
Konflikti Pakistan – Afganistan: Mes dy vendeve mund të ketë luftë

Ministri i Mbrojtjes në Pakistan, Khawaja Muhammad Asif, është shprehur se mes dy vendeve mund të ketë luftë, nëse bisedimet për arritjen e paqes në Stamboll dështojnë. Ai u shpreh se e beson se Afganistani kërkon paqen, por gjithsesi, kjo është përgjigjja e Pakistanit, nëse nuk bien dakord.
Të dyja shtetet ranë dakord për armëpushim, pas përleshjeve të përgjakshme në kufijtë e tyre. Bisedimet në Stamboll po mbahen gjatë kësaj fundjave dhe përfundojnë sot, më 26 tetor.
Donald Trump kthen sytë nga Kina, pasi shprehet i zhgënjyer nga Vladimir Putin

Donald Trump është duke kërkuar ndihmën e Kinës, që të mund të përballojë Rusinë, me synimin që të përfundojë lufta mes saj dhe Ukrainës. Presidenti i SHBA, teksa udhëtonte për në Malajzi, dha një deklaratë për gazetarët ku u shpreh se do të dëshironte që Kina t’i jepte një dorë me Rusinë.
“Kam raporte shumë të mirë me presidentin Xi Jinping. Shumë të mira”, tha presidenti amerikan, duke theksuar se edhe presidenti kinez donte fundin e luftës. Ai pranoi se Kina mund të ketë më shumë ndikim se sa ai te Vladimir Putin.
Kamala Harris mund të kandidojë sërish për Shtëpinë e Bardhë?

Kamala Harris, ish-zëvendëspresidentja e SHBA-së nën udhëheqjen e Joe Biden, gjatë intervistës së saj të parë në BBC, u shpreh se ndoshta ende nuk ka përfunduar dhe se mund të rikandidojë sërish. Ajo humbi zgjedhjet përballë Donald Trump.
Teksa po fliste për një kandidim të mundshëm për zgjedhjet e vitit 2028 në SHBA, Kamala tha: “Ndoshta do të jem unë”, duke ndezur shpresat e mbështetësve të saj. Kamala nuk i ndali kritikat edhe për Donald Trump, duke e cilësuar si një “tiran” dhe duke rikujtuar se paralajmërimet e saj gjatë fushatës zgjedhore, dolën të sakta.
Haiti goditet nga stuhia tropikale “Melissa”

Stuhia tropikale “Melissa” ka goditur Haitin, duke shkaktuar edhe 3 viktima. Sipas autoriteteve, stuhia mund të fuqizohet dhe të kthehet në një uragan gjatë fundjavës. Fatkeqësia natyrore vjen si pasojë e motit të keq në ishull. Rritja e nivelit të lumit Saint-Martin, si rrjedhojë e reshjeve të shiut, shkatërroi disa shtëpi, si dhe një urë në verilindje të vendit.
Stuhia “Melissa” ndodhet 360 km në jugperëndim të Port-au-Prince, kryeqyteti i Haitit dhe 310 km larg Kingston, në Xhamajkë. Nëse kthehet në një uragan, ajo rrezikon të prekë si Haitin, ashtu edhe Xhamajkën.