Tri vota e kanë ndarë Kosovën nga pranimi në UNESCO. Sipas Top Channel, nga 142shtetet anëtare të UNESCO-s që votuan në seancën e sotme, 92 prej tyre votuan pro, 50 kundër ndërsa 29 abstenuan.
Më parë Serbia kishte bërë një kërkesë që proçesi i votimit për pranimin e Kosovës në UNESCO të shtyhej për në Asamblenë e ardhshme, por kjo kërkesë nuk u pranua pasi Kosova mori shumicën e votave që i jepnin të drejtë për proçesin e sotëm.
Shumica e vendeve që kanë votuar kundër apo abstenuar kanë qenë vende që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur.
Pas bërjes publike të këtij vendimi, zëvendëskryeministri dhe ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkruan në Facebook-un e tij:
‘Shumica e madhe e shteteve të botës kanë votuar për Kosovën. Fatkeqësisht, për 4 vota nuk fituam shumicën e nevojshme. Për 10 muaj fushatë, si konfidenciale, ashtu edhe të hapur, kemi dhënë maksimumin dhe ç'është me rëndësi edhe qytetarët dhe miqtë e Kosovës dhanë shumë. Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata tjera, përfshirë UNESCO-n edhe një herë. Zoti ju bekoftë. Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës. HTH’ (foto 2)
Vendimi i asamblesë së UNESCO-s në Paris është përshëndetur nga Rusia; ambasadori rus ka deklaruar se kjo ka qenë një fitore e Serbisë dhe se, Kosova nuk duhet të ekzistojë si shtet. Nga ana tjetër, nënkryetarja e Parlamentit Europian, Ulrike Lunacek, është shprehur se votimi i sotëm është një fyerje për ambiciet e Kosovës lidhur me integrimin Europian.