[email protected]

22 milionë puthje nga Anabel.al!

28 Dhjetor 2015

22 milionë puthje nga Anabel.al!

Si lindi Anabel.al?
Në pranverë të vitit 2012, mora një telefonatë nga Gjergj Kalaja dhe Bledar Sema, bashkë-themelues të kompanisë Impuls.al, të cilët më dhanë idenë për të hapur së bashku një faqe online me materialet e revistës “Anabel”. Kisha kohë që e bluaja në mendje këtë ide, për më tepër që sado revista “Anabel” kryesonte në treg si revista më e shitur, përveç emrit dhe fansave besnikë që kishte krijuar, asnjëherë nuk e shihja si një mundësi biznesi. Për më tepër që as unë dhe as partneri im në revistë, Geljant Kaleci, nuk kishim një biznes të dytë të madh ku të mbështeteshim dhe “mbijetesa” në shtyp ishte e vështirë dhe po bëhej akoma më e vështirë me hyrjen e smartfonëve. Ndaj pas atij takimi vendosa: Anabel do të kalonte online.

Kështu, pas numrit të fundit të shtator 2012 (Me Elvana Gjata në kopertinë), Anabel i dha me sukses lamtumirën botimit të saj në print, për t’u bërë revista e parë në llojin e saj që transferohej online.

Falë reputacionit që kishte krijuar dhe lidhjes së saj të ngushtë me faqen në Facebook “Revista Anabel”, fillimin nuk mund ta konsideroj të vështirë. Por ishte një eksperiment. Në atë kohë nuk kishte shumë portale që fokusoheshin tek moda/lifestyle apo showbizi dhe ngjitja jonë në renditjen e Alexa-s apo Google Analytics ishte shumë e thjeshtë. Por aq sa shpejt ngjiteshim, aq shpejt shfaqeshin gati çdo muaj portale të reja me përmbajtje të përgjithshme (politikë, sociale apo showbiz) dhe portale me përmbajtje femërore të llojit “Anabel.al”.

Ndërkohë të rinjtë po i shmangeshin gjithnjë e më tepër televizionit dhe në diskutimet tona në Facebook, kuptonim se interesi ishte në rritje vetëm për atë çfarë u shfaqej online nëpër smartphones.

Papritur gara e portaleve online, u bë gara më e fortë mediatike, ndërkohë që gazetat po humbnin terren dhe televizionet ishin stabilizuar dhe kishin pranuar pjesën e tyre të tortës së audiencës.
Në këtë garë të gjithë ishim fillestarë dhe u rritëm vetëm falë nuhatjes dhe krijimit të një identiteti.

Gruaja: Lexuesja besnike e Anabel.al
Anabel.al kishte një gjë të qartë që në fillim: Do të ishte një portal që do të kishte si target grup kryesor femrën. Vajzën dhe gruan nga mosha 18-45 vjec, e interesuar të lexojë jo vetëm për modën, showbizin dhe bukurinë, por edhe të informohet për ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur në botë, gruan e cila nuk e ndan kujdesin për pamjen e saj nga kujdesi për të ushqyer intelektin dhe shpirtin.

Anabel.al iu ofrua gruas moderne, mendjehapur, duke shmangur çdo lloj paragjykimi që nga titujt deri tek fjalia më e fundit e një shkrimi. Por rrugës, me shumë kënaqësi portalit tonë iu shtuan edhe lexues meshkuj, të interesuar për trendet e fundit apo për informacionet që servirim çdo ditë.

Kujdesi ndaj informacionit të saktë
Edhe pse në këtë garë të ashpër për klikime, e pranojmë që me raste edhe kemi “rrëshkitur” në dhënie informacioni jo të saktë, jemi të lumtur që kjo ka ndodhur shumë rrallë. Për më tepër, jemi kujdesur që çdo lajm i huaj apo shqiptar të merret nga burimet më të besueshme të informacionit dhe gjithmonë të citohet, duke ja njohur të drejtën si të shkrimit ashtu edhe të fotografisë, burimit fillestar.

