
Marrëveshja për armëpushim në Gaza nënshkruhet në Egjipt: Trump, Erdogan dhe liderë të tjerë mbështesin planin
Egjipti, Katari dhe Turqia nënshkruan një dokument për marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, së bashku me presidentin amerikan Donald Trump, gjatë një samiti paqeje të mbajtur të hënën në Sharm el-Sheikh.
Duke folur në samit mbi marrëveshjen mes Izraelit dhe Hamasit si dhe të ardhmen e Gazës, presidenti egjiptian, Abdel Fattah El-Sisi, u tha liderëve botërorë se plani i paraqitur nga Trump është "shansi i fundit" për paqe në rajon.
Samiti mblodhi më shumë se 20 liderë botërorë në qytetin bregdetar të Egjiptit, për të shprehur mbështetjen e tyre për marrëveshjen që i dha fund një ofensive izraelite dyvjeçare në Gaza, e cila kishte shkatërruar lagje të tëra dhe kishte shkaktuar dhjetëra mijëra viktima.
Pjesëmarrës në samit ishin mbretëri Abdullah i Jordanisë, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, presidenti francez dhe kryeministri britanik, mes të tjerëve.
Palestinezët rikthehen në veri të Gazës pas armëpushimit; e ardhmja e Hamasit mbetet e paqartë
Dhjetëra mijëra palestinezë filluan të rikthehen në veri të Rripit të Gazës, pasi hyri në fuqi armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA, marrëveshje që ka rritur shpresat për përfundimin e luftës midis Izraelit dhe Hamasit.
Megjithatë, mbeten ende pikëpyetje mbi të ardhmen e qeverisjes në Gaza, teksa trupat izraelite janë tërhequr, dhe nëse Hamas do të çarmatoset, siç kërkohet në planin 20-pikësh të paraqitur nga presidenti Trump.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili kishte ndërprerë një armëpushim të mëparshëm në mars, ka lënë të kuptohet se ofensiva mund të rifillojë nëse Hamasi nuk dorëzon armët.
Pavarësisht paqartësive, kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të një lufte shkatërrimtare, e cila nisi pas sulmit të Hamasit në vitin 2023.
Presidenti i Madagaskarit largohet nga vendi mes protestave dhe rebelimit ushtarak
Presidenti i Madagaskarit, Andry Rajoelina, ka njoftuar se është larguar nga vendi për shkak të frikës për jetën e tij, pas javësh të tëra protestash antiqeveritare të udhëhequra kryesisht nga të rinjtë e brezit Gen Z dhe rebelimit të një njësie elitare ushtarake.
Të shtunën, situata mori një kthesë të rëndësishme kur njësia elitare CAPSAT iu bashkua protestave, duke kërkuar dorëheqjen e presidentit dhe ministrave të tij.
Rajoelina e cilësoi këtë si një përpjekje të paligjshme për grusht shteti dhe u largua nga vendi. Ai është shtetas francez përveç nënshtetësisë së Madagaskarit, fakt që ka shkaktuar zemërim ndër qytetarët prej kohësh, për shkak të historisë koloniale të Madagaskarit me Francën.
Tre ekonomistë fitojnë Çmimin Nobel për Ekonomi 2025 për kontributin e tyre në rritjen ekonomike të nxitur nga inovacioni
Çmimi Nobel në Ekonomi për vitin 2025 iu dha tre ekonomistëve të njohur për punën e tyre mbi zhvillimin ekonomik të bazuar në inovacion, sipas Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave.
Fituesit janë Joel Mokyr, Philippe Aghion dhe Peter Howitt. Gjysma e çmimit iu dha Joel Mokyr nga Universiteti Northwestern në SHBA, për punën e tij mbi parakushtet që mundësojnë rritje të qëndrueshme përmes progresit teknologjik.
Aghion dhe Howitt ndanë gjysmën tjetër të çmimit për modelimin e ndikimit afatgjatë të inovacionit në zhvillimin ekonomik.