
Shënim i redaksisë: Shkrimi në vijim, i publikuar në Facebook, përmban qëndrime dhe vlerësime personale të autores Kozeta Kurti. Mendimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht qëndrimet apo linjën editoriale të Anabel.
Ndonëse kam një konflikt të hapur me “menaxhmentin” e ri të RTSH-së (virtual, meqë mundësia për komunikim verbal nuk m’u dha), tradita e shënimit tim të nesërmen e Festivalit të Këngës është tashmë një e vërtetë që s’është vetëm e imja, por edhe shumë prej miqve të mi, të njohur e të panjohur që më shkruajnë se po më presin...Me këtë dua të them që nuk është “hakmarrje” se s’i ka bërë ditët “menaxhmenti” (dhe s’ka për t’i bërë kurrë, as i tanishmi, as çfarë mund të vijë më vonë) të përdoret si levë hakmarrjeje për një institucion brenda institucionit siç është Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.
Dhe ja ku erdha! Vetëm se s’di nga t’ia nis.
Po e filloj me atë që nuk ka nevojë për koment: skenografinë. Kam qenë disa herë pjesë e skuadrave të Festivalit të Këngës dhe për këtë skenografi jam xheloze. Me Albi Çifligun, skenografin e Festivalit shumë shpesh kemi bërë debate dhe nuk kemi rënë dakord, përfshirë edhe skena të festivaleve që jam angazhuar edhe vetë, por ky ishte vërtet për “t’i hequr kapelën”. Të paktën për shijet personale, si gazetare apo producente e eventeve me kryefjalë muzikën, sepse nga ana teknike nuk di të them nëse ka qenë e rehatshme për muzikantët që kanë interpretuar në skenë.
Së dyti, nuk besoj të kem qenë ndonjëherë më shumë kurioze se këtë vit për të ditur se cilat këngë kanë mbetur jashtë konkurimit (nëse këto që dëgjuam paskan qenë më të mirat). Me thënë të drejtën, unë i kam dëgjuar ca prej tyre që kanë mbetur jashtë, por s’po i hyj komenteve se do etiketohen si shije personale dhe siç bie dakord edhe vetë: “shijet personale nuk gjykohen, ato respektohen”. Tani që po kujtohem, në arkivën e koncerteve kam një “Napolon”, stil latin dhe meqë u lejoka që këngëve pa autor mund t’u merret ndonjë “bulzë”, të më shkruajë dikush nëse e do për vitin që vjen, se e kam gati, edhe të orkestruar.
Shpesh, gjatë netëve ky Festival m’u duk si një “Dancing with the stars”, ku përveç performancave me kërcimtarë, nuk më kujtohet të kem parë gjë tjetër, ose po deshët po i numëroj edhe ato dy këngët me flakë dhe dy këngët me mjegull, meqë me siguri përbëjnë edhe ato risi.
Nuk besoj se ka mbetur shqiptar pa i njohur studiot e Radio Tiranës, meqë ka nja 10 vjet që ato klipet prezantuese të këngëtarëve bëhen po aty; një herë xhirohen nga e majta, një herë nga e djathta, një herë në mes. Por patjetër edhe kjo, “risi e bukur”. Dhe meqë jemi këtu te klipet, nuk e kuptova pse “voice over” dublonte moderatorët. S’kishe shans të të humbiste asgjë se për pesë sekonda kishte thënë Evi Reçi etj, edhe Arilena, edhe Salsano, edhe inserti. Nëse është bërë me qëllimin për të na e ngulitur në kokë, bravo, kjo risi e bukur ia arriti qëllimit, sigurisht siç tha edhe moderatorja: “me këto që na u ndodhën...".
Dikush më pyeti: pse, po të ishe ti, kujt do ia kishe besuar Festivalin? Pa diskutim kujtdo, përfshirë edhe këtë skuadër që e bëri, (edhe Andri Xhahut ia kisha besuar me meritë të padiskutueshme) por me një ndryshim të vogël fare: çdokush duhet të marrë kohën që duhet, jo që do. Redi Treni jam e sigurt që s’ka pasur kohë mjaftueshëm për prova regjie, ndaj dhe në ekran kemi lexuar gabime që as nuk mund të perceptohen pas kaq vitesh përvojë; jam e bindur që skenaristi Koloreto Cukali nuk ka patur kohën e mjaftueshme të shkruajë, të mos i pëlqejë, të fshijë të rishkruajë derisa ta gjejë të duhurën. Jam e bindur që moderatorët Arilena Ara e Salsano Rrapi nuk janë takuar në kohë, nuk kanë pasur kohën e mjaftueshme të njihen siç duhet skenikisht që të reflektojnë kiminë që na duhen ne si spektatorë dhe teleshikues.
Nëse biletat do të ishin reklamuar me kohë, jo tre-katër ditë para eventit, ndoshta rrjetet sociale dhe lajmet e RTSH-së nuk do të gënjenin aq pa përgjegjësi për publikun e zjarrtë që kishte mbushur Pallatin e Kongreseve, sepse nuk është e vërtetë. As ishte i zjarrtë (përveç ndonjë grupi të ardhur me furgon (jo autobus) për tifozeri dhe poltronët e portokalltë të Pallatit të Kongreseve ta nxjerrin zbuluar tejmbushjen. Por kush të merret me këto “vogëlsira”. Drejtori i Festivalit? Po kush ishte?
