Pas intervistës së Ardit Gjebreas me të dënuarin Marjan Rroku në rubrikën “24 orë me...” (lexo këtu) ku ai pranoi për herë të parë vrasjen e Alda dhe Mbarime Canaj, motra e Aldës ka reaguar duke treguar variantin e saj të historisë.
“Dua t'ju bëj të ditur njerëzve, se kush është në të VËRTETË Marjan Rroku; ai nuk është vetëm një vrasës, por një psikopat sadist që i paramendoi dhe në mënyre metodike i arkitektoi këto vepra të ulëta,” ka thënë Ornela Canaj në një status në Facebook. Ajo është shprehur se Marjan Rroku në fakt ka treguar versionin e shpikur të ngjarjes dhe sipas saj, ai e përndiqte motrën e saj. Në rubrikën “24 orë me...”, të transmetuar ditën e diel gjatë programit "E diela shqiptare", drejtuesi i emisionit Ardit Gjebrea kaloi 24 orë në burg me të dënuarin me burgim të përjetshëm Marjan Rroku. Gjatë bisedës për jetën në burg, ai për herë të parë pranoi vrasjen dhe kërkoi falje publikisht për krimin e tij. Por Rroku tregoi një variant tërësisht të kundërt nga ai i Ornelës, duke thënë se në fakt ai kishte qënë i interesuar për shoqen e Aldës dhe se me të nuk kishte asgjë tjetër përveç shoqërisë.
Në fund të statusit të saj, Ornela ka shkruar se emisioni në “Klan” ishte një vrasje e dytë e motrës dhe mamasë së saj, duke lënë të kuptohej se nuk i pëlqeu intervista e Gjebresë me vrasesin. Ajo ka sjellë edhe shembullin e një shkrimi nga një gazetar amerikan, ku sipas saj, tregohej e gjithë e vërteta. E vërteta është se intervista me Rrokun, ishte pjesë e rubrikës “24 orë me...” ku Gjebrea vendos që të kalojë një ditë me një njeri në një profesion ose një situatë të caktuar. Një javë më parë, “24 orë me...” solli jetën e një mjekeje urgjence.
Edhe Marjan Rroku , më shumë sesa autori i krimit në fjalë, ishte një personazh, një i burgosur i përjetshëm i cili do të tregonte se si është një ditë në burg. Mund të ishte ai, ose kushdo tjetër në burgun e Fushë Krujës. Një gjë e tillë do të thotë se ishte rastësi që u transmetua pikërisht rasti në fjalë dhe sido që të ishte, sërish do të prekej një familje me një histori të ngjashme. Pavarësisht se emisioni nuk kishte si qëllim të investigonte të vërtetën e vrasjes, arriti që për herë të parë të merrnte një deklaratë pendese publike të të dënuarit, i cili jo vetëm pranoi krimin para drejtësisë dhe familjes së viktimave, por tashmë në arkivat e internetit, historia e tij do të jetë e aksesueshme për të gjithë, në një të ardhme ndoshta edhe për djalin e tij.