Vendimi i Romeos
Histori e vertetë
Shkruar nga Andrea Traboini
Romeo e donte gruan e tij, sigurisht jo aq sa Romeo “shekspirian” donte Zhulietën, por e donte dhe për këtë ndihej mirë. Kishin mbi 20 vite të martuar dhe ai konstatonte me kënaqësi se jeta po u shkonte normale. C’është e verteta, e kishte tradhëtuar disa herë, por asnjë nga keto raste nuk ja kishte zbehur dashurinë dhe ata jetonin normalisht. Ai dinte të fshihte me mjeshtëri flirtet e tij dhe respekti reciprok ishte gjurma më e dukshme që kishte lënë dashuria e zjarrtë e viteve të para. Jo rallë grindej me veten që nuk ishte i zoti të ndalonte aventurat e tij dhe e pranonte me dhimbje se ishte i paaftë tu ikte perfundimisht. Gratë i pëlqenin, por më shumë i pëlqente vetja, kur i fitonte. Nuk ishte ndonjë qejfli i madh i seksit keshtu qe nuk i mbante gjatë raportet e tij. Mbas cdo historie betohej se do ta mbyllte atë dreq pune, por ja qe ishte një dështak i pandreqshëm.
Punonte si dentist dhe profesioni e lidhte me shumë njerëz. Në një nga mengjeset e zakonishme të punës erdhi klientja e parë. Para tij u shfaq nje femer rreth të 30 - tave, simpatike, me një tualet të kujdesshëm, dhe çka i bëri më shumë përshtypje, me një minifund te bukur. I bëri shenjë të ulej dhe ajo u ul pa kujdes. Ai nuk mund të kalonte pa vënë re pozicionin e saj të ri. E pyeti për shqetësimet që kishte dhe filloi punën. Nuk foli asnjë fjalë gjatë procesit. Herë pas here, pa dashje, sytë i shkonin te këmbët e saj të bukura. Mbasi mbaroi punë, pa dhe një herë këmbët e saj, pyeti per emrin, profesionin dhe vendin e punës. Ajo tha duke e ngacmuar se ai akoma si kishte thënë emrin e tij. Romeo i bëri të ditur se emri i duhej për rregjistrim. Ajo bëri një gjest mospërfillës dhe i tha që prezantimi nuk ishte detyrim. Sigurisht që ai i tregoi emrin dhe u cudit kur ajo, plot humor, i tha se quhej, Zhulieta. Ajo femër simpatike po sillej me të si me një adoleshent, gjë të cilën ai nuk mund t’ja lejonte vetes. Mori zemër dhe i tha me një ton aktoresk se “pas kësaj s’ ngelet tjetër, vecse, të biem në dashuri dhe me pas të vdesim për njeri tjetrin, e dashur Zhulietë”. Pas kesaj, mendoi se bashkëfolësja do ndihej keq, por u gabua, ajo ja shkrepi një të qeshuri që zgjati pak më tepër se ai e mendoi Ajo ja ktheu qetësisht se “e dyta, nuk do të ndodhte”. Ai vazhdonte të habitej. Dukej sikur kjo vajzë e hijshme kishte ardhur të luante me të dhe ai nuk ishte nga ata adoleshentët që humbasin kohë. Por nuk duhej te ngutej. I dha ca keshilla dhe i caktoi nje orar per javën tjetër. Ajo u merzit dhe reagoi duke thene se besonte se do gjendej ndonje dite me e afert. I kujtoi se ajo ishte Zhulieta dhe si ajo nuk do vinin shumë. Sidoqofte, pasi i fali nje buzëqeshje tepër intime, u largua. Romeo e kuptoi që kishte gabuar.
Java kaloi shpejt dhe ai priste me padurim ardhjen e Zhulietës. Gjatë javës ai kishte vendosur të sillej ndryshe, për t’i bërë të qartë zonjushes se bukur se ai nuk ishte një gjimnazist që skuqej. Por kishte kaluar gjysëm ore nga koha e fiksuar dhe ajo nuk po dukej. Mesa dukej e kishte humbur klienten simpatike dhe u mërzit shumë. Vetë e kishte fajin, ishte sjellë si një adoleshent dhe ajo nuk kishte asnjë motiv të rikthehej.
