
Pas 25 vitesh, Kënga Magjike po ndryshon formulën që e ka shoqëruar prej kohësh. Producenti i spektaklit, Ardit Gjebrea, njoftoi përmes një videoje se edicioni i vitit 2026 do të vijë me një format krejt tjetër, duke hequr një nga elementët më të diskutuar ndër vite: votimin mes vetë këngëtarëve.
“Pas 25 vitesh, ‘Kënga Magjike 2026’ do të shënojë një ndryshim në sistemin e votimit. Këngëtarët nuk do të votojnë më për njëri-tjetrin,” u shpreh Gjebrea.
Në vend të tij, vlerësimi do të bëhet nga juria dhe publiku, ndërsa vetë festivali do të largohet nga ideja tradicionale e renditjes klasike me vend të parë, të dytë dhe të tretë. Madje, sipas Gjebreas, nuk do të shpallet më as vendi i dytë apo i tretë.
Do të ketë një fitues, por fokusi këtë herë nuk do të jetë renditja. “Kënga Magjike” po lëviz drejt konceptit të një nate çmimesh, më afër formulave ndërkombëtare si Grammy Awards, MTV Video Music Awards apo Brit Awards, ku rëndësi kanë kategoritë, ndikimi dhe momenti që krijon artisti.
Sipas producentit, çmimet do të lidhen me elementë si audienca, pëlqimi i të rinjve, viraliteti, fuqia e performancës etj.
Në fakt, kjo është ndoshta kthesa më e madhe që festivali ka bërë prej vitesh, sepse sistemi i votimit nga artistët ka qenë gjithmonë një nga elementët më të komentuar, dhe shpesh më të kundërshtuar, të “Këngës Magjike”. Aleancat, miqësitë, votat strategjike apo zhgënjimet pas finales kanë qenë pothuajse po aq pjesë e spektaklit sa vetë këngët.
Tani, duket se formati po përpiqet të afrohet më shumë me logjikën e industrisë moderne të muzikës, ku rëndësi ka jo vetëm kënga, por ndikimi që ajo ka te publiku dhe në kulturën pop.
“Këtë vit do të jetë në këtë koncept: këngë, show, performancë dhe energji,” tha Gjebrea në fund të videos.
Kjo mund të jetë një nga rifreskimet më interesante që i ka ndodhur festivalit prej kohësh.
View this post on Instagram