Albert Dumani, Drejtor i Programacionit në televizionin Klan, ka treguar për Anabel.al se pas Bidaai-t, një tjetër serial indian do të sjellë ngjyrat, kërcimet dhe dashuritë indiane në pasditet e shqiptarëve. Dumani ka rrëfyer se suksesi i madh i Bidaai-t i ka kaluar pritshmëritë, duke arritur shifra audience të cilat ai, si përgjegjës për serialet që do të transmetohen në Klan Tv, nuk do të mund t’i kishte parashikuar.
Por intuita nuk i ka dështuar që kur mendoi të sillte në Shqipëri për herë të parë serialet turke të cilat njohën një audiencë shumë të gjerë, duke sfiduar edhe prodhimet televizive shqiptare. Dhe ndërsa Bidaai është në mbarim, Albert Dumani beson se një serial tjetër indian, shumë më modern dhe aktual se ‘Bidaai’ do të mund ta zëvendësojë atë me po të njejtin sukses.
Por nëse ai nis në orarin e Bidaai-t, në 18:20, a nuk do të thotë kjo se nuk do të kthehet Rudina Magjistari me ‘Takimin e Pasdites’? Albert Dumani ka dhënë detaje lidhur me të gjitha këto:
Nje telenovele e re indiane, do te thote qe s'e kemi Rudinën këtë sezon? Përse kjo zgjedhje?
Takimi i pasdites do të rikthehet në sezonin e ri në shtator, për shkak të impenjimeve personale të Rudina Magjistarit. Ky program do të rikthehet së shpejti me skeongrafi të re dhe surpriza të reja. Bidaai u vendos në orën 18:20 që në fillim të këtij sezoni në shtator dhe ky orar transmetimi do të vazhdojë edhe me serialin e ri, sepse seriali indian konkurron mjaft mirë, me shifra rekord, me çdo lloj tjetër programi të prodhuar nga vetë televizionet në këtë fashë orare.
Njerëzit u afeksionuan jashtë mase me Bidaai-n. A do ta kenë të lehtë ta harrojnë me këtë serial të ri?
Çdo serial i mirë dhe i suksesshëm të bën për vete, dhe mua më vjen mirë nëse publiku do ta kujtojë atë me nostalgji si diçka që shoqëroi pasditet e tyre për gati 2 vjet. Gjithsesi çdo prodhim e ka një fund dhe besoj se publiku do të afeksionohet edhe me serialin e ri “Sarasvaticandra”, sepse është po aq i bukur, madje edhe më i arrirë artistikisht, sepse është shumë modern, një prodhim i fundit indian. Aktorët kryesorë të serialit janë tepër të preferuar, të bukur dhe që të dy kanë marrë disa çmime për rolet përkatese në “Sarasvaticandra”. Historia është shumë emocionuese sepse është një rrëfim dashurie shumë i bukur që ndodh mes një djali aristokrat dhe një vajze të bukur, por nga një familje e thjeshtë. Është sërish një serial plot ngjyra, muzikë, dramë, tradhëti, martesa me pahir, etj. Personazh kryesor është Sarasvatichandra ose shkurt Saras, i cili ka humbur nënën e tij kur ishte fëmijë. Vite më vonë ai merr vesh që nëna e tij ka kryer vetëvrasje për shkak të një tradhëtie bashkëshortore. I zhgënjyer nga familja dhe dashuria Sarasvaticandra do të refuzojë martesën me Kumud, por pikërisht mes tyre më vonë do të nisë një histori dashurie sublime. Ka disa linja në skenar dhe personazhe të tjerë pozitivë dhe negativë, që do të bëjnë për vete publikun shqiptar.
Çfarë kanë si temë përsëritëse serialet indiane? Do të jetë prapë edhe ketu përçarja brenda familjes?
Në këtë serial është dashuria në plan të parë, por edhe familja me vlerat e saj. Martesa është një tjetër vlerë tek serialet indiane, por duke qenë një serial i ri që ka përfunduar në 2015-ën, këtu do të kemi tradhëtite në çift, martesat me pahir për shkak të familjes, bashkejetesën me një bashkëshort të alkoolizuar, pra nuk është serial happy dhe gazmor nga fillimi në fund. Do të ketë dramë dhe gëzim ashtu siç është edhe jeta reale.
India duket shumë e largët jo vetëm gjeografikisht, por edhe nga traditat. Megjithatë shqiptarët patën një tërheqje të fortë pas Bidaai-t. Çfarë kanë këto seriale që prekin edhe kulturën tonë sipas mendimit tënd?
