
Gaza/ Shtohet numri i viktimave nga kequshqyerja
Numri i personave që kanë ndërruar jetë si pasojë e kequshqyerjes në Gaza ka shkuar në 281. Tetë palestinezë, mes tyre 2 fëmijë, kanë ndërruar jetë rishtazi, duke thelluar kështu krizën humanitare që po kalon vendi.
Munir al-Bursh, drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, u shpreh në X se numri total i të miturve që kanë ndërruar jetë nga kequshqyerja është 114.
“Uria po shkatërron në heshtje trupat e civilëve, duke i privuar fëmijët nga e drejta e tyre për jetë dhe duke i kthyer tendat dhe spitalet në skena të përditshme tragjedie,” tha ai. Ndërkohë, gjithnjë e më shumë, Izraeli po përballet me presione nga shtete të ndryshme të botës që t’i japë fund mizorisë dhe luftës në territorin e shkatërruar të Gazës.
Kinë/ Shembja e urës shkakton 12 viktima
Një urë hekurudhore në provincën Qinghai të Kinës, ende e papërfunduar, është shembur, duke shkaktuar vdekjen e 12 punëtorëve. Raportimet shprehen se në vendngjarje ishin edhe 4 punëtorë të tjerë, që për fat të mirë shpëtuan.
Një kabllo çeliku e urës u shkëput rreth orës 3 të mëngjesit, duke shkaktuar kaos dhe panik. Ende nuk janë gjetur të gjithë trupat e pajetë, ndaj kërkimet me helikopterë dhe robotë nënujorë vijojnë.
Benjamin Netanyahu bën thirrje për “negociata të menjëhershme” për lirimin e pengjeve
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u shpreh se ka urdhëruar që të bëhen negociata për lirimin e pengjeve në Gaza, si dhe përfundimin e luftës, por “me kushte që duhet të pranohen nga Izraeli”, duke theksuar se ende synohet që të merret kontrolli në qytetin e Gazës.
Një zëdhënës i Forcave Mbrojtëse të Izraelit, konfirmoi se ushtarët janë në periferi të Gazës, ndërsa palestinezët deklaruan për gazetarët e CNN se qyteti ishte nën granatime të vazhdueshme gjithë natën.
Bashkëshortja e Erdogan-it i drejtohet Melania Trump: “Dërgo letër edhe për fëmijët e Gazës”
Emine Erdogan, e shoqja e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, i bëri thirrje Melania Trump që të dërgojë një letër edhe për fëmijët e Gazës, njëjtë siç bëri për fëmijët në Ukrainë.
Bashkëshortja e kryeministrit turk i referohet letrës që Donald Trump i dorëzoi presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë takimit të tyre. Melania i kishte shkruar një letër Putin-it, në të cilën shprehte shqetësimin për sigurinë e fëmijëve në Ukrainë.
Emine, përmes një letre, i shpreh respektin dhe dashurinë Melania-s, duke e inkurajuar që të tregojë të njëjtën empati edhe për fëmijët që po vuajnë krizën e thellë të urisë në Gaza.