
Historia është një ndër gjërat më relative e aq më tepër kur vjen fjala për linjën gjenealogjike. Paraardhës që janë shpërngulur; martesat apo çfarëdolloj ‘devijance’ tjetër nga linja kryesore; por mbiemri duket të jetë e vetmja gjurmë, provë e trashëgimisë së një gjaku.
Duke u nisur nga mbretërit, lordët, despotët e princërit e njohur të trevave të Ilirisë, Arbërisë e më tej Shqipërisë, kjo është lista e mbiemrave që kanë prejardhjen nga familjet me gjak blu:
Progoni; ishte emri i Progonit, kryetar i principatës së Arbërit në shekullin e 12 (rreth 1190) Dinastia e Progonëve vijoi edhe me 2 breza lordësh (archon) të Krujës, Gjin Progoni e më pas Dhimitër Progoni.
Golemi; emri i lordit të Krujës dhe Elbasanit në shekullin e 13. Ai u martua me vajzën e lordit greko-shqiptar të Krujës, Grigor Kamona dhe princeshës serbe Komnena Nemanjic.
Muzaka, mbiemri i Andrea II Muzakës, themeluesit të principatës së Muzakajve, me sundim në Shqipërinë Jugore, me kryeqendër Beratin. Ai u martua me vajzën e Balshës së 2-të nga Dinastia e Balshajve. Pasardhësit e tij ishin Gjini, Teodori e Stoja.
Losha, mbiemri i Pjetër Loshës, i cili sundoi në Despotatin e Nartës në shekullin e 14.
Shpata, mbiemri i Gjin Bue Shpatës, despotit të Despotatit të Artës në shekullin e 14, i cili pas vdekjes së Pjetër Loshës bashkoi Despotatin e Nartës me atë të Angjelokastrës duke zaptuar një territor nga Gjirokastra e deri në Korinth. Dinastia e tij u vijua nga Muriq Shpata dhe më pas Jakup Shpata.
Topia, mbiemri i Karl Topisë, princit të Durrësit në shekullin 14. Ishte bir i Tanush Topisë me vajzën e familjes mbretërore anzhuine, francezen Helena. Sundimi i Karl Topisë iu pasua Gjergj Topisë e më pas Andrea Topisë.
Balsha, emri i Balshës II, që sundoi në Durrës pasi ia mori nga duart Karl Topisë, megjithatë për vetëm 3 vite. Ai ishte pasardhës i Balshajve të Shkodrës, dhe kishte si synim të zgjeronte principatën e tij në të gjitha trevat ilire.
Zenebishti, mbiemri i Gjon Zenebishtit, princ i Gjirokastrës, me prona në Çamëri e Epir në shekullin e 14.
Dukagjini, mbiemri i dinastisë së Dukagjinëve me qendër në Lezhë, në shumë breza (Pal Dukagjini, Lekë I Dukagjini), por më i njohuri prej tyre ishte Lekë Dukagjini, që mbahet si ‘figura më e rëndësishme për Arbërinë e lirë e të bashkuar, pas Skënderbeut’. Sundimet e tij shtriheshin në Kosovë e në Shqipërinë e Veriut. Pas vdekjes së Skënderbeut, ai u bë shtylla kryesore e mbrojtjes së arbërve nga pushtimet, duke krijuar Kanunin e famshëm, si armë për të penguar përçarjen e tyre.
Kastrioti, mbiemri i famshëm i Dinastisë së Kastriotëve me qendër në Krujë, ku fillimisht sundoi Gjon Kastrioti, babai i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ardhja e Skënderbeut në krye të vendit do të shënonte një fazë të re, atë të një sunduesi të të gjithë trevave ku kishte arbër, pa qenë ‘monark’, por udhëheqës.
Zogu, mbiemri i familjes mbretërore shqiptare, u kthye në një mbiemër mbretëror pasi Ahmet Zogu, asokohe kryeministër e president i Shqipërisë, u shpall Mbret’ i Shqiptarëve në 1 shtator 1928. Ai ishte bir i familjes Zogolli, pronarë të mëdhenj tokash në krahinën e Matit me Sadije Toptanin, motra e Esat Toptanit, një familje e madhe bejlerësh, të cilët thonin se ishin pasardhësit e motrës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, Mamicës.
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.