Në një nga lokalet më “in” të Tiranës, njerëzit flasin, qeshin, shohin telefonin, porosisin edhe një gotë tjetër. Në një cep të sallës, ndodhet edhe ai.
Një burrë me ekonomi të mirë, ndoshta biznesmen apo politikan, ose thjesht dikush që atë mbrëmje ka bërë gabimin fatal dhe ka vendosur një orë të shtrenjtë në dorë.
Dera hapet. Hyn ajo. Vajza e sotme. Ajo nuk është dikush që ka dalë pas pune për të pirë diçka me shoqet, as dikush që do të kalojë një mbrëmje normale si gjithë të tjerët. Jo! Sipas legjendës urbane, ajo ka shkuar me një plan: ka studiuar vendin, ka përndjekur klientët, ka piketuar tavolinat me potencial, ka identifikuar makinën jashtë dhe sigurisht, ka vënë re orën e shtrenjtë.
Tani, mund të nisë operacioni i koduar: peshkimi.
Burri, afërmendsh, është i pafajshëm në këtë histori. Ai nuk ka shkuar atje me ndonjë qëllim, sepse ai nuk sheh rrotull, nuk i flet askujt, nuk fton askënd, nuk përgjigjet dhe nuk zgjedh. Ai është një qytetar i mirë, i ulur rastësisht në një lokal me emër, me një makinë të mirë, me një status të mirë dhe me atë orën e shtrenjtë e të mallkuar. Por është tepër vonë, sepse vajza e ka parë dhe fill në atë grimë çasti, sipas legjendës, fati i tij është vulosur.
Kjo nuk ishte hyrja e një dokumentari për krimin e organizuar në jetën e natës në Tiranë, as një roman i Agatha Christie-t, por pak a shumë mënyra si shpesh na përshkruhet një nga kërcënimet më të mëdha të shoqërisë: vajzat e sotme që shohin interesin material, të afta të çorientojnë burrat e rritur, me lekë e të suksesshëm, të martuar ndoshta, me poste, me makina e ora të shtrenjta.
Në “Grida Duma Podcast”, Shkenda Lili, e prezantuar si detektive private, u shpreh se vajzat e reja sot “shohin interesin material” dhe se burrat me ekonomi të mirë, biznesmenë apo politikanë, janë kthyer në objektiv për to. Sipas saj, disa vajza shkojnë qëllimisht në lokale të njohura të Tiranës për të takuar burra me para, për t’i “peshkuar”.
Ajo u shpreh:
“Vajzat e reja sot, e di që më urrejnë të gjitha kur unë flas kështu, por vajzat e reja sot shohin interesin matrial (shën.red.material). Dhe nëse shohin dikë që është me një ekonomi më të mirë, biznesmen apo politikan, dikush që ka anën monetare të mirë, ka një makinë të mirë, se të blejnë sot, të shikojnë dhe çfarë ke veshur, shohin një orë të mirë dhe ky është i kapur domethënë. Dhe nëse ai person mund të jetë i kulluar fare dhe mund të jetë familjari më i mirë, se absolutisht ka familjarë shumë të mirë, nuk duhet ta hedhim poshtë këtë gje se jo të gjithë tradhtojnë. Këta burra janë objektiv për gocat e sotme. Dhe unë di që ka lokale këtu në Tiranë që janë me emër dhe gocat shkojnë kastile në këto vende sepse aty shkojnë njerëz të mirë dhe mund të peshkojnë.”
Kjo është një nga ato deklaratat që nxit menjëherë tri grupe diskutimi: ata që thonë “po, fiks kështu është” dhe ata që thonë “jo, po përgjithëson”. Pastaj është edhe grupi i tretë, që është lodhur nga këto diskutime.
Çfarë duhet të pranojmë në këtë pikë, pa shumë ceremoni: a ka vajza materialiste? Po, ka. Mos duhet të pranojmë që ka shumë? Po, ka edhe shumë. Ashtu siç ka edhe shumë burra që i kërkojnë, i zgjedhin dhe i mbajnë pranë pikërisht këto vajza, sepse e vetmja gjë që mund të ofrojnë është paraja, makina, ora. Deri këtu nuk kemi bërë ndonjë zbulim të madh të fundqershorit 2026.
Mirëpo kjo është një gjendje shumë e koklavitur, që bëhet edhe më keq kur ndërtohet një portret i të gjitha vajzave të reja. Kur “vajzat e sotme” trajtohen si një organizatë e strukturuar: i njëjti qëllim, i njëjti moral, e njëjta jetë, i njëjti Instagram, e njëjta tavolinë dhe, sigurisht, i njëjti plan sekret për të kapur dikë “me lekë”.
