Albert Stanaj njihet për cover-at e këngëve të famshme amerikane por tani, erdhi koha që të na sjellë hitet e veta.
Ai ka firmosur kontratën e jetës me Lava Records, që ka menaxhuar artistë si Jessie J, Lorde apo Hailey Williams dhe është pjesë e Universal Music Group, një prej më të mëdhenjve. 22-vjeçari nga Shqipëria ka shprehur lumturinë e tij duke ndarë me 280 mijë ndjekësit në Instagram emocionet për këtë ngjarje që siç rrëfen, ka një jetë që e pret:
‘U firmos dhe u vulos.
Ndjesë për romanin, por ky është një lajm gjigand dhe duhet të bëj shumë falenderime, për njerëzit që kanë shumë rëndësi në jetën time! Me nderim e përulësi, kam nënshkruar zyrtarisht kontratën si këngëtar me Lava Records, Republic Records.’ Ai ka falenderuar së pari Jason Flom-in, themeluesin e Lava Records, i cili ka besuar tek talenti i kantautorit nga Shqipëria: ‘Ti ke qenë për mua një hero dhe padyshim, një prej njerëzve më të mençur, të mirë dhe të çiltër që kam njohur. Jam shumë i lumtur që jeta të solli përpara meje’
Ishte Charlie Walk, zëvendëspresidenti i Republic Records ai që i dha Albertit lajmin e mrekullueshëm: ‘Charlie Walk më tha atë që kam pritur të ma thotë dikush që kur i hyra kësaj rruge, njeriu që më formësoi për të qenë ky që jam sot dhe gjithçfarë aspiroj të jem si artist!’
Stanaj ka shprehur mirënjohje edhe për familjen e tij shqiptare, të cilët e kanë mbështetur kurdoherë dhe ai, duhet thënë se ua ka shpërblyer.
Në Shqipëri emri i tij filloi të bëhej i njohur kur Kim Kardashian ndau me ndjekësit në Instagram, videon ku Stanaj këndonte këngën ‘Only One’ të Kanye West me Paul McCartney. Megjithatë, studenti i shkëlqyer i shkollës ‘Arqipeshkvi Stepinac’ në New York, fitoi në vitin 2012 një bursë nga shkolla e mesme pasi veçoi nga të tjerët në mjeshtërinë skenike.
Ai ka shkruar këngë për Drake, ka modeluar dhe ka kërcyer, si i ftuar në Dancing With The Stars në Amerikë. ‘Jini Gati’ ka shkruar ai në një foto në Instagram, pranë Jay Z-së. Po vjen koha e Stanajt!