Duke qenë një vend i largët ka shumë pak informacion për Indine, prandaj dhe publiku shqiptar e adhuroi Bidaai-n, sepse ishte një dritare për t’u njohur me një vend të ri, një kulturë tjetër dhe mësoi tradita të ndryshme në lidhje me martesën, fejesën apo ceremonitë mortore. Veshjet janë një tjetër element si tek femrat ashtu dhe tek meshkujt. Ceremonitë e dasmave, zakonet para dhe pas apo kërcimet e tyre masive. Figura e gruas, nënës apo bashkëshortes dhe lidhjet familjare. Një lloj tjetër besimi fetar me ritet dhe figurat përkatëse, e shumë elemente të tjerë që të ngjallin interes dhe kuriozitet. Ky afeksion në fakt nuk ka ndodhur vetëm me shqiptarët, por edhe me shumë vende të tjera ne Ballkan apo Europë. Në Bullgari, Kroaci, Maqedoni, Serbi, Turqi, këto seriale kanë patur shumë audiencë. Aq i famshëm u bë Bidaai në Shqipëri, sa që në shumë dasma një segment i tyre ishte me kërcime indiane dhe dhëndri me nusen visheshin dhe kërcenin si indianë, duke mësuar edhe koreografinë. Pastaj në fund të mban mbërthyer historia që merr jetë në serial me të gjithë personazhet.
Po tek pjesa turke e serialeve, do të kemi risi deri në fund të sezonit?
Deri në fund të sezonit do të vazhdojmë me dy serialet shumë të preferuar dhe krejtësisht të ndryshëm që janë aktualisht në transmetim, “Ertugrul” dhe “Fate të kryqëzuara”. Unë kam përzgjedhur seriale të reja të viteve 2015-2016, kështu që këto seriale janë ende në transmetim në Turqi, kështu që publiku shqiptar do të ketë fatin t’i shijojë në ekranin e Tv Klan deri në përfundim të tyre. Lajmi i mirë, është se ditët e tyre të transmetimit do të shtohen sapo të përfundojnë prodhimet shoë tonat, “Your face sounds familiar” dhe “Gjeniu i vogël”. Sigurisht sapo ato të përfundojnë, do të ketë tituj të rinj po kaq të suksessshem dhe të ndjekur.
Një kuriozitet: Ke kaq vite eksperience si drejtor programacioni dhe në një farë mënyre mbi ty bie edhe përgjegjësia e zgjedhjes së filmave të duhur të huaj që do të pëlqehen nga publiku ynë. Fatmirësisht gjithmonë ke qëlluar në shenjë. Nga eksperienca jote: Cili është filmi që ka thyer gjithë pritshmërite e para përsa i përket suksesit?
Jam i kënaqur profesionalist dhe personalisht për përzgjedhjen. Prodhohen shumë seriale, por e rëndësishme është të dish të zgjedhësh titullin që do të pëlqehet nga publiku shqiptar. Kam qenë i pari që kam futur serialet turke në Shqipëri me “Gymysh” pasi kisha një vit që e përpunoja në mendje, dhe me eprorët, e zgjedhja rezultoi të ishte e duhura. Dhe kur mbylla kontratën e parë, kisha një pritshmëri pozitive për serialet turke. Të njëjtin emocion kisha edhe për serialet indiane 2 vjet me parë, por që “Bidai” të arrinte deri në 85% audiencë, këtë nuk e kisha menduar kurrë! Gjithsesi jam shumë i lumtur për këtë fakt dhe besoj do të vazhdoj të mos zhgënjej në përzgjedhjen e më të mirëve.
Një pyetje të fundit: Suksesi indian dhe turk, zëvendësoi suksesin brazilian dhe meksikan të 5 e më shumë viteve më parë. Ndërkohë bota po sheh një rritje të industrisë koreane të telenovelave. E keni menduar te eksploroni edhe atë treg?
I kam parë si prodhime në panairet që marr pjese, janë interesante, por jo në nivelin e atyre turke apo indiane. Problem tjetër është dhe gjuha. Nëse tek indianet figura pasurohet me veshjet, aktoret, muzikën, etj, tek ato koreane kam pak dyshime. Ata janë super të zhvilluar në seriale të animuar, ndërsa tek serialet dramatikë janë ende te prodhimet me pak seri, nga 12-24 episode (për ata që janë të mirë artistikisht). Gjithsesi do të shohim me kalimin e viteve si do të ecë edhe ky treg televiziv, pse jo…
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.