Ditët në vazhdim e kërkoi Zhulietën, gjithandej, Kaloi disa herë nga shkolla e saj, por, pa rrezultat. Por thonë qe mali me mal nuk takohet, dhe ja një ditë, ndërsa dilte nga kafja, gati sa nuk u përplas me një femër. I kërkoi falje dhe vazhdoi rrugën. Nuk kishte bërë as dy hapa kur ndaloi i befasuar. Ishte Zhulieta. Nuk kishte veshur minifund, por megjithatë trupi i bukur dallohej qarte edhe nën fustanin e hollë. U kthye dhe me guximin që i buronte nga dëshira i foli i pari. I tha që e kishte pritur dhe se ishte mërzitur nga mosardhja e saj. Zhulieta u justifikua me faktin që ai kishte qenë shumë i zënë dhe se kishte gjetur dikë me të ngeshëm, pastaj… atë ditë nuk ishte sjellë sic duhet, dhe… i vinte zor të rikthehej. Ai nxitoi ta kundërshtonte, pasi mendonte realisht se nuk kishte asgjë për tu riparuar në sjelljen e saj të asaj dite. Romeo guxoi dhe e ftoi sërisht në klinikën e tij. Ajo bëri sikur hezitoi, por pas pak pranoi. Sapo ajo zyri vend. ai e ndjente se po e tepronte duke e pare, dhe ndersa punonte i prekte si pa dashje pjesë të trupit. Asnjë reagim nga ana tjetër. Guxoi… I vuri duart te supet dhe filloi ta përkëdhelte. Hasi në një reagim të butë, cka i dha të kuptonte se ishte në rrugë të drejtë, dhe si rrjedhojë, shtoi intesitetin e përkëdheljeve, e kapi për dore i dha një të puthur në gushë, me të cilen e mbylli atë ditë, së bashku me premtimin për takimin e nesërm.
Romeo u kthye në shtëpi. Atje e priste gruaja. Ishte i bindur se ajo që i kishte ndodhur nuk do ti prishte punë në familje, po ashtu sikurse edhe herët e tjera. Ju afrua gruas ta puthte, por ajo sërisht e shtyu “me dashuri”. Ai kishte vendosur të sillej shumë mirë me gruan, me mirë se ditët e tjera. Fundja, i kishte bërë një padrejtësi dhe dicka duhej të bënte në këmbim. Erdhi darka. Ata u shtrinë të flenë. Ajo nuk kishte dëshirë të bënte seks dhe i ktheu kurrizin, e atij si ngeli alternativë tjetër, vecse të bindej pa kushte. E shihte tek flinte, në pafajësinë e vet dhe mendoi se kishte arsye te mjaftueshme për tu ndjerë keq. Po e linte mbas dore, po e tradhëtonte dhe kjo ishte e pafalshme, por… nuk kishte kohë të mendonte me gjatë… Fjeti…
Te nesërmen, Zhuljeta nuk vonoi të vinte dhe ç’ishte më e rëndësishme kishte veshur minifundin e bukur. U ul pa kujdes dhe ai nuk mund të rrinte pa j’a parë këmbët e bukura, madje mendoi se koha e të parit tashmë kishte kaluar, duhej të bënte diçka të re, më të përparuar dhe nuk hezitoi, e puthi lehtas tek buzët, gjë e cila u mirëprit nga pala tjetër. U ngrit mbylli derën me çelës, vuri në derë tabelën “MBYLLUR” dhe vazhduan të shijonin njeri tjetrin...