Nëse do flasim për tejmbushje, ka patur vetëm një Festival vitet e fundit: Festivali i 61-të i drejtuar nga Arbana Osmani. Tani me të drejtë secili pyet: po mirë, nëse duhet kaq pak, pse kemi këtë pamje? Po e kemi këtë pamje pra, sepse Drejtoresha Artistike e Festivalit, këngëtarja Elhaida Dani zgjodhi të ishte titër në këtë edicion dhe jo prezente. Bëri vetëm “ta” natën e parë, duke e hapur ngjarjen më të madhe muzikore LIVE, me këngë të kënduar “playback”; me një këngë që nuk është e saj. Kujtojmë që Elhaida është fituese e Festivalit të 53-të të Këngës. Pse nuk këndoi këngën e saj, ashtu siç bëri Arilena? Apo nuk dinte cilën këngë të këndonte: atë që fitoi Festivalin, apo atë me të cilën prezantoi Shqipërinë. (Hera e parë që në Shqipëri atë vit u trajtua si Festivali i Këngëtares dhe jo i Këngës, por nejse të shkuara, të (pa)harruara). Më vjen shumë keq që Elhaida jo vetëm që nuk e tejkaloi Festivalin e vitit të kaluar, por as nuk diti ta ruajë atë që ndërtoi apo u ndërtua aksidentalisht. Por me siguri do e rregullojë vitin që vjen, meqë me sa kam dëgjuar, e ka marrë drejtimin artistik për tre vjet rresht. Epo mot më mirë uroj.
Të ndalojmë pak te thembra e Akilit: nata e nostalgjisë. Nuk dua të ndalem shumë gjatë, sepse do kisha përsëritur veten duke thënë se nata e nostalgjisë u përket edicioneve jubiliare, ka nevojë për temë që të mos bëhen gabime autoriale, ndryshe do përsëritet gjithçka vit pas viti dhe po shndërrohet kjo nata e nostalgjisë në patericën që po mban në këmbë vetë Festivalin. Megjithatë faleminderit që na sollët në këtë risi të bukur për herë të parë këngë si “JON”, “Vajzat e fshatit tim”, “Ti nuk më meriton”, “Jehon” etj etj. Dhe mbi të gjitha, faleminderit skuadrës krijuese që na bënë pjesë të natës së nostalgjisë këngën e artistit më kontribute të shquara në skenën e Festivalit, Yll Limani, së cilit ende nuk i është bërë dekada e parë nga prezantimi premierë, imagjinoni vetë sa nostalgjike është.
Prej muajsh kam dëgjuar për Alisin si fitues të paracaktuar dhe që të jem e sinqertë, kam thënë: nëse paracaktohet një i ri/ e re le të jetë kush të jetë, mjafton të krijohet një brez i ri që ta dojë këtë skenë e t’i kthehet besimi. Kësaj tymnaje thashethemesh nuk i jap zë, por ama formulës së votimit, po. Pak kohë më parë (20 tetor 2025) Drejtoresha Artistike e Festivalit foli në një prej programeve të RTSH-së (“Çasti i duhur”, minuta e 75-të, ose një orë e pesëmbëdhjetë minuta ) ku shpjegoi se kënga fituese do të shpallej me votim sipas ndarjes 25% televotim me sms, 25% nga aplikacioni FIK (që do të ishte gati shumë shpejt, por s’u bë kurrë) dhe 50% nga juria, me emrat e së cilës jam shumë dakord, por i mungonin emra të rinj. Siç ka Festivali Sara Kapo, duhet të ketë edhe juria e Festivalit një apo dy Sara Kapo, ndryshe është lojë pa rregulla. Ku i dihet, me këtë aplikacionin FIK që votohej nga e gjithë bota medemek, mund të kishim një tjetër këngë fituese.
Dhe në fund, si qershi mbi tortë, ajo që e mbyll për çdo vit këtë shënim: Orkestra Simfonike e RTSH dhe band-i i Festivalit. Këtë herë nuk do të them vetëm që jeni të mrekullueshëm, por do t’ju lutesha që të këmbëngulnit (për të mirën e muzikës, jo për rebelizëm) që pas fazës përzgjedhëse të këngëve, çdo këngëtar duhet t’i nënshtrohet provës së pianos, përpara se ju: “NDERI I KOMBIT” të jeni të detyruar të çelni partitura për të shoqëruar interpretuesit e këngëve që shumica as e kanë haberin nga kanë ardhur dhe ku janë.
P.S. Eni Vasili...po ti e përpive këtë shënim duke menduar se ku je ti këtu? Ti nuk mund të jesh këtu, sepse askush nga ata që njeh Festivalin nuk ka nevojë për mua të mësojë se ti do mbahesh mend paturpësisht si i VETMI Dr. i Përgjithshëm (meqë kështu, në mashkullore e kërkon standardi i vendosur për ofiqet) në histori që hoqi kostumin e Drejtorit, veshi atë të skenës së spektaklit, vodhi kohë artistike, skenike, televizive vetëm e vetëm sepse me sa duket, zbulove për herë të parë Festivalin dhe Orkestrën.