
Trump përjashton mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë
Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane për të ndihmuar në mbrojtjen e Ukrainës nga Rusia, një ditë pasi dukej se e kishte lënë të hapur këtë mundësi.
Në një intervistë televizive, Trump deklaroi gjithashtu se shpresat e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO dhe për të rimarrë Gadishullin e Krimesë nga Rusia janë "të pamundura".
Trump, së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe disa liderë evropianë, zhvilluan disa orë bisedime në Uashington të hënën, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për paqe.
Hamasi jep përgjigje pozitive për armëpushim, Izraeli në pritje
Ndërsa sulmet në Rripin e Gazës vijojnë, Izraeli po shqyrton atë që Katari, në rolin e ndërmjetësit, e ka përshkruar si një "përgjigje pozitive" nga Hamasi për një propozim armëpushimi.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid al-Ansari, nuk dha detaje mbi përmbajtjen e marrëveshjes, por tha se ajo është "gati identike" me një propozim të mëparshëm të dërguarit amerikan Steve Witkoff, të cilin Izraeli e kishte pranuar.
Sipas marrëveshjes së propozuar, do të vendosej një armëpushim 60-ditor, do të liroheshin disa nga pengjet e mbajtura nga Hamasi në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë, do të hapej rruga për ndihma humanitare drejt Gazës, si dhe do të nisin bisedimet për një armëpushim të përhershëm.
Ushtari në Zelandën e Re pranon përpjekjen për spiunazh, rasti i parë në historinë e vendit
Një ushtar i Zelandës së Re ka pranuar fajësinë për përpjekje për spiunazh, në një gjykatë ushtarake, duke shënuar kështu dënimin e parë të këtij lloji në historinë e vendit.
Emri i ushtarit nuk është bërë publik, ashtu si edhe emri i shtetit të huaj për të cilin ai dyshohet se ka tentuar të japë informacion.
Sipas dokumenteve të gjykatës ushtarake, në vitin 2019 ai besonte se po komunikonte me një agjent të huaj dhe përpiqej të kalonte të dhëna të ndjeshme ushtarake, përfshirë lista telefonike të bazave, harta, vlerësime të dobësive të sigurisë dhe të dhënat e hyrjes në rrjetin ushtarak.
Tronditet politika finlandeze: Deputeti Eemeli Peltonen gjendet i vdekur në parlament
Politikani finlandez, Eemeli Peltone,n është gjetur i vdekur në ambientet e parlamentit në Helsinki të martën, në një rast që autoritetet e konsiderojnë si vetëvrasje, sipas mediave lokale.
Vdekja e deputetit 30-vjeçar të Partisë Socialdemokrate ka shkaktuar një tronditje të madhe në skenën politike të Finlandës, me reagime të shumta nga përfaqësues të të gjitha forcave politike.
Ndërsa parlamenti finlandez ndodhet aktualisht në pushimet verore, kryeministri Petteri Orpo ndërpreu të gjitha aktivitetet politike ditën e martë në shenjë respekti për kolegun e ndjerë.