Artikulli në vijim është shkruar nga Albana Shkurta, e cila punon në sektorin e teknologjisë dhe aktualisht ndjek studimet e doktoraturës në fushën e lidershipit dhe transformimit organizacional, duke ruajtur një interes të veçantë për marrëdhënien mes qytetarit, pushtetit dhe demokracisë.
Në fillimin e viteve 90, kur unë jetoja në një qytezë të vogël në Jug të Shqipërisë, kam qenë shumë larg ngjarjeve që çuan në rënien e komunizmit. Ato çfarë kujtoj nga ajo kohë, i mbaj mend më shumë përmes ndjesive sesa si data e ngjarje historike.
Kujtoj çfarë flitej në oborrin e gjimnazit kur Kadare kërkoi azil politik në Francë. Një përzierje e çuditshme frike, ngazëllimi, kureshtjeje dhe shqetësimi për ngjarjet që po bëheshin gjithnjë e më pak të parashikueshme.
Në korrikun e 1990-ës, imazhet e qytetarëve shqiptarë duke ngjitur muret e ambasadave për të kërkuar strehim, vetëm pak muaj pas rënies së murit të Berlinit, ishin shkëndijat e para që i vunë zjarrin regjimit totalitar. Kujtoj sesi udhëheqja dhe mediat shtetërore asokohe i quanin “huliganë” ata qytetarë të dërrmuar në pamje e në shpirt; fjalë e çuditshme kjo që asokohe e lidhja vetëm me futbollin dhe tifozët anglezë. Pikërisht atë verë, ndërsa Kampionati Botëror i futbollit zhvillohej në Itali dhe Gjermania Perëndimore e fitoi për herë të fundit me këtë emër, Shqipëria po luante ndeshjen e vetë finale kundër historisë.
Në dhjetorin e atij viti në Tiranë, studentët filluan protestat e grevën e urisë duke kërkuar pluralizmin politik dhe vendosjen e një rendi të ri. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” u bë parrulla që ka shoqëruar pothuajse gjithë rininë time. Asokohe ato fjalë mbartnin një fuqi shumë të madhe. Evropa përfaqësonte lirinë, mundësi të reja, drejtësinë dhe dinjitetin.
36 vjet më vonë, nuk jam plotësisht e sigurt nëse jemi më afër Evropës apo i jemi larguar akoma më shumë. Ndoshta të dyja janë të vërteta. Kemi fituar të drejtën për të pasur një pasaportë, të udhëtojmë jashtë vendit, kemi aeroporte, kafene, qendra tregtare, shërbime digjitale, negociata për integrim në BE dhe të rinj e fëmijë që flasin më mirë anglisht se shqip.
Por njëkohësisht kemi politikë dhe institucione të ngërthyera në marrëveshje të errëta me krimin, një sistem që është shumë larg demokracisë, pasuri natyrore e publike të cilave u tjetërsohet pronësia dhe një opinion publik të lodhur nga zhgënjimet e një trazicioni të pafund. Ne mësuam të flasim gjuhët e Evropës, por pa mësuar disiplinën e vërtetë që kërkon demokracia.
*
Kur erdha në Tiranë si studente, Partia Demokratike, e para parti opozitare në vend, ishte në hapat e saj të para, duke shënuar në këtë mënyrë zyrtarisht vendosjen e pluralizmit politik. U mbajtën zgjedhjet e para, dhe fjalori i gjuhës së përditshme filloi të mbushej me fjalë e terma të rinj si miting e anti-miting. Por në pothuaj çdo ngjarje politike që pasoi, asnjëherë nuk pata as dëshirë as vullnetin për t’u përfshirë.
Ngjarjet e dhunshme që ndodhën si pasojë e rënies së skemave piramidale, kur armë e municione u rrëmbyen nga depot e kohës së komunizmit, nuk mund t’i kuptoja ose justifikoja. U desh ndërhyrja e një operacioni ushtarak ndërkombëtar për të rivendosur në vend rendin e sigurinë për jetën e qytetarëve.
