Nuk ka plane për takim të afërt mes Trump dhe Putinit, njofton Shtëpia e Bardhë
Presidenti amerikan Donald Trump nuk ka në plan të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, "në të ardhmen e afërt", deklaroi një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të martën.
Ndërkohë, Ukraina, në bashkëpunim me aleatët evropianë,ka kërkuar një armëpushim përgjatë vijave aktuale të frontit të luftës me Rusinë, duke e parë këtë si pikënisje për çdo negociatë të mëtejshme dhe për një marrëveshje përfundimtare.
Qeveria në Kiev nuk ka ndryshuar qëndrim dhe e ka mbështetur këtë propozim që prej fillimit të bisedimeve me Uashingtonin.
JD Vance: Armëpushimi në Gaza po ecën më mirë se sa e prisnim
JD Vance dhe të dërguar të tjerë nga SHBA shprehën optimizëm të martën në lidhje me armëpushimin e brishtë në Gaza, duke e cilësuar përparimin më të mirë se sa ishte parashikuar gjatë një vizite në Izrael.
Vance pranoi se ka pasur shpërthime të dhunës ditët e fundit, por theksoi se armëpushimi, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, po funksionon "më mirë se ç’e kisha pritur" pas dy vitesh lufte mes Izraelit dhe Hamasit.
Përfaqësuesit ndodhen në Izrael ndërsa mbeten pyetje të hapura për planin afatgjatë të paqes, përfshirë nëse Hamas do të çarmatoset, kur dhe si do të vendoset një forcë ndërkombëtare sigurie në Gaza, si dhe kush do ta qeverisë territorin pas luftës.
Rindërtimi i Sirisë pritet të kushtojë 216 miliardë dollarë, sipas Bankës Botërore
Rindërtimi i Sirisë pas më shumë se një dekade lufte civile pritet të kushtojë rreth 216 miliardë dollarë (ose 185 miliardë euro), sipas një vlerësimi të publikuar të martën nga Banka Botërore.
Kjo shumë është gati dhjetëfish më e madhe se Prodhimi i Brendshëm Bruto i Sirisë për vitin 2024.
Konflikti ka shkatërruar pjesë të mëdha të vendit dhe ka dëmtuar rëndë infrastrukturën kritike, përfshirë rrjetin elektrik.
Banka Botërore vlerëson se kostoja totale e rindërtimit mund të variojë nga 140 deri në 345 miliardë dollarë, por shifra e tyre më e besueshme dhe konservatore është 216 miliardë.
Sarkozy bëhet ish-presidenti i parë në BE që shkon në burg
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy është bërë kreu i parë i një shteti të Bashkimit Europian që përfundon pas hekurave.
70-vjeçari u paraqit të martën në mëngjes në burgun La Santé në Paris për të nisur vuajtjen e një dënimi pesëvjeçar me burg për komplot kriminal, i lidhur me financimin libian të fushatës së tij presidenciale në vitin 2007.
Sarkozy u largua nga banesa e tij në kryeqytetin francez rreth orës 09:15 të mëngjesit, duke mbajtur për dore bashkëshorten e tij, këngëtaren dhe ish-modelen Carla Bruni-Sarkozy.
Çifti u përqafua para se ai të hipte në një automjet policie që e çoi në burgun, ku ai do të mbahet në izolim.