Jam një djalë rreth të njëzetave. Ndjehem shumë konfuz dhe dua një përgjigjje nga psikologia. Kam shkuar me femra gjatë gjithë kohës por pasi kreva marrëdhënie me një mashkull, jam në një udhëkryq dhe nuk di çtë bëj. Jam në dilemë. Jam gay?
Gersi
I nderuar lexues, në moshën tuaj është normale të ndjesh konfuzion për sa i përket orientimit seksual. Ju me të drejtë ngrini disa dyshime të cilat marrin shkas nga një përvojë seksuale me një mashkull tjetër. Për t’ju ardhur në ndihmë në mënyrë konkrete na mungojnë disa detaje të cilat ju i keni anashkaluar, apo nuk ju janë dukur të ndonjë rëndësie të madhe. Sa i përket tëheqjes fizike dhe shpirtërore ndërmjët personave me të njëjtin seks është një proces i cili zgjat në kohë dhe asnjëherë nuk mund të ndodhë që ne të biem në shtrat me tendenca hetero dhe të zgjohemi me orientim homoseksual. Identiteti gjinor formësohet qysh në fëmijërinë e hershme, aty rreth moshës 4-5 vjeç fëmija është i/e ndërgjegjshëm/e për identitetin e tij/ saj. Më vonë me të arritur në moshën e pubertetit fillojnë të shfaqen edhe pulsionet e para të tërheqjes seksuale, pulsione të cilat te personat hetero drejtohen kundrejt gjinisë së kundërt dhe te homoseksualët fantazia dhe pathosi erotik shkon drejt personave me të njëjtin seks. Në rininë e hershme mendohet që përvoja është e mjaftueshme për t’i dhënë përfundimisht zgjidhje çështjes së orientimit seksual. Në këtë moshë individi njeh veten dhe di mirë se çfarë i pëlqen dhe çfarë jo në sjelljen seksuale. Siç shihet qartë gay nuk shëndërrohesh në një mëngjes papritur. Ky orientim (që nuk ka pse të shkaktojë ankth dhe aq më pak ska pse të shihet si një sëmundje që tmerron mbartësit) fillon të shfaqet dhe formësohet së bashku me zhvillimin e personalitetit tonë. Në rastin tuaj ju nuk na qartësoni nëse i keni patur keto prirje, apo ka ndodhur që arsye të tjera ju kanë shtyrë të eksperimentoni edhe në raporte intime të paprovuara më parë. Sidoqoftë unë ju uroj gjithë të mirat dhe shpresoj që kjo përgjigje të ketë ndriçuar sado pak ato pjesë të errëta brenda teje.
