- Ariel, po ti s’paske ndryshuar fare! Në fakt, unë quhem Aline, por për mua nuk ka asnjë lloj ndryshimi. Ai mund të më thërrasë si të dojë. Në këtë moment, unë mund të jem dhe Zhade, dhe Gymysh, mund të jem dhe vetë Ezeli, mjaft që ai të më prekë më në fund me krahët e tij me gishta të praruar. Mblodha veten: Unazë nuk paska, të paktën! Dëgjoj hapat e Vadikut nga pas, më shumë si derdhje të diçkaje dhe ngatërrim këmbësh, por ç’rëndësi ka! Ai, bashkë me çantën e tij gazmore D&G, na janë bashkëngjitur tashmë.
-Aline, nuk do të na prezantosh? E dashuroja! Ai është më i miri, më i zgjuari, është mbreti i situatave të komplikuara. - Po si nuk të kujtohet, Vadik? Kemi qenë në klasa paralele. Këpuca Numër 46 buzëqesh. Unë, me shpresën e madhe për t’u kursyer nga bërja friends e personave të padëshiruar, uroja me vete një shkëmbim të numrave të telefonit . -Kjo është kafe shumë e lezetshme, ka diell dhe fytyra të mira, – thotë Këpuca Numër 46. -Vjen shpesh këtu?, e pyes. Vadiku ndërhyn. -Po dhe nëse s’ka ardhur, tani do të vijë më shpesh. Ne kemi zyrat këtu dhe mund të na bësh një zile, – i drejtohet ai Këpucës Numër 46. Këpuca nxjerr telefonin nga xhepi i xhaketës, e mban në dorë dhe e shikon. Ne mbajmë frymën. -Më falni, – thotë ai, – një telefonatë e rëndësishme. Do të lidhemi shumë shpejt. Më prek lehtë në sup dhe ulet. Unë, më këmbë, si Statuja e Lirisë! Vetëm pishtari më mungon për të tërhequr vëmendjen: “Ej, unë jam këtu, sapo ma dh... njëri!” Një mal me punë më priste!
Dhe ja, në skenë hyn përsëri lista! Çdo gjë duhet të ketë një listë, sepse për çdo gjë ekziston një listë. Këtë herë më duhet lista e emrave të shokëve të gjimnazit. Vadiku e mori përsipër me shumë kënaqësi dhe seriozitet këtë detyrë. Shumica e vajzave kanë ndërruar mbiemër, pjesa tjetër përdorin nickname, por Vadiku ka një informacion të zgjeruar dhe të saktë mbi secilin. Do të mjaftojë një gjysmë dite për të përgatitur listën time, sepse 4326 friends që ka ai, nuk mund të përzgjidhen në dy orë! Sa do të më duhej të prisja që këto rrahje zemre dhe ky padurim të merrte fund? Një ditë, dy, një javë? Hapa listën time të telefonit. Kjo është një nga listat e mia më të dashura dhe më të thjeshta, sepse ka vetëm emra dhe numra. “Asaj” ka një numër të çuditshëm telefoni, pothuajse të njëjtin numër që përsëritet dhjetë herë, edhe pse unë nuk e mbaj mend dhe më duhet të përdor listën time.
-Alo, po ku je o goce! Sigurisht, Asaj është shumë e zënë, por gjen pak kohë edhe për mua, pak kohë, që në fjalorin tonë përkthehet katër orë të mira. Bisedat janë tema sociale mbi meshkujt ose mbi meshkujt, pse jo, edhe për meshkujt! Asaj është në gjuajtje e sipër gjithë kohën: gjuan dhe atë, dhe këtë, dhe atë tjetrin dhe të gjitha bisedat ia thotë dhe asaj, dhe asaj, edhe asaj tjetrës, prandaj dhe unë e quaj Asaj.
Moj, ta thashë ty muhabetin apo ia thashë asaj? -Po, – i them, – ma ke thënë dhe mua, sigurisht, por për çfarë e ke fjalën? Bëhej fjalë për Ndërtuesin. Ai, në mes të natës, i kishte nisur një sms gabim. Të ishte gabim vallë?! Asaj dhe e dashura e tij aktuale nuk kishin të njëjtën shkronjë emri. Mos ndoshta Ndërtuesi po mendonte për Asaj kur po shkëmbente sms me të dashurën e tij?
