
Dhjetë vende të tjera europiane i bashkohen skemës së NATO-s për ndihmë ushtarake ndaj Ukrainës
Dhjetë aleatë europianë të NATO-s janë bashkuar me skemën Prioritised Ukraine Requirements List (PURL) gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes në Bruksel të mërkurën, në përpjekje për të kompensuar mungesat e fundit në furnizimet ushtarake për Ukrainën.
Sipas kësaj marrëveshjeje të re financiare, vendet europiane blejnë armë të prodhuara në SHBA, të cilat më pas i dërgohen Ukrainës.
Sipas Institutit Kiel të Gjermanisë, që ndjek ndihmën ushtarake dhe financiare ndaj Ukrainës, mbështetja perëndimore ka pësuar një rënie prej 43% në korrik dhe gusht, krahasuar me gjysmën e parë të vitit.
Trump konfirmon se ka autorizuar CIA-n për operacione sekrete në Venezuelë
Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi të mërkurën se ka autorizuar Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të kryejë operacione të fshehta brenda territorit të Venezuelës, një konfirmim i rrallë nga një president në detyrë për aktivitetet sekrete të agjencisë.
Kjo deklaratë vjen pasi ushtria amerikane ka ndërmarrë së fundmi disa sulme vdekjeprurëse ndaj varkave të dyshuara për trafik droge në Karaibe, duke shkatërruar të paktën pesë mjete që nga fillimi i shtatorit, me pasojë vdekjen e 27 personave.
Katër nga këto mjete lundruese thuhet se ishin nisur nga Venezuela.
Izraeli merr trupat e dy pengjeve të tjera nga Rripi i Gazës
Autoritetet izraelite njoftuan të mërkurën se kanë pranuar trupat e dy pengjeve të tjera, vetëm pak orë pasi ushtria konfirmoi se një prej trupave të dorëzuar më parë nuk i përkiste një pengu, duke shtuar konfuzionin në marrëveshjen e brishtë për paqe.
Arkëmortet me trupat janë dorëzuar nga Hamasi përmes Kryqit të Kuq dhe janë dërguar menjëherë në një laborator mjeko-ligjor në Tel Aviv për identifikim, njoftoi ushtria, duke theksuar se identiteti i viktimave ende nuk është verifikuar zyrtarisht.
Zyra e Kryeministrit Benjamin Netanyahu konfirmoi pranimin e trupave, duke deklaruar se përmes Kryqit të Kuq janë dorëzuar arkivole që përmbajnë trupat e pengjeve, të cilët tani presin identifikim përfundimtar.
Komisioni Europian: Spanja e mbrojtur nga çdo tarifë ndëshkuese e SHBA
Spanja është e mbrojtur ndaj çdo përpjekjeje të Presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa ndëshkuese ndaj saj, për shkak të mosarritjes së objektivit prej 5% të shpenzimeve për mbrojtjen të vendosur nga NATO, deklaroi të mërkurën Komisioni Europian, në një klimë tensioni në rritje mes çështjeve të mbrojtjes dhe tregtisë.
Të gjitha vendet e BE-së, përfshirë Spanjën, janë pjesë e një politike të përbashkët tregtare, që nënkupton se produktet e tyre përballen me të njëjtat tarifa kur eksportohen jashtë bllokut.
Megjithatë, për Brukselin, i cili ruan me fanatizëm kompetencat e tij ekskluzive mbi politikën tregtare, një veprim i tillë diskriminues do të ishte i papranueshëm.