Aurela Gaçe ka triumfuar për të dytin vit radhazi në festivalin "Kënga Magjike 2015" me baladën e saj "Akoma jo", duke shkruar historinë si e vetmja këngëtare në 17 edicione që fiton një çmim të parë, 2 vite rresht.
Por nëse me fitoren e së shtunës, artistja ka vulosur emrin e saj në radhët e fituesve të këtyre viteve, ajo ka përsëritur historinë në të dyja performancat e "Kënga Magjike 2015". Detaji që kaloi pa shumë zhurmë në rrjetet sociale është se, në skenën e 'Pallatit të Kongreseve' Aurela ka kënduar sërish zbathur, ashtu siç bëri në Festivalin e fRTSH në vitin 1997, kur këndonte "Fati ynë shpresë e marrëzi".
Përpos kësaj, Aurela ka treguar dje pas fitores së çmimit, se kur këndoi këngën pasi fitoi çmimin “Interpretimi më i mirë”, e ngatërroi atë. “Edhe unë jam njeri dhe gaboj”, tha artistja duke bërë sallën të shpërthejë në të qeshura dhe ta duartrokas për çiltërsinë.
Kujtojmë se artistja, që ka përfaqësuar Shqipërinë edhe në Eurovizion në vitin 2011 dhe që njihet për veçantinë e performancave të saj, ka fituar trofeun e tretë të "Kënga Magjike", pas vendit të parë me "Hape veten" në vitin 2007.