Të paktën një episod të “Jeta sipas Xhimit”, me Jim Belushin në Klan duhet ta keni parë. Po ashtu “The King of Queens” me Kevin James në Vizon Plus.
Këto dy sitcome kanë protagonist atë çiftin tipik, ku gruaja është një yll i vërtetë, 10/10, mund të ishte martuar me kë të donte dhe burri është një barkalec i lezetshëm, me humor dhe zemër të mirë. Si puna e Lenonard dhe Penny tek “The Big Bang Theory” ose Homer dhe Marge tek “The Simpsons”.
Ka nja dy ose tre çifte shqiptare që janë sikur të kenë dalë nga sitcomet botërore, ku vendin e parë e zënë Kallakët. Besi dhe Xhensila janë fiks si ata që përshkruam më lart. Ai është humorist, ‘katunar’ i vetëshpallur. Ndërsa ajo, e ëmbël, e fiksuar pas pastërtisë, e kuruar.
Pastaj është Ermali me Amin, që është pak a shumë e njëjti përshkrim me Kallakët më lart. Ermali madje ka spektaklin e tij të humorit dhe bark simpatik. Për Amin ç’të thuash. Një mrekulli me këmbë.
Turi dhe Orinda ndoshta nuk përputhen fije për pe me të lartpërmendurit, por diçka të ngjashme kanë. Turi ka qenë gjithmonë argëtues dhe karizmatik në emisione e tij, ndërsa Orinda ka mbajtur profil më serioz. Në Instagram, komentet e Turit janë goditëse e bëjnë lajm, ndërsa fotot e Orindës janë pika e saj më e fortë.
Ndoshta gjithë sekreti qëndron tek burrat që bëjnë për të qeshur. Kush nuk do të donte të qeshte gjithë jetën me njeriun e zemrës?