Në një lidhje në Skype me emisionin “Ftesë në pesë”, aktorja Olta Gixhari, e cila ka lindur në Durrës dhe shpenzon atje një pjesë të mirë të kohës, rrëfeu për momentin e tmerrshëm të tërmetit të 26 nëntorit.
“Atë natë të tmerrshme të 26 nëntorit isha në Durrës me familjen time. Fatmirësisht qëllova aty, sepse isha një mbështetje shumë e fortë për dy prindërit e mi, përndryshe do të ishin vetëm. Të gjithë e dimë që ka qenë një situatë shumë e vështirë, një tragjedi e madhe, që pati edhe shumë viktima dhe kjo është gjëja më e tmerrshme.”
Ajo tregoi se për fat të mirë gëzojnë shëndet të plotë, të paktën fizikisht, pasi emocionalisht janë ende të tronditur.
“Unë dhe familja ime gëzojmë shëndet të mirë. Shtëpinë e kemi braktisur. Kemi ikur prej frikës dhe nuk do të shkelim aty derisa ekspertët e ndërtimit të na thonë që është ose jo i banueshëm.”
Përsa i përket tërmetit të fuqishëm, Olta u shpreh se ndërprerja e dritave e vështirësoi situatën.
“Më e tmerrshmja ishte se dritat u prenë, na binin gjëra mbi trup, mbi kokë. Na binin gjëra të mëdha që shkuleshin nga muret. Disa prej tyre bllokuan derën e jashtme. Dëmtimi më i madh është ai psikologjik. Kemi pësuar një shok, një tronditje të madhe. Uroj të na kalojë shpejt. Jam konsultuar me psikologë dhe më kanë thënë që është normale ndjesia sikur toka dridhet, por çdo gjë që dridhet më kthen në kokë ulërimat, lemerinë dhe pamundësinë [për të shpëtuar]. Në një moment u dorëzuam, dera nuk hapej, tërmeti nuk mbaronte dhe aty menduam se mori fund. U dorëzuam. U përqafuam dhe thjesht u lutëm. Mendonim se po binin muret. Kur hapa telefonin që të bëja pak dritë, u qetësova pak. Pashë që kishin rënë vetëm orenditë. Zhurmat ishin shumë të mëdhaja. Ai momenti i zbritjes së shkallëve me pizhama, zbathur...ishte një tmerr.”
Momentalisht, ajo ndodhet në Spanjë dhe do të duket kohë për t’u kthyer sërish në Shqipëri.
“Jemi mirë, por shtëpinë e kemi braktisur. Do të duhet kohë që të kthehem. [përlotet]. Ju në Tiranë e keni ndjerë shumë, por nuk e keni idenë se çfarë ka ndodhur atje. Të gjithë durrsakët janë në një fazë [të tmerrshme]. Kam takuar shumë të tjerë. Nuk kam udhëtuar direkt.”
Teksa fliste për qytetin ku u rrit, aktorja e kishte të vështirë t’i mbante lotët.
“Pjesën më të rëndësishëm të jetës sime në ato ditë e kam parë të zezë. Një qytet të zi, të braktisur. Edhe moti ka qenë [i errët]. Ishte një qytet fantazëm. Kisha frikë të ecja me makinë.”
Në vijim, theksoi solidaritetin e jashtëzakonshëm të popullit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve.
“Megjithatë me ka prekur shumë pa masë gjithë populli shqiptar për solidaritetin që treguan, pa përjashtim. Jam shumë e prekur për gjithë ndihëm që i kemi dhënë njëri-tjetrin, sado e vogël qoftë. Nuk ka gjë më të tmerrshme se kur nuk ke një shtëpi ku të fusësh kokën, të kesh frikë nga e nesërmja dhe të kesh humbur të afërmit. Nuk kam qenë kurrë kaq krenare për ne si popull sesa në këto ditë të tmerrshme, ku i kemi dhënë dorën njëri-tjetrit, ashtu të përlotur, të gjymtuar, me gjunjtë e prerë. Të gjithë bashkë do të jemi më të fortë.”
Në fund, Olta u përpoq që t’i bënte thirrje të gjithëve për të mos e braktisur qytetin.
“Jam larguar dje. Do të pushoj, sepse psikologjikisht jam shumë e rënduar. Por do ta marr veten dhe do të kthehem sërish në qytetin tim. Mesazhi im është ky: Le t’i lëmë kohë qytetit dhe të kthehemi sërish atje. Ju lutem, të mos e braktisim.”