
Kompania “Blue Panorama Airlines” ka qënë në qendër të vëmendjes kohët e fundit, nisur nga ankesat që shumë pasagjerë kanë shprehur në rrjete sociale në lidhje me vonesat e avionëve të kësaj kompanie. Por përfaqësues të “Blue Panorama ” gjatë një konference për shtyp të organizuar të martën (13 shtator) në Tiranë, siguruan që shqiptarët tashmë kanë arsye më të forta për të përzgjedhur këtë kompani mbi të tjerat për udhëtimet në Itali.
Arsyeja e parë është shtimi i destinacioneve. Krahas 10 destinacioneve aktuale, tashmë shqiptarët mund të fluturojnë direkt edhe në Treviso, Torino dhe Firence. Gjithashtu, kompania siguron se do të shtojë edhe frekuencat e fluturimeve gjatë sezonit dimëror.
Në rrjete sociale ka patur shumë ankesa në lidhje me problemet teknike që disa nga avionët e kompanisë kanë ndeshur në udhëtimet e tyre. Për këtë kompania ka sqaruar se ka marrë të gjitha masat që të shtojë flotën e saj me 3 avionë Boeing: 2 avionë 737-800 NG (Neë Generation) dhe 1 avion Boeing 737-400. Tashmë shqiptarët kanë në dispozicionë deri në 12 avionë (sezoni i lartë) për udhëtimet e tyre drejt Italisë.
Rezervimi i biletave do të jetë edhe më i lehtë për të gjithë udhëtarët. Blue Panorama Airlines sjell code-share (përdorim kodesh reciproke) me kompaninë më të re shqiptare AlbaWings, duke nisur nga 1 Tetori i 2016. Pasagjerët mund të rezervojnë biletat në sistemet e rezervimit të dy kompanive, si edhe në GDS, pavarësisht përkatësisë së kodit.
“Blue Panorama Airlines” – Mbi 1 milionë pasagjerë vetëm në 2015
Në konferencën për shtyp kompania “Blue Panorama Airlines” sqaroi se pavarësisht polemikave për vonesa, këto episode përbëjnë më pak se 30% të të gjithë fluturimeve dhe shkaku kryesor ka qënë trafiku i rënduar ajror, si pasojë e shtimit të fluturimeve në Gusht, që përkon edhe me pikun e sezonit turistik.
“Blue Panorama Airlines” ka vetëm 3 vjet që operon në Shqipëri, por vetëm gjatë vitit 2015, ajo ka transportuar në rrugën Shqipëri-Itali 480,000 pasagjerë, rreth 200,000 më shumë se në vitin 2014. Në total vitin e kaluar, “Blue Panorama” ka transportuar 1.2 milionë pasagjerë ndërkombëtarë dhe ka gjeneruar rreth 191 milionë të ardhura. Për vitin 2016, “Blue Panorama Airlines” parashikon një rritje të numrit të pasagjerëve që e zgjedhin këtë kompani për udhëtimin Shqipëri-Itali (dhe anasjelltas), duke përllogaritur rreth 600,000 pasagjerë.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.