Ishte shumë e qartë për mua se sa herë partitë politike thërrisnin mbështetësit e tyre në protestë, popullit i kërkohej të bëhej mish për top. Askujt nuk i bëhej vonë për interesat e shoqërisë dhe vendit. Dhe ata që pranonin këtë qasje e bënin për të marrë një përfitim: para, dyer që i hapeshin, një vend pune në administratë, mbrojtje apo çfarëdolloj favori tjetër që mund të merrnin.
Dekada të tëra të të jetuarit nën traumën e diktaturës e kishin kthyer popullatën në një turmë cinikësh. Kishte një lloj alergjie ndaj çdo forme bashkëpunimi për të mirën e përbashkët. Një lloj mënyre e re sjelljeje filloi të dilte në pah që ishte shumë larg vlerave dhe traditave të lashta shqiptare, vlera të cilat kishin ndihmuar kombin tonë të mbijetonte si i tillë në këtë cep të largët të kontinentit: dinjitet, mikpritje, mbajtja e fjalës, respekti për tokën, familjen, komunitetin, natyrën, respekti për diçka më të madhe se individi.
*
Im bir lindi në atë muaj kur një nga figurat më të shquara të partisë demokratike u vra përpara selisë së saj. Revoltat popullore që pasuan më rikthyen frikën e përsëritjes edhe njëherë të ‘97-ës.
Nga ai moment ishte luftë për mbijetesë, të gjeja punën e radhës, të krijoja një të ardhme për tim bir. U përqëndrova në ndërtimin e një jete të bazuar në vlerat me të cilat familja ime më kishte rritur e formuar duke i qëndruar larg politikës apo administratës.
“E urrej politikën dhe i përçmoj politikanët” u bë shprehja ime e parapëlqyer.
Në 2018, studentët dolën edhe njëherë nëpër rrugë e sheshe këtë herë kundër reformës së radhës në sistemin e arsimit të lartë, ligje e masa të vendosura pa pyetur grupet e interesit në kushtet e mungesës së transparencës dhe papërgjegjshmërisë së institucioneve. Ajo lëvizje kishte fuqinë e një tërmeti që do ta shkundte seriozisht pushtetin. Çfarë ndodhi mbrapa kuintave ishte një ndërhyrje me taktika tinzare që lëvizja të përçahej, të copëzohej dhe të venitej pa lënë gjurmë.
Vijmë në ditët e sotme.
Im bir është 27 vjeç dhe jeton e punon këtu. Në zgjedhjet e fundit e pyeta për kë do të votonte sepse doja ta mbështesja. Në biseda me miq e familjarë, kuptova që kishte një hezitim për të votuar, njerëzit e donin ndryshimin, por fatkeqësisht opozitës i mungonin alternativa të besueshme.
Im bir iu bashkua lëvizjes që i shkon përshtat natyrës së tij, me qytetari, me një vizion që synon një qasje më të përparuar sesa thjesht kapitalizëm ekstrem, një lëvizje që përpiqet të ndërtojë një shoqëri më të drejtë dhe që është kundër në parim përqëndrimit të pasurisë, burimeve dhe pushtetit në duart e disa individëve të cilët komandojnë politikën, drejtësinë, ekonominë dhe median tradicionale.
Me fjalë të tjera, ata kundërshtojnë oligarkinë e maskuar si ekonomi tregu. Për të parën herë m’u ngjall interesi për të mbështetur një lëvizje e cila me një fushatë të drejtë në një sistem zgjedhor të shtrembër arriti të fitonte vetëm një mandat.
Në kushte të tjera, mandati do t’i kishte shkuar kryetarit, por për herë të parë u pa një udhëheqjeje e cila krijon hapësirë për njerëz të tjerë për t’u ngritur, për të folur në parlament për të mbështetur çështje sociale për të cilat shumicës as nuk i shkon ndër mend të merret.
Një nga këto ishte edhe ngjarja në Zvërnec, në maj të këtij viti kur në rrjedhat e postimeve në mediat sociale u shfaqën imazhet e zonës së mbrojtur rrethuar me tela me gjemba, rojet private duke tërhequr zvarrë një banor të zonës që protestonte ndërsa policia e shtetit bënte sehir, dhe mbi të gjitha portreti i Brunela Mërtirit, vajzës së re që qëndronte përballë tyre për të mbrojtur të drejtat e saj - këto ishin si ajo pika e ujit që e mbushi kupën.
