personazh të sajuar televiziv dhe jo si kandidat potencial. Të mësuar me diplomacinë, sigurinë, eksperiencën e kandidatëve të tjerë presidencialë gjatë dekadave të fundit, ata anashkaluan faktin që shumë prej votuesve amerikanë janë ndjerë të distancuar ndaj elokuencës politike dhe kishin nevojë për harbutërinë “to your face” që solli Trump.
Në një shkrim të “USA Today” të quajtur “Trump Nation” ku pasqyrohen me foto dhe video arsyet përse shumë njerëz duan të votojnë Trump-in, një prej argumenteve kryesore pro-kandidatit republikan ishte mënyra e tij e drejpërdrejtë e të shprehurit dhe fakti që në pjesën më të madhe të kohës ai i qëndronte besnik deklaratave të tij. Vërtet Hillary Clinton shfaqej më e përmbajtur dhe e kontrolluar, por për shumë votues, fakti që ajo mbështeti sulmin në Irak, apo fshehu emaile personale, nuk u dha atyre besim të plotë ndaj deklaratave të kandidates demokrate.
Gazetat u morën shumë me faktin që Trump shau meksikanët, që kërkoi të ndërtonte një mur në kufi të Amerikës me Meksikën apo deklaroi se do të ndalonte të gjithë myslimanët të hynin në SHBA (deklaratën e fundit e korrektoi duke thënë se bëhej fjalë për myslimanë nga shtete me histori terrorizmi). Duke mëshuar tek këto deklarata, mediat kërkuan që të pikturonin imazhin e një njeriu racist, i cili nuk i duhet Amerikës të krijuar nga kombësi të ndryshme. Por anashkaluan qytetarin amerikan, që paguan rregullisht taksa dhe frikësohet se punën e tij po ia marrin emigrantët e paligjshëm apo Meksika.
Producenti i famshëm i dokumentarëve si “9/11” apo “Sicko”, Michael Moore, i cili publikisht është shprehur kundër kandidatit republikan, në shkrimin e tij më të fundit “5 arsye pse Trump do të fitojë” tregon se Trump ka kapur klasën punëtore amerikane. “Deklarata e Trump se do të taksonte 35% të makinave që vinin nga Meksika dhe kërcënimi që ai i bëri Ford Motors, të mos mbyllte fabrikën e tij në Michigan për ta zhvendosur në Meksikë”, ishte pikërisht çka donin të dëgjonin amerikanët.
“Jo vetëm na kanë lënë pa punë, por edhe vendet që kemi, na i kanë marrë emigrantët e paligjshëm.” - pohoi një amerikan për 'USA Today'.
Mediat amerikane mbështetën shumë punën e Hillary Clinton-it si sekretare shteti dhe udhëtimet e saj në një numër rekord prej 112 shtetesh të botës, por nënvlerësuan faktin që popullit amerikan nuk i intereson politika e jashtme. Ata kërkojnë sigurinë në vend dhe deklaratat e Trump-it kundër myslimanëve dhe terrorizmit, “pinë ujë” tek shumë amerikanë të shtresës së mesme dhe të ulët, të cilët, që prej sulmeve të 11 Shtatorit 2001, identifikojnë rrezikun vetëm me shtetet islamike. Ashtu siç ka parashikuar Henry Kissinger në librin e tij të famshëm “Diplomacia”, Amerika kalon në periudha ta caktuara kohe nga qeverisja përfshirëse në çështje globale, në qeverisje izoluese. Pas luftës në Irak dhe dështimit në krijimin e shtetit, pas luftës në Afganistan dhe ndërhyrjeve të tjera të padobishme amerikane, Trump ka gjetur kohën e duhur për të mëshuar atë që amerikanët momentalisht duan më shumë: sigurinë në shtëpitë e tyre.
Pas krizës ekonomike të 2007-2009, Hillary Clinton duhet të krenohej që i përket një qeverie demokrate e cila sipas medias ekonomike Bloomberg, në 14 Prill të 2016-ës, deklaroi se papunësia në SHBA ka pësuar një ulje shumë të kënaqshme në 5%. Por, arma e fortë e Clinton-it dhe e mediave pro saj, nuk përputhet me të vërtetën e shtresës së ulët dhe të mesme. Njerëzit protestojnë për rritjen e minimumit të pagesës në 15$ në orë. Sipas medias quartz.com, rritja ekonomike është false pasi në të dhëna përfshihen edhe të punësuar që kanë mbi 6 muaj pa punë; të punësuar të përkohshëm dhe njerëz që punojnë dy ose më shumë punë për të mbajtur familjet, sidomos ata të industrisë së shërbimit që paguhen mesatarisht 7 dollarë në orë, një shifër që nuk arrin të mbulojë shpenzimet e muajit. “Trump do të na ulë taksat nëse ne kemi të ardhura nën 25 mijë euro në muaj.”-shprehet një vajzë tjetër në shkrimin “Trump Nation” të "Usa Today".