Ka kaluar shumë kohë nga dita kur Asaj erdhi si furtunë në shtëpinë time. Ishte herët për vizita, aq më shumë që ne ishim ndarë në orën pesë të mëngjesit. Më tregoi që, pasi kisha ikur unë, ajo kishte vazhduar të pinte me Ndërtuesin, për të përfunduar në orët e paslindjes së diellit në shtëpinë e tij.
-Nuk iu përgjigja sms-së së Ndërtuesit, – vazhdoi, – sepse ndërkohë po chat-oja në MSN me dikë tjetër. Ishte një dialog interesant, intensiv, banal... brrr... E binda të takoheshim, por, kur erdhi tek dera, ishte një zhgënjim total. -Mos më thuaj që e pe nga syri magjik që nuk ishte i duhuri? -Ishte shumë i gjatë, pa flokë dhe kishte veshur atlete, por në chat ishte i lezetshëm. Kjo më gënjeu.
Mendova për atletet. Sa të tmerrshëm janë meshkujt që vishen me atlete, të mos them pastaj për çorapet e bardha deri tek mesi i pulpës! Të ishte për mua, do t’i vishja meshkujt me çorape seksi dhe të brendshme me ngjyra, sepse dhe unë kam të drejtë të kënaq syrin, siç e kënaqin ata me mua. Po Këpuca Numër 46 çfarë të brendshmesh vishte vallë? Mbase nuk vesh të mbathura fare, mbase më ngjan mua!
-Ke mbetur demode, – i them. – Ç’janë këto MSN-ra? Hap një profil në Facebook!
-Ç’më duhet? Të kem aty të gjitha shoqet, burrat e shoqeve, shoqet e shoqeve, kushërinjtë? Për çdo status të ri, plas telefoni: “Më komento pak, se kam vënë një status të fortë”. Facebook-u më vështirëson jetën dhe s’më jep asgjë të re. Po ato fytyra që shoh përditë i kam dhe në Facebook. Prandaj përdor MSN dhe çdo lloj chat-i është OK për mua!
Kjo vajzë 40-vjeçare, asnjëherë e martuar, me një punë shumë të mirë, nuk kishte të dashur. Fati i saj ishte të lidhej me burra të martuar, që kishin dhe të dashur fikse. Jeta e saj ishte një kaos i lezetshëm marramendës. Ajo chat-onte intensivisht me këdo, e ftonte në shtëpi dhe bënte përzgjedhje nga syri magjik nëse ia vlente të bënte seks apo jo. Nga 10 raste që i vinin tek dera, shumë rrallë qëllonte që të ishte ndonjë i hajrit.
Morëm drejtimin për nga Book Store-i në dalje të Tiranës. Më duheshin disa libra të zinj. Kjo ngjyrë ishte shumë e lehtë për t’u gjetur, por ç’kam hequr kur bëra raftin me libra lejla! Për të lexuar, marr vetëm librat që janë të fundit dhe që diskutohen nëpër tavolina të ndryshme. Sigurisht që i lexoj në mënyrë vertikale, sa për të pasur një ide dhe për të mos u ndier e papërfshirë në bisedë. Brenda në Book Store është qetësi. Pak njerëz rrotullohen me kokat e mënjanuara në pozicionin “struci po të shikon”, duke lexuar titujt. Asaj u sul tek këndi i revistave, ndërsa unë, me të njëjtin pozicion si strucët e tjerë, fillova të shoh me vëmendje librat.
-Hej! – dëgjoj një zë të njohur mashkullor. Në të qindtën e sekondës analizova se çfarë kisha veshur, nëse kisha make up dhe nëse kisha lyer duart me krem të parfumosur. Isha OK.
-Heeejjj, – kthehem me rrotullim si një shtojzovalle, me sytë që më vetëtinin. – Çfarë rastësie përsëri! Këpuca Numër 46 qëndronte përpara meje me një alamet bionde nja dy pëllëmbë sipër meje. U meka! -Si je... ni?! Stërkala pështyme në ajër. Biondja, me shikimin nga Këpuca 46, priste të prezantoheshim, ose kështu m’u duk mua! Është e vërtetë që flokët e mia nuk janë kushedi se çfarë, por s’janë keq. E pra, në atë moment, lepuri kishte flokë më të bukur se unë dhe breshka kishte më pak rrudha se unë. Një floknajë me maja të shëndetshme derdhej mbi njërën shpatull të saj.
* Aline Bertrand është pseudonim për të ruajtur anonimatin e autores.