
NATO thellon mbështetjen për Ukrainën
Mbështetja e NATO-s për Ukrainën mbetet “e palëkundur” dhe “në rritje të vazhdueshme”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, të premten gjatë një vizite në Kiev.
Pas takimit me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Rutte njoftoi se janë planifikuar fonde të reja nga NATO për të garantuar “furnizim të vazhdueshëm me armë amerikane për Ukrainën”.
Ai shtoi se pas takimit shumëpalësh në Shtëpinë e Bardhë të hënën, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e kishte bërë të qartë se “Shtetet e Bashkuara do të jenë të përfshira në garantimin e sigurisë për Ukrainën.”
Izraeli paralajmëron shkatërrimin e Gazës nëse nuk arrihet armëpushimi
Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, paralajmëroi të premten se qyteti i Gazës mund të shkatërrohet plotësisht nëse Hamasi nuk pranon kushtet e Izraelit për përfundimin e luftës.
Kjo deklaratë vjen një ditë pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se do të japë miratimin përfundimtar për pushtimin e qytetit të Gazës, ndërsa paralelisht do të nisë negociatat me Hamasin për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës që po zgjat pothuajse dy vjet, por vetëm “me kushte të pranueshme për Izraelin.”
Më herët gjatë javës, Hamasi pranoi një propozim armëpushimi të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe Katari. Zyrtarë nga Egjipti dhe Hamasi thanë se ky propozim është pothuajse identik me atë që Izraeli kishte pranuar më parë, përpara se bisedimet të bllokoheshin muajin e kaluar.
Konfirmohet gjendja e urisë ekstreme në Gaza
Autoriteti kryesor botëror për krizën ushqimore njoftoi të premten se qyteti më i madh i Rripit të Gazës është kapluar nga uria dhe se situata mund të përkeqësohet nëse nuk arrihet një armëpushim dhe nuk lehtësohen kufizimet ndaj ndihmave humanitare.
Klasifikimi i Integruar i Sigurisë Ushqimore (IPC) konfirmoi se në qytetin e Gazës, ku jetojnë qindra mijëra palestinezë, po vuhet nga uria, dhe se kjo mund të përhapet në jug, në zonat Deir al-Balah dhe Khan Younis deri në fund të muajit të ardhshëm.
Kjo është hera e parë që IPC shpall zyrtarisht gjendjen e urisë në Lindjen e Mesme, një zhvillim që pritet të rrisë presionin ndërkombëtar ndaj Izraelit, që ndodhet në luftë me Hamasin që nga viti 2023.
Vrasja e adoleshentes holandeze trondit opinionin publik
Vrasja brutale e adoleshentes 17-vjeçare holandeze, Lisa, e cila ishte duke u kthyer me biçikletë në shtëpi pas një nate jashtë me shoqet, ka shkaktuar zemërim të madh në Holandë dhe Belgjikë.
Një poezi e shkruar nga aktorja dhe autorja holandeze Nienke ’s Gravemade është shpërndarë gjerësisht në rrjete sociale. Në të, ajo thekson se gratë kanë të drejtë të ndihen të sigurta dhe të lëvizin të lira natën.
“Çanta e kuqe. Nuk më del nga mendja çanta e kuqe. Si tundej nga timoni i biçikletës ndërsa ajo ecte nëpër natë. Një natë që i përkiste edhe asaj, sepse të gjitha kemi 24 orë në ditë. 24 orë që jemi të lira t’i jetojmë si dhe ku të duam,” shkruan autorja në Instagram.
Lisa u nis nga qendra e Amsterdamit rreth orës 03:30 të mëngjesit të mërkurën, për t’u kthyer në shtëpi në qytetin Abcoude. Ajo kishte telefonuar numrin e urgjencës kombëtare pasi vuri re se dikush po e ndiqte.
Fatkeqësisht, ajo u gjet e vrarë.