Një tjetër nënvlerësim që mediat amerikane i kanë bërë Trump-it është fakti që ai nuk është politikan, por biznesmen. Duke ngritur CV-në e Hillary Clinton, ata u munduan të rrëzonin vazhdimisht arritjet e Trump. Herë pas here dalin në gazeta e televizione të dhëna mbi biznese të falimentuara të kandidatit republikan. Deri ditët e fundit, kur u publikua një dokument për kthimin e taksave që daton në 1995-ën, ku Trump deklaron 916 milionë dollarë humbje (duke supozuar që ai nuk ka paguar për shumë vite taksa) dhe që mund të cënojë rëndë kandidimin e tij, sulmet e mediave ndaj bizneseve të Trump nuk kishin ndjeshmërinë e pritshme tek publiku. Çfarë ka rëndësi për amerikanët? Një biznesmen që do të dinte si të ngrinte një biznes nga zero edhe pas dështimit, apo një politikane që njeh rregullat e lojës politike? Shumë votues arsyetuan se biznesmeni është më i rëndësishëm. Në një kulturë pune, ku ëndrra amerikane vazhdon të jetë thelbi i ekzistencës, mesa duket populli përqafoi njeriun e punës, ashtu siç Trump u vetë-portretizua në raport me Clinton-in, që shumë të tjerë e shohin si shumë të largët ndaj kërkesave të tyre emergjente dhe më e prirur të ndjekë politikën e vjetër.
Mediat amerikane, gjithashtu në përpjekje për të ngritur Hillary Clinton si një grua të jashtëzakonshme, në fjalët e Michael Moore, injoruan “Burrin e bardhë”. Votuesin e bardhë amerikan që nuk është George Clooney në Hollivud apo John Smith kirurg plastik në Nju Jork. Nëse jeton në Amerikë kupton që Nju Jork, Los Angeles, Boston e disa qytete të tjera metropolitane nuk kanë asnjë lidhje me pjesën tjetër të Amerikës, të cilët nuk kanë ndonjë entuziazëm ndaj martesave gay, apo nuk ushqehen me kulturën e lartë të revistës “The New Yorker”. Moore argumenton se pavarësisht se “Burri i bardhë” toleroi Obamën, presidentin me ngjyrë, tashmë nuk e përballon dot faktin që do të jetë një grua e cila do t’u thoshte se çfarë duhet të bënin në shtëpinë e tyre dhe frikësohet se kjo “hapje” e Amerikës ndaj presidentëve shumëngjyrësh do të sillte më pas edhe një president gay. Shtresa e ulët dhe shumë konservative të shtresës së mesme e kanë të vështirë të largojnë nga mendja formatin e 240 vjetëve nën udhëheqjen e burrave të bardhë.
Pavarësisht përpjekjeve të portaleve me ndikim të madh tek rinia si: "Buzzfeed", "PerezHilton" apo revistave si “MarieClaire” që kanë dalë hapur pro-Hillary-t, kandidatja demokrate ende nuk po fiton zemrën e të rinjve. Çfarëdo të shkruajnë portalet dhe sado krijues të jenë në luftën e tyre kundër Trump, kur sheh portretin e Hillary-t, rinia sheh një grua të mërzitshme dhe aspak “cool”. Të paktën kështu konkludon CNN në shkrimin e 30 shtatorit. Nëse Obama ka patur 70% të mbështetjes nga rinia, sipas një sondazhi nga Quinnipac, 29% e votuesve nga mosha 18 vjeç – 34 vjeç do të preferonin që të votonin një kandidat të pavarur. Ata mund të jenë kundër Trump, por gjithashtu nuk besojnë tek Hillary dhe mos-votimi i tyre, mund të përbëjë një disavantazh për kandidaten e demokratëve për postin e presidentit. Për më tepër që shumë të rinj preferuan ish-kandidatin demokrat për president, Bernie Sanders, përballë Clinton-it dhe tashmë nuk besojnë në tezat e saj.
Momentalisht, janë tre shtete ende të paqarta në votat e tyre, North Carolina, Ohio dhe Florida. 'DailyMail' shkruante në 3 Tetor 2016, se North Carolina mund ta përcaktojë si përfundim se kush do të jetë fituesi. Tashmë kaq afër zgjedhjeve, lufta e mediave pro-Clinton do të ashpërsohet edhe më. Por, që të triumfojë në një prej betejave “më të frikshme” elektorale të historisë amerikane, tashmë mediat nuk mund të luajnë më me batutat e Trump-it, sepse ato nuk pinë ujë, përderisa ai vazhdon të kandidojë e të flasë po njësoj publikisht. Nuk luajnë dot më as me kartën e mungesës së eksperiencës së tij në politikë, sepse njerëzit po tregojnë se nuk u intereson politika.
Tashmë mediat dhe stafi elektoral i Clinton-it, duhet të gërmojnë në fakte si deklarata e taksave e vitit 1995, fakte që nxjerrin në pah ato çfarë mediat trumpetojnë çdo ditë me shkrime të bukura e tituj bombastikë se: “Trump gënjen!”. Dhe përveç kësaj, mediat duhet të zhvishen nga elitizmi në gjykimin e një kandidati, sepse ajo çfarë është e mirë për redaktorët, gazetarët dhe yjet e Hollivudit, nuk është detyrimisht e mirë për popullin e thjeshtë amerikan, që me mbështjen e tij ndaj kandidatit republikan, po flet po aq harbutërisht në stilin e Trump: “Lërini fjalët e bukura, po kush do ma sjellë bukën në shtëpi?!”
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.