Edhe lajmet e showbizi-t, nëse kanë qënë të përgatitura nga anabel.al, kryesisht kanë qënë të gjitha të bazuara në fakte të vërteta dhe asnjëherë nuk na është dashur të përgënjeshtrojmë, edhe pse kemi qënë dhe jemi të hapur të korrigjojmë apo të fshijmë diçka që vërteton të kundërtën e asaj që shkruhet. 

Në Anabel.al asnjëherë nuk janë trajtuar me tendencë apo mëri personale personazhe të ndryshme, pavarësisht se rrugës kemi “mërzitur” me një shaka apo një kritikë, disa personazhe që ndoshta kanë preferuar të përkëdhelen nonstop nga mediat. 

Pavarësisht se tendenca kryesore është drejt lajmeve me përmbajtje të lartë seksuale apo titujve me përmbajtje “grafike” ku përmendet dhuna, në Anabel.al kemi vendosur që më mire të humbim disa klikime më shumë, sesa të keqpërdorim figurën femërore, duke e trajtuar atë vetëm si objekt seksual. Gjithmonë kemi kërkuar të ruajmë një ekuilibër midis të famshmëve të cilët reklamojnë vazhdimisht format e tyre trupore dhe veshjet dhe vajzave/grave që reklamojnë arritjet e tyre intelektuale. 

Anabel.al, pjesë e pandarë e komunitetit Anabel
Ajo çfarë ka ndihmuar shumë në rritjen e faqes, ka qënë edhe “Revista Anabel” në Facebook, e cila momentalisht numëron 230 mijë fansa nga të cilët 2/3 janë aktivë dhe çdo ditë bëhen pjesëmarrës në diskutime të ndryshme që nisin në orën 8:30 të mëngjesit dhe përfundojnë në orën 00:00.

Ndërlidhja e portalit me faqen e facebook-ut ka qënë shumë e rëndësishme për të krijuar një “shtëpi” për komunitetin e Anabelit, në të cilin, pjesëtarë të këtij komuniteti do të gjenin gjithçka: Informacionin, argëtimin, debatin apo historitë njerëzore.

Edhe pse faqja e Facebook-ut e “Revista Anabel” është një shërbim i regjistruar në QKR dhe mbështetet në të ardhurat nga reklamat, sërish kjo faqe i ka dhënë hapësirë të përjavshme të rinjve artizanë/sipërmarrës, duke i mbështetur në iniciativat e tyre të biznesit. Gjithashtu kjo faqe është vënë shpesh në shërbim të aktiviteteve bamirëse që shpesh kanë gjetur publikimi edhe në Anabel.al.

Njerëzit e thjeshtë kanë qënë dhe janë po aq të rëndësishëm për Anabel.al sa të famshmit që krijojnë zhurmë dhe shtojnë klikime. Historitë e vërteta njerëzore, tashmë një traditë dhe një pike e forte e faqes sonë në FB, ndahen me nje publik më të gjërë edhe në anabel.al dhe arkivohen për këdo që do të kuptojë paskuintat e jetës së përditshme shqiptare.

Anabel Market: Risia e Anabel.al
Vitin e fundit Anabel.al prezantoi edhe një format të ri që dikur e aplikonte në revistën e saj në shtyp: Anabel Market. Redaktorët tanë të modës dhe bukurisë tregojnë tendencat e fundit në modë dhe estetikë dhe orientojnë lexuesin se ku mund t’i blejë në Tiranë. Madje të interesuarit mund ta porosisin produktin direkt nga faqja jonë. Vitin tjetër, synimi i Anabel.al është që ta 3-fishojë pjesëmarrjen e dyqaneve të modës dhe kompanive që tregëtojnë produkte kozmetike. Në këtë mënyrë, Anabel.al do të kthehet në katalogun dhe vitrinën më të madhe të prurjeve më të fundit në modë dhe kozmetikë në Shqipëri.

Anabel.al, ndër portalet më të lexuara shqiptare
Rritja jonë 3-vjeçare ka qënë me hapa galopantë. Këtë vit kemi regjistruar më shumë se 22 milionë vizita dhe mbi 40 milionë shfletime të faqes (pageviews). Plot 5.7 milion vizitorë unikë kanë vizituar Anabel.al gjatë 2015-ës, një numër 2 herë më i lartë se banorët e regjistruar në Republikën e Shqipërisë.

