
Fatos Nano, politikani historik i Shqipërisë, është ndarë nga jeta në moshën 73-vjeçare, pas një beteje të gjatë shëndetësore. Ai pësoi arrest kardiak dhe më tej, vdekje klinike të trurit. Nano ishte shtruar prej disa javësh në një spital privat në Tiranë dhe gjendja e tij paraqitej e rëndë.
 
Fatos Nano do të mbahet mend si themeluesi dhe kreu i Partisë Socialiste. Ai nisi karrierën e tij që në vitin 1991, kur u zgjodh kryeministër i vendit. Dy muaj më vonë, ai u detyrua të jepte dorëheqjen dhe në mars të vitit 1992, u burgos pasi u akuzua për korrupsion dhe abuzim me detyrën. 
 
Më tej, u vendos sërish në krye të vendit në vitin 1997, duke u zgjedhur si kryeministër për të dytën herë. Ai u rikthye në të njëjtin pozicion në korrik të vitit 2002, ku u emërua në rolin e kryeministrit nga presidenti i atëhershëm, Alfred Moisiu.
 
Ai është zgjedhur 5 herë si deputet në parlamentin shqiptar në Tiranë, Kuçovë, Tepelenë dhe Sarandë. 
 
Fatos Nano ka lindur më 16 shtator, 1952 në Tiranë. Ai përfundoi gjimnazin te “Sami Frashëri” dhe më pas, u specializua për ekonomi politike. Prej vitesh, ish-kryeministri ishte shkëputur nga jeta politike.
 
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                       