'E kam marrë pasaportën shqiptare për kontribut artistik ndaj vendit', ka thënë Dren Abazi në emisionin NIN. Këngëtari nga Kosova ka treguar se ka marrë nënshtetësinë shqiptare, dhe se do të pajisej shumë shpejt me pasaportën e Republikës së Shqipërisë, që jepet pas një vendimi të Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.
Sipas nenit 9 të ligjit 'Për shtetësinë shqiptare', 'Shtetësia shqiptare me natyralizim' i jepet një personi ndaj të cilit 'Republika e Shqipërisë ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar', nëse nuk plotësohet një apo më shumë nga kushtet kryesore: të ketë mbi 5 vjet që jeton në Shqipëri, të mos ketë precedentë penalë, apo të disponojë të ardhura të mjaftueshme.
Abazi është shprehur se ka zgjedhur të jetojë në Tiranë sepse sipas tij, tani është Tirana kryeqendra e muzikës, me më shumë mundësi për koncerte live: 'Gjithmonë ka një kryeqendër të muzikës, dhe me keqardhje them se Prishtina e ka humbur tani, muzika po zhvillohet më shumë në Tiranë'
Thënë kjo, moderatori Alaudin Hamiti e ka pyetur se si është e mundur që këngëtarët shqiptarë nga Shqipëria shprehen se i referohen Prishtinës si një shembull më pararojë kur vjen fjala tek muzika. 'Kjo është e vërtetë, sepse për 50 vite Tirana ka qenë e mbyllur, dhe ne kemi pasur mundësi të marrim më shumë modele nga jashtë', ka thënë Abazi, 'por në Tiranë ka më shumë aktivitete të muzikës live'
Pak kohë më parë, një tjetër muzikant i njohur shqiptar nga Kosova, Getoar Selimi, mori nënshtetësinë shqiptare, e thuhet se pas martesës së përfolur me Marina Vjollcën, ai do të vijojë të jetojë në Tiranë.