Pas pune, Romeo u kthye në shtëpi. Atje sërisht e priste gruaja dhe ju e dini tashmë, se ai e donte gruan e tij, (sigurisht jo aq sa Romeo Zhuljetën, por e donte). Kur ajo ju afrua ai ishte i bindur se do ta përqafonte dhe puthte si zakonisht (s’ishte hera e parë që e tradhëtonte) por nuk ndodhi ashtu. Ajo sërisht e shtyu lehtë “me dashuri”. Ai u mërzit dhe në të njjtën kohë habitej me veten. Kishte vendosur të sillej shumë mirë me gruan e tij, por nuk po i ecte. Ishte i ndërgjegjshëm që i kishte bërë një padrejtësi dhe…, dicka duhej bërë për kompesim. Në darkë – mendoi me vete - kur të shtrihemi çdo gjë do të rregullohet, do të bëjmë dashuri, madje edhe seks të jashtëzakonshëm. Darka erdhi, iku dhe asgjë nuk ndodhi. Ajo i ktheu kurrizin dhe ai nuk mundi të bënte asgjë. Planet i dështuan dhe për këtë fajin ia vinte Zhuljetës. Sidoqoftë, po ndjente më shumë se asnjëherë tjetër se ishte duke e tepruar, se kjo që po bënte duhej të merrte fund një herë e përgjithmonë dhe jo vetem me Zhulieten, por me këdo. Ai e donte gruan e tij, e donte vërtetë dhe po bindej nga ditë në ditë që aventurat e tij duhet të përfundonin një orë e më parë.
Por, kemi thënë që ishte një dështak në vendime të tilla. Ditët kalonin dhe ai vazhdoi ta shijonte Zhuljeten pothuajse në maksimum. Them keshtu pasi një ide e saj për të shkuar diku jashtë qytetit në ndonjë natë të bukur, do ishte vërtetë maksimimi i të shijuarit të njeri tjetrit. Kjo i pëlqeu shumë Romeos, aq sa i vuri në dyshim dhe ndjesinë e fajit që po përjetonte atë kohë. Nuk e zgjati shumë. Sajoi një tufë gënjeshtrash për gruan për një shërbim jashtë qytetit, dhe para se te nisej e përqafoi. U habit me veten. Nuk kuptoi se cpo ndodhte, por ai përqafim i pëlqeu shumë. Ndoshta ishte pesha e fajit që e bëri të ndihej ashtu. U ndje vërtetë në faj. I erdhi shumë keq per gruan, si rallë herë, për atë tradhëti të pafalshme që do i ti bente, por jo deri në atë masë, sa ti shkonte në mendje të humbiste rastin qe kishte kohë që po e priste. Rrugës, mendimet nuk e lanë të qetë, dhe mund të thuhej pa frikë se u gjend në mes të një lufte të pazakontë brenda vetes. Te hoteli takoi Zhulietën. Ajo kishte rregulluar dhomën dhe vetëm priste. U përqafuan, por atij cuditërisht i mungoi pasioni i zakonshëm. Përsëri ju kujtua gruaja dhe kësaj here u ndje edhe më keq, por, nuk mund dhe nuk duhej ta humbiste Zhulietën, aq më shumë atë natë që ajo ishte bërë më e mrekullueshme se kurrë më parë. Megjithatë ai, ndryshe nga të gjitha herët e ngjashme, sec kishte, dicka që e pengonte ta shijonte magjinë me emrin Zhulietë. Në restorant porositën gjëra të mira me arsyetimin se i priste një natë e lodhshme. Por edhe gjatë darkës ai nuk pushoi së menduari për gruan e tij të dashur. Ajo ishte e vetme në shtëpi, mërzitej, trishtohej, ndoshta dhe qante dhe sipas tij kishte plotësisht të drejtë. E kishte tradhëtuar dhe herë te tjera, por kësaj here ndërgjegjja po e vriste me shumë se kurrë. Ajo i kishte shërbyer dhe qendruar besnike për të gjithë jetën dhe ai e donte (sigurisht jo aq sa Romeo, Zhulietën), dhe nëse e donte vërtetë, tradhëtia e sotme, nuk duhej të ndodhte. Duhej të merrte një vendim, që nuk ishte i lehtë për të. Nuk po kuptonte se nga po i vinte ajo fuqi, që ndryshe nga herët e tjera e bënte të besonte se do ta mbante premtimin. Dhe vërtetë ashtu bëri. Mori një vendim të formës së prerë, te padiskutueshëm, të parevokueshëm: Do të kthehej në shtëpi, menjëherë... do përqafonte gruan e tij të dashur e do ti kërkonte përulësisht falje, me besimin se ajo do gjente fuqine per ta falur (dhe ajo e donte edhe pse jo sa Zhulieta) dhe ata do të ktheheshin si në kohën e viteve të bukura, si në fillimet e dashurisë së tyre te zjarrtë.