Njerëzit të indinjuar filluan të mblidhen çdo ditë e më të shumtë përballë ndërtesës së qeverisë duke kërkuar llogaridhënie për të gjitha padrejtësitë e jo vetëm për Zvërnecin që ishte për shumë nga ne si një gozhdë tjetër në arkivolin e pseudo-demokracisë.
Me gjithë zemër iu bashkova protestave krahas tim biri, motrës, kolegëve dhe në përgjithësi njerëz të cilët nuk kanë arsye pse të kenë frikë nga shteti dhe që janë të pakorruptueshëm e të pandikueshëm nga asnjë parti.
Protestat u pagëzuan me emrin Revolucioni i Flamingove, emër që e bënë akoma më të njohur dhjetëra mijëra aktivistë, zëra të mediave sociale, qytetarët e Tiranës e gjithë Shqipërisë e më tej mediat më të mëdha në shkallë ndërkombëtare.
Ndërsa shumica dërrmuese e mediave tradicionale vendase, të mbërthyera në një simbiozë të sëmurë mes oligarkëve dhe qeverisë, e injoruan, zvogëluan ose shtrembëruan përmasat e lëvizjes.
Kryetari i qeverisë në fillim u tall me protestat, pastaj haptazi gënjeu për to, pastaj u përpoq ta përçante turmën duke ftuar individë në dialog, e kështu vijoi duke ofruar çdo ditë një spektakël grotesk propagande, arrogance, dhe përçmimi për njerëzit dhe revoltën e tyre.
Po ta mendosh, nuk ndryshon shumë në qasje nga kronikat e kohës së ambasadave kur shtetarët i quanin qytetarët e dëshpëruar nga vuajtjet e diktaturës “huliganë”. Dhe njësoj si atëherë, njerëzit në pushtet shpresojnë që koncerte, shfaqje, i nxehti i verës, pushimet, kampionati botëror apo të tjera forma banale shpërqëndrimi do të zbehin fuqinë e protestave.
Por protestat më të rrezikshme për një demagogji politike janë ato që bëhen nga njerëz që nuk mund të blihen me para, me frikë apo me favore. Janë ata njerëz të bukur, të rinjtë që e shprehin zemëratën me simbolikën e gjuhës së tyre, përzierje kreativiteti me humor të zi, me ironi, meme, performanca dhe mbi të gjitha në mënyrën më paqësore që kemi parë ndonjëherë.
Njerëzit që ndjekin hapat e njëri-tjetrit pa pasur nevojë për asnjë figurë lideri suprem. Njerëz që udhëheqin me shembullin personal. Njerëz që e urrejnë kultin e individit. Njerëz që nuk ua ndjen fare për futbollin kur kanë për të mbrojtur interesa të rëndësishme të kombit.
Çfarë po shfaqet në këto ngjarje të ditëve të fundit është diçka po aq e veçantë sa ngjarjet e fillimeve të viteve ‘90. Lëvizja që filloi nga zogjtë, më sjell në mend një fenomen që gjendet në natyrë: murmuration. Këto janë grupime krijesash shpesh në qindra mijëra e miliona individë që qëndrojnë dhe lëvizin bashkë si të ishin një masë e vetme, me të njëjtin drejtim, instinkt për mbijetesë, e pa pasur një udhëheqës të vetëm që i komandon.
Këtë koncept për herë të parë e kam hasur në një program për executive leadership dhe e kam parë gjithmonë nën këndvështrimin e organizatave të biznesit. Një nga librat që e trajton me hollësi është “Agile Leadership in a Turbulent World” nga Sharon Olivier et-al.
Autorët shtjellojnë sesi në kushte pasigurie dhe kompleksiteti, udhëheqja nuk mund të mbështetet në kontroll e komandë. Imazhi i udhëheqësit heroik që qëndron në krye të piramidës duke dhënë urdhra e drejtim për të gjithë të tjerët, bëhet gjithnjë e më pak efektiv kur rrethanat janë në ndryshim të vazhdueshëm. Sistemet që mbijetojnë janë ato që mësojnë, përshtaten, vetë-organizohen dhe roli i udhëheqjes është më shumë të krijojë kushtet për vënien në veprim të inteligjencës kolektive sesa të jetë i vetmi burim për marrjen e vendimeve.
