
Gerta Heta feston ditëlindjen e saj të 40.
Ajo shkroi një mesazh në Facebook ku shprehu se ndryshe nga ç'priste, nuk u ndje keq. Ajo vijoi se nuk ka pendesa për gjithë këto vite sepse i ka jetuar.
'Dje ndërrova prefiks dhe çuditërisht nuk ndihesha aq keq sa mendoja. S'di nëse kam jetuar gjysmën e jetës apo më shumë, por të paktën nuk jam bërë pishmane sepse spektaklin e quajtur jetë, e kam parë e jetuar deri më tani. '
Heta, moderatore e njohur e Top Media-s në fillim të viteve '2000 e ka kuptuar përkohshmërinë e gjithçkaje; shoqëria, rinia e fama. Ajo shkroi se nëse tërhiqesh nga ekrani, siç ka bërë ajo, njerëzit nuk kujtohen më për ty.
'Gjatë këtij spektakli kam kuptuar që gjithçka është aq e përkohshme, vitet ecin me rend rritës, rudhat po ashtu dhe sado përpiqemi t'i mbulojmë e kamuflojmë, ato janë aty dhe plakjen s'e lufton dot askush; çështja është të plakemi shëndetshëm dhe në paqe me veten.
Shoqëritë ndryshojnë interesa dhe disa miq i ke deri në fund, ndërsa ca të tjerë deri në një pjesë të rrugëtimit, karriera herë të lë në rrugë e herë të kap mirë; shkëlqimi (ai skeniku meqë e kam provuar në kurriz), totalisht i përkohshëm, fansat po s'të panë me sy, nuk i bie ndërmend për ty.'
Megjithatë ka diçka të vetme të përhershme: familja. Heta, tashmë nënë e dy fëmijëve, i atribuon familjes pasurinë më të madhe që mund të ketë një njeri në jetë.
'Ama një gjë nuk të lë kurrë gjatë rrugëtimit të jetës: familja. E madhja dhe e vogla janë aty deri në fund, ndaj duhet të jemi mirënjohës që kemi këtë pasuri, më e madhja nga të gjitha në këtë jetë. Bekimi më i madh.'