Sipas renditjes së Alexa.com, në Shqipëri, Anabel.al renditet si portali i tretë më i vizituar në Shqipëri, pas portalit 15-vjeçar Balkanweb.com dhe portalit TopChannel.tv, të cilat servirin lajme gjeneraliste dhe gjithashtu produksione të si-motrave, përkatësisht News24 dhe Top Channel. Një nga arsyet e kësaj renditje të lartë është edhe fakti se 80% e vizitava tona vijnë nga brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Kjo e dhënë është veçanërisht e rëndësishme për reklamuesit pasi ata e dinë që produktet e tyre po i shfaqen një audience që është realisht blerëse potenciale.



Anabel.al – Një nga 3 portalet më të suksesshme për kompanitë publicitare
Këtë vit, Anabel.al pati një rritje të ndjeshme të vëmendjes nga kompanitë publicitare dhe sipas vlerësimeve nga agjensitë e reklamave, faqja jonë renditet në treshen e parë si faqja ku publiciteti ka klikueshmërinë më të lartë.

Anabel.al ishte e para që solli metoda kreative reklamimi, jo vetëm nëpërmjet bannerave të zakonshëm në faqe, por edhe nëpërmjet editorialeve të personalizuara, Anabel Market dhe së bashku me faqen në Facebook, krijuam disa forma mjaft të suksesshme publiciteti si konkurset disa-ditore, ku fituesit merrnin shumë dhurata nga kompania sponsorizuese apo diskutimet e mbrëmjes që reklamonin indirekt një produkt apo shërbim.

Anabel.al është krenar për transparencën qe i ofron çdo subjekti reklamues, duke i dhënë akses të plotë në sistemin e menaxhimit të reklamave (Google Doubleclick) nga ku reklamuesit mund të shikojnë në kohë reale çdo statistikë të fushatës së tyre.

Anabel.al – Një investim i përditshëm drejt cilësisë
Paralelisht me rritjen e të ardhurave nga reklamat, Anabel.al ka rritur investimet si në krijimin e hapësirave të reja e moderne për gazetarët, shtimin e punonjësve, përmirësimin e faqes drejt parametrave më të fundit teknologjikë dhe rritjen e cilësisë së informacionit qoftë atij të krijuar nga stafi i Anabel.al, qoftë informacionit të përzgjedhur nga bota.
Çdo investim dhe çdo veprim i Anabel.al është kryer konform ligjit dhe rregullave dhe me krenari themi që jemi nga të paktat media online të cilat kanë paguar me përpikmëri çdo detyrim ndaj shtetit.

Anabel.al – Portali që rritet falë jush
Na vjen mirë që Anabel.al është kthyer në një nga portalet e para që ju klikoni çdo mëngjes/drekë apo darkë për të marrë informacionet më të fundit apo për të lexuar shkrimet dhe vëzhgimet tona mbi realitetin shqiptar. Na vjen mirë që edhe shumë media të tjera online i janë referuar Anabel.al për lajme të ndryshme dhe për më tepër, na vjen mirë që opinione tonat kanë pasur ndikim për mirë si në showbiz ashtu edhe në mentalitetin/gjykimin e lexuesit tonë.

Për më tepër ndihemi me fat që të gjithë, pa përjashtim, që nga ne themeluesit e deri tek gazetarët, e konsiderojmë anabel.al jo si “punë” apo “biznes”, por si një shtëpi për të cilën kujdesemi me dashurinë dhe përgjegjësinë më të madhe.

Këtë shtëpi me 22 milionë vizita në vit, ne duam dhe do ta fuqizojmë edhe më shumë në të ardhmen, sepse i detyrohemi besnikërisë dhe vëmendjes tuaj të përditshme dhe dëshirës suaj për t’u ndjerë të respektuar si lexues modernë e të emancipuar që jeni.

Ju falenderojmë për çdo klikim dhe falenderojmë çdo kompani që na ka mbështetur në përpjekjen tonë për të sjellë një standart tjetër në median online.

Gëzuar festat nga stafi i Anabel.al dhe shpërndani sa më shumë dashuri në 2016-ën!

Dalina Buzi
Bashkë-themeluese e Anabel.al

MOS I HUMBISNI