Jona është 21 vjeçe dhe studion Shkenca Politike në Universitetin Europian të Tiranës, ndërkohë që në vjeshtë destinacioni i saj është Londra dhe konkretisht London School of Economics, ku do të kryejë studimet master. Ajo adhuron udhëtimet, sepse beson se mënyra më e mirë për të njohur veten është hapja e mendjes ndaj gjithë kulturave dhe realiteteve, të cilat shpesh për ne janë “të çuditshme” dhe të pakonceptueshme.
Si ka mundësi që ti s’ke një blog?
(Qesh). Në fakt këtë pyetje ma bëjnë shpesh, por s’e kam menduar ndonjëherë të kem një blog. Jam shumë e ndrojtur dhe e kam problem këtë punën e fotografive. Nuk e di, por më duket paksa e çuditshme që të ekspozohem në një blog. Unë vishem pa menduar që dikush do ta pëlqejë veshjen time. Vishem ashtu siç e ndiej.
Por, me sa duket, veshjet e tua pëlqehen shumë. Si ka lindur ky pasion për modën?
Unë s’bëj ndonjë gjë për këtë. Thjesht bëj shopping sa herë jam e mërzitur dhe sa herë jam e lumtur. Praktikisht gjithmonë. (Qesh). Gjysmën e kohës e kaloj në Londër tek motra ime dhe atje është vështirë të më nxjerrësh nga Top Shop-i ose dyqanet e veshjeve që i adhuroj. Më vjen mirë që pëlqehet stili im.
Të ndjek moda ty apo e ndjek ti modën?
Besoj se është pak nga të dyja. Të gjithë kemi ato momentet kur një veshje e jona paraprin një trend (edhe pse shpesh gjykohet impulsivisht dhe negativisht), por edhe nga ato momentet kur shohim diçka që na pëlqen aq shumë, sa duam ta bëjmë tonën sa më shpejt.
Nëse do të ishe një këpucë, cila do të ishe?
Ah, sa pyetje e vështirë! Si t’i thuash një nëne që të zgjedhë mes fëmijëve të saj. (Qesh). Në qoftë se do të zgjidhja, do të ishte gjithmonë një stileto e zezë, si modeli “Abel” i Jimmy Choo-së, pasi nuk njeh ndryshime në modë apo sezon.
Nëse do të të duhej të vishje vetëm një stilist gjatë gjithë jetës, cili do të ishte?
Do të isha në mëdyshje mes House of Holland-it nga Henry Holland dhe Stella McCartney-it. Të dyja këto shtëpi mode sjellin gjithmonë atë elementin e ri: e para me goditjet e shumta të ngjyrave dhe printet e veçanta, ndërsa e dyta me balancën mes femërores dhe mashkullores, kostumet e përsosur dhe, më kryesorja, me qëndrimin e fortë mbrojtës kundrejt kafshëve dhe mjedisit.
Çfarë ka në sirtarin tënd të të brendshmeve?
Shumë ngjyra.
Një “moment rënieje” në stil, për të cilin je penduar?
Ah, a mund të fus gjysmën e adoleshencës këtu?!
Numra:
Zotëroj mbi 75 palë këpucë; 36 funde dhe 41 palë pantallona.
Një moment që të pëlqen në historinë e fashion-it?
Momenti i parë që më vjen ndër mend është Uma Thurman në “Pulp Fiction”. Ndoshta janë flokët, ndoshta trupi i saj, por veshja është aq e thjeshtë dhe femërore, sa më kujton gjithmonë diçka afër përsosmërisë.
Kush është ikona fashion që të frymëzon?
Do të veçoja Nicole Ritchie-in. Kur isha e vogël, e mbaj mend si diçka shumë konfuze (mund të them katrahurë?) në veshje e në krehje, ndërsa vitet e fundit ka qenë gjithmonë një risi. Të bën të mendosh se të gjithë mund ta gjejmë atë që na përshtatet më mirë me personalitetin, edhe në qoftë se fillimisht jemi pak të humbur.
Veshja më e shtrenjtë në dollapin tënd?
Ato për të cilat unë shpenzoj më shumë janë këpucët. Për mua ato bëjnë balancën mes një veshjeje high-street (si Topshop, që unë e preferoj mbi të gjitha) dhe brand.
Trendi i parapëlqyer nga sezoni i ri, që mezi po pret ta veshësh?
Më ka tërhequr shumë e bardha mbi të bardhë (ashtu si edhe e kuqja në sezonin e kaluar), por më pëlqen shumë edhe rikthimi i fuqishëm (e i përmirësuar) i viteve '90.
Aroma më e parapëlqyer nga ti?
Përdor ende të njëjtin parfum që në tetëvjeçare, një aromë uniseks nga Jean Paul Gaultier, “Gaultier 2”, dhe mendoj se do të kalojë një kohë e gjatë para se ta ndërroj.
Shprehja personale e bukurisë?
“Women who behave, don't make history”. Besoj se kjo aplikohet në të gjitha.
Produkti personal i bukurisë që s’të “tradhton” kurrë?
Nuk do ta ndërroja asnjëherë rimelin “Hypnose Drama” nga Lancome.
Çanta e përsosur, çanta e parapëlqyer?
Edhe pse çantat e mëdha i përdor më shpesh, çantat që preferoj janë ato të voglat. Sa për telefonin, ndoshta edhe më të vogla. Modeli "i përsosur" është nga Marc by Marc Jacobs dhe quhet “Phone in a box”.
Cili është objekti/aksesori/fustani personal që “dashuron” më shumë?
Objekti personal që dashuroj më shumë janë një palë xhinse me brez të lartë e disi të gjera, që tashmë mund t’i konsideroj edhe si të vjetra, por që nuk do t’i ndërroja me asgjë (pavarësisht përpjekjeve nga ime më).
Cili është make-up-i që e ke si signature, që të dallon dhe e përdor gjithmonë?
Kam shumë produkte make-up-i me ngjyra, pasi i adhuroj ato, por nuk i përdor aq shumë sa do të dëshiroja. Diçka e afërt me signature mendoj se është pluhuri i purpurt. Në qoftë se do dal për darkë apo për një pije, do të jenë gjithmonë sytë në të purpurt.