Duke ndjekur Revolucionin e Flamingove, fillova të shikoj sesi koncepti i udhëheqjes së zhdërvjellët (agile leadership) mund të jetë në zbatim në këto protesta.
Po sikur të njëjtat parime që aplikojnë sot organizatat moderne të biznesit të aplikohen edhe për demokracitë? Po sikur shoqëritë më të shëndetshme të jenë ato që ju krijojnë mundësitë qytetarëve të lirë të mendojnë, organizohen e veprojnë së bashku në vend të atyre që organizohen rreth një dore individësh të superfuqishëm? Demokracia vdes aty ku pushteti rrotullohet rreth kultit të individit.
Ne si popull duhet ta kishim mësuar këtë nga historia jonë më mirë se të gjithë. Brezat që janë përgjegjës për modelin e qeverisjes që sot të rinjtë, e veçanërisht Gen Z, duan të rrëzojnë, janë ata që u formuan gjatë një diktature që ngriti dhe mbajti një individ në piedestal për gati gjysmë shekulli. E më tej në tre dekadat që pasuan zëvendësuam një emër të përveçëm me një tjetër, një gjoja shpëtimtar me një tjetër, një zhgënjim më i madh se tjetri.
Ende nuk është e qartë se në çfarë mase individët ndikohen nga pushteti që marrin. Nuk dihet ende çfarë varësie krijohet nga pushteti dhe sa kohë mund të qëndrojë dikush në pushtet pa u shndërruar në një përbindësh të shkëputur plotësisht nga realiteti në të cilin jeton populli, interesave të të cilit duhet t’i shërbejë.
Por, mbase mund të fillojmë të përfytyrojmë një shoqëri ku pushteti është i shpërndarë te njerëzit, ku udhëheqja nuk është një e drejtë që të takon si ta kishe marrë me tapi por një ushtrim kalimtar dhe i përkohshëm.
Një nga figurat më të shquara të filozofisë politike, Hannah Arendt, shkruan se politika fillon aty kur njerëzit shfaqen në publik dhe ushtrojnë vullnetin e tyre politik së bashku; jo si subjekte që presin të marrin udhëzime nga një njeri, por si qytetarë që marrin pjesë aktive në jetën e përbashkët në të mirë të komunitetit.
Për pjesën më të madhe të jetës sime si e rritur, e kam parë politikën si diçka me të cilën bëhesh pis dhe që është më mirë ta shmangësh. Duke parë mbrapa në kohë, pyes veten nëse kjo ka qenë një lloj forme dorëzimi ose nënshtrimi. Kur njerëzit tërhiqen plotësisht nga jeta publike, ia lënë hapësirën pikërisht atyre që janë njerëzit më të gabuar për ta marrë pushtetin.
Kjo është arsyeja pse çfarë po ndodh këto ditë duket ndryshe. Revolucioni i Flamimgove është i veçantë për shkak të atyre që marrin pjesë në të, jo të atyre që e udhëheqin. E kundërta e kultit të individit nuk do të thotë mungesë lidershipi. Përkundrazi është leadership i shpërndarë ndërmjet të gjithë qytetarëve, ku motivimi i njerëzve për të kërkuar ndryshim nuk reduktohet dot në interesa personale, tendera, leje ndërtimi, akses në qeverisje, vende pune dhe as bindje e verbër apo frikë. Në këtë lloj realiteti, Evropa nuk shihet si një destinacion, por si një standart që duhet arritur e jetuar.
Pra le të mos pyesim më: Pse sot? Pse kjo çështje? Pse flamingot? Pse Zvërneci?
Një shoqëri mund të zgjohet përmes simboleve, përmes revoltave të të rinjve, kundër manipulimit të votës nga një sistem zgjedhor i mbrapshtë, kundër varfërisë, kundër oligarkisë, kundër shkatërrimit të pasurive natyrore, dhe pse jo edhe për të mbrojtur speciet në zhdukje.
Këtë herë, asnjë individ i veçantë nuk është udhëheqësi i lëvizjes për ndryshim. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, të gjithë ata që marrin pjesë, në një farë mënyre, janë udhëheqësit e vërtetë të saj.