
Nga të gjitha misteret që moda na servir çdo sezon, ky është një nga ato që të lë pak pa fjalë: si ka mundësi që diçka që nuk është “trend” të shndërrohet papritur në të tillë? E kemi parë shpesh, një këmishë e bardhë e madhe, një palë pantallona të thjeshta linoje, dhe ja ku janë, të shpallura si "must-have", megjithëse realisht nuk kanë dalë kurrë nga moda.
Këtë verë, ai “anti-trend” që po dominon çdo foto Instagrami është një klasike e freskët dhe gjithmonë elegante: veshjet e bardha prej pambuku ose linoje. Po, ato që duken sikur s’i ke hekurosur – dhe pikërisht kjo i bën edhe më të bukura.
Nga fustanet e bardha të gjera që valëviten në erë, te bluzat e thjeshta që kombinohen me xhinse apo fundet midi me pala, kjo veshje e bardhë “e papërkryer” e ka fituar zemrën e stilit veror 2025.
Çfarë e bën kaq të veçantë? Freskia që të jep, ndjesia natyrale dhe e lehtë në trup, por edhe fakti që dukesh si një person me super stil, edhe pse nuk ke nevojë për shumë për ta bërë të duket bukur.
Nëse ndihesh sikur garderoba jote verore ka nevojë për një rifreskim, ndoshta është koha të bësh një vend për ndonjë fustan që duket më mirë sa më i rrudhur të jetë. Të garantojmë: do dukesh si e sapodalë nga Pinterest-i.