
Influencuesja e njohur Nara Smith ka ndarë një nga momentet më të vështira të jetës së saj, duke zbuluar se vajza e saj 2-vjeçare, Whimsy Lou, është diagnostikuar me kancer.
Në një video të publikuar në Instagram, 24-vjeçarja tregoi se gjithçka nisi në fund të vitit të kaluar, kur ajo dhe bashkëshorti i saj, modeli Lucky Blue Smith, vunë re diçka të pazakontë tek e bija. Fillimisht e çuan në urgjencë, por mjekët nuk arritën të jepnin një diagnozë të qartë.
“Kur shkuam te pediatri, mbaj mend që doktori u bë papritur shumë i qetë. Në atë moment zemra m'u ndal. Nuk e di nëse ishte instinkti im si nënë, por mendimi i parë që më erdhi ishte: ‘Ajo ka kancer’”, rrëfeu Nara.
Pas rekomandimit të pediatrit, vajza u dërgua menjëherë në spitalin e fëmijëve, ku iu nënshtrua analizave, radiografive, ekografive dhe në fund një biopsie. Pak më vonë, familja mori telefonatën që i ndryshoi jetën.
“Mjekët na thanë se kishte kancer, se sëmundja ishte përhapur dhe se duhej të niste menjëherë kimioterapinë”, tregoi ajo.
Nara nuk bëri të ditur se për çfarë lloj kanceri bëhet fjalë dhe as nuk dha detaje mbi gjendjen aktuale të Whimsy-t.

Influencuesja tha se muajt e fundit kanë qenë jashtëzakonisht të vështirë për familjen, sidomos pasi po përpiqej të përballonte gjithçka ndërsa ishte edhe në periudhën pas lindjes së fëmijës së saj më të vogël. Ajo pranoi se balancimi mes spitalit, kujdesit për tre fëmijët e tjerë dhe punës ka qenë një sfidë e vazhdueshme.
“Ajo që më ka ndihmuar më shumë është të flas me prindër të tjerë që po kalojnë të njëjtën gjë. Kjo më ka bërë të ndihem më pak vetëm”, tha ajo.
Në fund të videos, Nara shpjegoi se vendosi ta ndante historinë jo vetëm për të shpjeguar mungesën e saj në rrjetet sociale, por edhe për të inkurajuar prindërit të mos neglizhojnë shenjat që u duken të pazakonta.
“Shpresoj që historia jonë t’i japë dikujt kurajë të kontrollojë diçka që ka shtyrë prej kohësh. Ndonjëherë kjo mund të bëjë gjithë ndryshimin.”

