Kosova është bërë objekt i një artikulli për revistën “Daily Mail” si vendi me numrin më të madh të të rekrutuarve nga ISIS. Në një popullsi prej 1.8 milionë njerëzish, 36 femra dhe 300 meshkuj i janë bashkuar grupit radikalist.
Femrat, numri i të cilëve është në rritje, largohen për të ndjekur bashkëshortët e tyre ose për shkak të bindjeve personale që ato kanë. Disa janë adoleshente ndërsa pjesa tjetër kanë fëmijë, të cilët gjithashtu i marrin me vete. Njëra prej tyre është dhe 32-vjeçarja nga Gjilani, Shqipe Ajdini, e cila është kthyer pasi bashkëshorti i saj u vra në luftime. Një pjesë tjetër, si 23-vjeçarja Qamile Tahiri, jo vetëm që nuk janë kthyer por kanë arritur të marrin role të rëndësishme. Tahiri, pasi humbi bashkëshortin, u bë rekrutuesja më e madhe e femrave shqiptare. Në kampin që ajo drejton ka dhjetëra shqiptare, kosovare dhe maqedonase.
Në mars të vitit 2015, parlamenti kosovar vendosi që pjesëmarrja në grupe të tilla të dënohej deri në 15 vjet burgim. Pavarësisht që edhe vende të tjera të Ballkanit janë përballur me këtë problem, Kosova është vatra e vërtetë nga vjen numri më i madh i militantëve. Kjo ndodh sepse shumë oranizata fetare nga vendet arabike janë vendosur në vend me qëllime bamirësie. Ato kanë ofruar kurse kompjuteri dhe anglishteje falas, paralelisht me leksione nga Kurani. Madje disa prej tyre ofrojnë dhe bursa për të rinjtë në mënyrë që ata të studiojnë si imamë në Arabinë Saudite, Egjipt etj.
Burimi: Daily Mail / Përshtati: Ergisa Bejkollari