Duket e pajustifikushme që mes identitetit kombëtar dhe prirjes drejt terrorizmit mund të ketë një lidhje. Por një gazetar i RFERL argumenton se rritja e islamizmit konservator e ekstremist, është mënyra e vetme e shqiptarëve të Kosovës për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar.
Frud Bezhan ka shkruar një reportazh mbi situatën fetare në Kosovë, ku thekson se sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë njerëz përfshihen në komunitete fetare islamike. Tradicionalisht, Kosova ka qenë një shtet laik, si një provincë autonome e Jugosllavisë komuniste.
Në 2008-ën, Kosova fitoi pavarësinë pas një periudhe të gjatë shtypjeje nga Serbia, dhe mori një flamur që, siç thotë Bezhan, shumica e kosovarëve nuk e ndjejnë si të tyrin, ‘i ngjan më shumë flamurit të BE-së’. Shqiptarët e Kosovës identifikohen më shumë me flamurin kuq e zi, se me flamurin e tyre zyrtar.
Në këto rrethana, feja islame mbetet si një mënyrë për tu ndier më të bashkuar. 96% nga 2 milion shqiptarë të Kosovës janë myslimanë. Nga 200 xhami në 1999-ën, tani numërohen 800. Dhe kjo do të ishte fare e pranueshme nëse nuk do të lulëzonin xhamitë e pakontrolluara nga Komuniteti Islamik i Kosovës, të cilat nxisin pikëpamje radikale për islamizmin.
Shumë prej këtyre xhamive informale financohen nga shoqata të huaja, të cilat besohet se kanë lidhje me Shtetin Islamik. Por këto shoqata përqëndrohen në zonat e braktisura nga qeveria, ku njerëzit janë pa punë dhe ekstremizmi e ka më të thjeshtë të ndikojë. Më shumë se 100 njerëz janë arrestuar në Kosovë si të përfshirë me ISIS-in.
Në Kosovë është ndërtuar një katedrale gjigande për popullatën e vogël katolike të Kosovës (4%), por më shumë për hir të marrëdhënieve me Amerikën dhe Bashkimin Evropian. Në të vërtetë, nuk mund të flitet për një tolerancë të vërtetë fetare. Nëse një personazh publik mban kryq, shqiptarët e Kosovës e quajnë ‘katolike’ ose ‘kaure’.
Ndaj, duket se e vetmja dikotomi fetare që mbetet në Kosovë, është ajo mes Islamizmit dhe Islamizmit informal ekstremist.
Titulli në origjinal: A growing split between Islamic, Secular Identities in Kosovo
Autor: Frud Bezhan
Artikullin e plotë në anglisht mund ta lexoni këtu