
Kompozitori i shquar shqiptar ka ndërruar jetë ditën e sotme, 29 tetor, në moshën 92-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur, e bija, Inva Mula, përmes një postimi në rrjetet sociale.
"Gjigandi ynë fluturoi në Valsin e Përjetësisë!
Për një përshëndetje me dorë në zemër, homazhet kryhen nesër, 30 tetor, ora 11:00-13:00 në hollin e Universitetit të Arteve, Tiranë.
Avni Mulla 04.01.1928 - 29.10.2020", shkruan ajo bashkangjitur me foton:

Avni Mula ishte këngëtar dhe kompozitor i suksesshëm, autor i këngëve të njohura si "Valsi i lumturisë", "Vajza me kaçurrela", "Shqipëri, o vendi im" etj.
Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik. Karrierën artistike e nisi menjëherë mbas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Onjeginit tek “Eugjen Onjegin” të Çajkovskit dhe Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60.
