
Nuk është më diskutim që të gjithë e duam lavatriçen: e bën jetën më të lehtë dhe kursen kohë. Por jo çdo gjë mund të lahet aty pa pasoja. Ekspertja Carolyn Forté, drejtoreshë e laboratorit të pastrimit në Good Housekeeping Institute, ka dhënë listën e gjërave që nuk duhet t’i fusim në lavatriçe dhe pse.
Ja 9 gjëra që më mirë të mos i fusni direkt e në lavatriçe për t'u larë:
1. Rroba shumë të pista
Rroba, peshqirë apo batanije që për një arsye a tjetrën janë të mbushura me baltë, rërë apo qime kafshësh nuk duhet të futen direkt në lavatriçe. Përndryshe jo vetëm që lavatriçja mund të dëmtohet, por edhe rrobat nuk do të pastrohen si duhet. Zgjidhja? Shkundini jashtë ose përdorni rul për qimet e kafshëve.
2. Jastëkë me memory foam

Materiali memory foam, i përbërë nga një lloj shkume poliuretani viskoelastike, që ndodhet në dyshekë apo jastëkë të caktuar, ofron mbështetje për qafën, por lavatriçja mund ta shkatërrojë. Vishinni këta lloj jastëkësh me këllëfë që mund të lahen, në vend që t'i fusni direkt në lavatriçe.
3. Batanije të rënda
Madje edhe ato që duket se mund të lahen në fakt mund të jenë shumë të rënda për lavatriçen tuaj. Kini parasysh që pesha e batanijes dyfishohet kur laget, ndaj ekspertët këshillojnë që batanija të mos e kalojë peshën 5-6 kilogramë kur është e thatë.
4. Gjërat me etiketë “vetëm pastrim kimik”
Kontrolloni gjithmonë etiketat! Fustanet, rrobat prej mëndafshi, kashmiri, lëkure apo rrobat me temina duhet të pastrohen vetëm kimikisht. Lavatriça mund t’i dëmtojë, t'i tkurrë ose të zbehë ngjyrat.

5. Rroba vintage dhe të brishta
Si rrobat e vjetra ashtu edhe ato moderne prej materialesh të brishta (mëndafsh, kashmir, dantella) kërkojnë larje me dorë ose pastrim kimik. Një lavatriçe mund t’i shkatërrojë lehtësisht.
6. Gjërat me zinxhir të hapur
Qoftë xhinse, xhaketa apo çarçafë, gjithmonë sigurohuni që zinxhirët të jenë mbyllur. Zinxhirët e hapur mund të kapen në rroba të tjera dhe t’i prishin.

7. Gjërat në xhepa
Kushtojini vëmendje xhepave! Monedha, çelësa ose sende të tjera të harruara në xhepa mund të prishin rrobat ose të dëmtojnë lavatriçen.
8. Lëkura
Xhaketa, pantallona apo aksesorë lëkure mos i fusni kurrë në lavatriçe. Lëkura mund të çahet, të shkëputet ose të tkurret. Larja me dorë është opsion më i sigurt.
9. Rroba me shumë ngjyrë
Ngjyrat si e kuqe dhe portokalli shpesh "vjellin" në lavatriçe, sidomos kur janë të reja. Për të shmangur që ngjyra të përhapet te pjesët e tjera, lani ato veçmas me dorë.