Zhulieta ishte zhveshur, ishte bërë gati dhe me lajkat që vetëm ajo dinte t’i bënte, me pamjen e saj gati të parrezistueshme, po e ftonte në shtrat. Ai, si të ishte një copëz akulli, nën cudinë e saj, i kerkoi falje, duke i thënë se nuk mund të bënte dot asgjë dhe se kishte vendosur të ikte. I tregoi revolucionin shpirteror që kishte pësuar si dhe për vendimin e rëndësishëm qe kishte marrë. Nuk i la kohë asaj të reagonte, por doli menjëherë në rrugë. Shkoi te stacioni i taksive dhe megjithëse ishte mesi i natës, u nis për në shtëpi. Ndërsa udhëtonte u ndje për herë të parë i lumtur. Kishte fituar betejën e parë me veten. Kishte triumfuar mbi tundimin si kurrë më parë. Kishte humbur Zhulietën, por kishte fituar cdo gjë tjetër. Do t’ja tregonte të gjitha gruas së tij të dashur, do t’i lutej që ta falte. Ishte i bindur që ajo do ta bënte diçka të tillë, pasi e dinte mirë se edhe ajo e donte (jo sa Zhulieta Romeon, por sigurisht që e donte). O zooooot, sa do te gëzohej AJO, kur ai t’ia tregonte të gjitha, ohhhhhh, sa shumë do gëzohej, madje nuk e tepronte nëse besonte se do lumturohej. Ky tip revolucioni shpirtëror brenda tij po e bënte edhe atë shumë të lumtur, shumë të gezuar dhe shumë optimist për të ardhmen që kishte përpara, aq sa mezi priste të arrinte në shtëpi. Arriti. Kishte vendosur t’i bënte një surprizë gruas së tij të dashur, kështu që, derën e hapi pa zhurmë, nuk ndezi asnjë dritë dhe u afrua si një hajdut dhomës bashkëshortore, asaj dhome që për vite me rradhë kishte përcjellë dashurinë e tyre te zjarrtë. Mendoi edhe një herë me shumë kenaqesi për surprizën e këndshme që po i bënte, për lumturimin e saj, dhe për atë qe ata të dy do përjetonin pas kësaj nate të paharrueshme.
Kur u afrua te dera e dhomës, kishte shumë emocione….kishte mijra gjëra të bukura në kokë. Dëgjoi një si zhurmë të paqartë, një si rënkim të mbytur. Kjo e bëri atë të ndihej akoma më fajtor. Ndoshta ajo po qante dhe pa dyshim i gjithë faji ishte i tij. Vuri veshin që të dëgjonte më mirë. Kësaj here degjoi më qartë. Ishte diçka tjetër. Ai s’po kuptonte dot asgjë. Ato zhurma, i njihte mirë, dreqi e mori. Gruaja e tij rënkonte me të vërtetë, por me sa kuptonte ai, rënkimet, kesaj here nuk ishin pjesë e vuajtjeve, përkundrazi... Si burrë me eksperiencë që ishte në punë të tilla, ai bëri një zbulim tronditës. Gruaja e tij e dashur nuk ishte vetëm. Mesa dukej dhe ajo kishte vendosur ta ndante vetminë me një burrë tjetër.
Përpara tij u shtruan disa alternativa, dhe ai si burrë i mençur që ishte, zgjodhi më të miren. Nuk mendoi, nuk foli, nuk ndezi asnjë dritë, nuk bëri zhurmë. Hapi deren dhe doli nëpër natë.