
Në një kryeqytet si Tirana, që lëviz shpejt dhe shpesh është i rrëmujshëm në organizimin e tij, ndodh të ndeshesh me njerëz që të motivojnë, të përcjellin energji pozitive, profesionalizëm dhe vullnet të admirueshëm. Intervista në vijim na njeh me një personazh që është njëkohësisht i dukshëm dhe i rrallë në rrethin shoqëror dhe profesional të kryeqytetit.
Them “i dukshëm” sepse Kristin e sheh çdo mëngjes në televizion, pastaj në shkallët e pallateve të sportit, ku ndjek me përkushtim një nga pasionet dhe profesionet e tij: volejbollin. Ndërsa në fundjavë e gjen duke luajtur muzikë, duke u bërë një me publikun.
Por ai është edhe “i rrallë”, sepse është e vështirë të gjesh dikë që gërsheton kaq natyrshëm pasionin dhe profesionin në tri fusha të ndryshme, të cilat në pamje të parë nuk lidhen me njëra-tjetrën. Kristi jeton me bindjen se me punë, përkushtim dhe disiplinë arrihet gjithçka dhe se sfida më e madhe është ajo me veten. Po, po, edhe të qenit DJ kërkon disiplinë.
Njihuni me Krist Martiron. Jeta midis gazetarisë, sportit dhe pasionit për muzikën elektronike.
1. Krist, je një kombinim i rrallë: gazetar, sportist dhe DJ. Cili nga këto tre role të përfaqëson më shumë dhe cili të sfidon më tepër?
Është ndoshta më e vështira që mund t’i përgjigjem. Në fakt, kujtimet e mia më të hershme janë me topin e volejbollit. Janë bërë gati 16 vjet që nga dita kur nisa këtë sport dhe është thuajse e pamundur të kthej kokën pas e të mendoj se si do të ishte jeta ime pa të. Kam sakrifikuar shumë nga rinia ime për të arritur maksimumin si sportist profesionist sidomos në një vend si Shqipëria dhe besoj se ia kam dalë. Kjo më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme.
Më pas vjen profesioni im si gazetar dhe prezantues të cilin e kam studiuar dhe që më ka përfshirë në mënyrë të natyrshme. Është interesante si deri në ditën e fundit të regjistrimeve në universitet nuk e dija ende cili do të ishte drejtimi im. Fati deshi që sot të jem pjesë e ekranit prej 8 vitesh duke bërë një nga gjërat që di të bëj më mirë. E ndjej aq shumë këtë profesion sa më duket sikur kam punuar shumë pak gjatë jetës sime.
Së fundmi është dashuria ime më e re muzika dhe roli im si DJ. Prej gati 10 vitesh jam një entuziast i muzikës elektronike duke dëgjuar artistë të ndryshëm dhe ndjekur performancat e tyre në vende të ndryshme të botës. Së fundmi ndjeva se kënaqësia ime nuk vinte më vetëm nga dëgjimi por nga dëshira për të shprehur veten nëpërmjet muzikës. Që nga janari i këtij viti kam nisur të luaj rrymat e mia të preferuara si Melodic Techno dhe Afro/Progressive House dhe megjithëse jam ende në hapat e parë të kësaj rruge kam një vizion të qartë për atë ku dua të shkoj në vitet që vijnë.
2. Si është për ty të jesh në një moment duke prezantuar në ekran dhe në momentin tjetër të ndezësh një skenë me muzikë? A ndihmojnë këto identitete njëra-tjetrën apo përplasen ndonjëherë?
E ndihmojnë shumë por edhe përplasen. Them këtë sepse kanë shumëçka të përbashkët si kontrolli i emocioneve dhe i energjisë në një ambient. Njëra e arrin këtë përmes fjalëve dhe rrëfimeve tjetra përmes tingujve dhe udhëtimeve shpirtërore. Por po duhet ta pranoj që nuk është gjithmonë e lehtë dhe përplasen!
Besoj se jam ndoshta i vetmi prezantues i emisioneve të mëngjesit që mund të shkojë në punë edhe direkt nga një natë duke performuar si DJ.
3. Cila ka qenë eksperienca më e paharrueshme që ke raportuar apo përjetuar personalisht si sportist?
Janë shumë në fakt. Kam pasur kënaqësinë të raportoj nga stadiume të ndryshme për skuadra të rëndësishme apo për Kombëtaren. Por asgjë nuk mund të krahasohet me përjetimet si sportist veçanërisht fitoret me fanellën kuqezi brenda dhe sidomos jashtë vendit.
Kujtimi më i bukur në karrierën time si volejbollist është padyshim shpallja kampion me Tiranën në vitin 2023 një trofe që mungonte për këtë klub legjendar të volejbollit të meshkujve që nga viti 1996.
4. E dimë që ke qenë pjesë e MotoGP këtë fundjavë. Na trego pak për emocionin e atij eventi por edhe çfarë reflektimi të solli përtej garës në vetvete?
Po, gara ishte spektakolare dhe ka pak vend për komente, por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte mënyra sesi MotoGP ka evoluar. Sporti sot nuk është më thjesht argëtim, por është kthyer në një platformë që edukon dhe ndërgjegjëson.
Moto GP po promovon ndryshimin pozitiv përmes nismës “Racing for the future” (Racing For The Future | The Official Home of MotoGP™) e cila fokusohet në qëndrueshmëri dhe përfshin dy shtyllat kryesore: “Racing for our planet” ( Racing towards the fuel of the future) ku diskutohet për alternativa më të gjelbëra për karburantin, inovacion të qëndrueshëm dhe menaxhim të përgjegjshëm të eventeve dhe “Racing for everyone” (Evolving towards a smoke free era is on) që synon përfshirjen e të gjithëve dhe promovon një të ardhme pa tym duhani, përmes një iniciative të nisur në vitin 2022 me PMI.
Kjo është, sipas meje, fytyra e re e sportit.
5. A mendon që Shqipëria po ecën drejt këtij vizioni të ri të sportit si platformë për ndikim social apo kemi ende rrugë për të bërë?
Kemi ende shumë punë për të bërë në fakt. Jam i lumtur që arrij të jap kontributin tim si pjesë e medias në këtë drejtim dhe e bëj me shumë dëshirë sa herë më jepet mundësia.
Sot çështje si shëndeti apo kujdesi ndaj mjedisit nuk janë ende në fokusin maksimal të opinionit publik për shkak të problemeve socioekonomike dhe politike që zënë pjesën më të madhe të vëmendjes. Prandaj duhet folur më shumë dhe duhet rritur ndërgjegjësimi për çështje jetësore.
6. Nëse do të duhet të zgjidhje vetëm një: mikrofonin, parketin sportiv apo pultin e DJ-t cili do të ishte ai që nuk do ta lëshojë kurrë?
A mund të vazhdoj t’i bëj të tria?
Është shumë e vështirë për t’i ndarë sinqerisht prandaj përpiqem t’u jap kohë mjaftueshëm të gjithave ndoshta ndonjëherë edhe duke sakrifikuar kohën me familjen dhe shoqërinë. Mendoj se është ende herët për të bërë përjashtime.
7. Mes gjithë këtyre roleve ku e gjen balancën personale? Ku qëndron “Kristi i thjeshtë”?
E gjej kudo. Përpiqem të jem sa më natyral në çdo aspekt të jetës sime dhe kjo mendoj se më ka ndihmuar për të ecur përpara. Disiplina në sport është më e hekurt dhe nuk i shpëton dot urdhrave të trajnerit ama si gazetar dhe prezantues apo si DJ jam gjithmonë vetvetja dhe spontan, diçka që besoj dallohet lehtësisht.