Kjo mënyrë të foluri është jo vetëm e padrejtë, por edhe dembele: merr disa raste, u vë një damkë, shton fjalën “vajzat e sotme”, të jepet mjaftueshëm kohë televizive dhe e paraqet si analizë. Në fund, duartrokasin ata që nuk shohin dot përtej hundës së tyre dhe çfarë ndritëm? Hiçgjësendi.
Me fjalë të tjera, vajzat e sotme nuk jetojnë të gjitha në një lokal të Tiranës, duke qarkulluar mes tavolinave për të identifikuar “peshkun” më të madh të mbrëmjes. Janë edhe ato që studiojnë, punojnë, ikin jashtë vendit nga nevoja, kthehen nga e para, ndërrojnë profesion, bëjnë një shkollë të dytë, rrisin fëmijë, shpeshherë edhe të vetme, mbajnë familje, paguajnë qira, nisin biznese, bëjnë dy punë, kujdesen për prindër dhe dalin në protesta për arsim më të mirë, kushte pune më të drejta, paga më të mira dhe një jetë më me dinjitet.
Dhe nuk është se na mungojnë rastet për thënë këtë. Vetëm së fundmi, sheshet në Tiranë dhe jo vetëm ishin plot me vajza. Kishte mijëra. Nuk kishin dalë për të kërkuar burra të martuar, biznesmenë, makina apo ora të shtrenjta. Kishin dalë për natyrën, për qytetin, për arsimin, për veten. Për një vend ku të mos duhet gjithmonë të zgjedhësh mes ikjes dhe dorëzimit.
Por këto vajza rrallë bëhen subjekt i trotuareve televizive ku diskutimet bëhet virale. Për to nuk ngrihen panele, nuk ftohen nëpër emisione, nuk janë shumë të përshtatshme për studiot televizive, tituj portalesh apo fragmente podkastesh që priten për Instagram dhe favorizohen nga algoritmi.
Ma merr mendja se nuk gënjej nëse them se këto vajza nuk janë pak, nuk janë një pakicë e padukshme që për t’i gjetur është njësoj si të kërkosh gjilpërën në kashtë. Janë kudo: në universitete, në zyra, në spitale, në shkolla, në biznese të vogla, në aeroporte, në protesta, në banesa me qira, në familje ku mbajnë përgjegjësi, në vende pune ku duhet të provojnë çdo ditë se vlejnë.
Por edhe sikur të ishin 5%, edhe sikur të numëroheshin me gishtat e njërës dorë, përsëri për to duhet folur. Madje, për to duhet folur më shumë. Por qenka e thënë që debati publik të merret vetëm me personazhet më të lehta për t’u gjykuar; personazhe që, sido që të kenë zgjedhur ta jetojnë jetën e tyre, tekefundit, ç’punë na prishin neve?
Qartazi, është më e lehtë të thuash “vajzat e sotme duan lekë” sesa të flasësh për vajzat e sotme që po përballen me një shoqëri që u kërkon të jenë gjithçka njëkohësisht: të bukura, të pavarura, të përmbajtura, ambicioze, të suksesshme, të dashura, të forta, por kurrë “shumë”.
Është më e lehtë të flasësh për vajzën që “peshkon” në një lokal, sesa për burrin që shkon aty me dëshirën e mirë për t’u peshkuar dhe për të peshkuar. Në këtë narrativë, burri del i pafajshëm, i “kapur”, i shënjestruar, i rrezikuar nga vajzat e reja që dinë të dallojnë një orë të mirë apo një makinë të shtrenjtë. Ndërsa vajza del si rreziku: ajo që prish, që përllogarit, që hyn në hapësira ku “nuk duhet”. Harrohet nëpër studiot televizive se një burrë i martuar, i rritur, me para, me status dhe me përgjegjësi, nuk “e kapin” nëse nuk do të kapet. Nuk e “peshkojnë” nëse ai nuk është futur vetë në ujë.
Prandaj nuk është keq të pranojmë se kjo histori e “vajzave që peshkojnë” na pëlqen sepse është e thjeshtë: ka një lokal, një orë, një makinë, një vajzë të dyshimtë dhe një burrë që, për arsye të pashpjegueshme, trajtohet si peshk i pafajshëm në ujëra të rrezikshme. Kjo është një histori e lehtë për t’u treguar e për t’u pranuar, shumë më e lehtë se historia e vajzave që nuk peshkojnë askënd, nuk presin askënd t’i shpëtojë, sepse nuk e ndërtojnë jetën rreth çfarëdo qoftë: oazit, pellgut apo llumit të dikujt.
Prandaj, para se të risjellim edhe një histori tjetër për vajzat që “peshkojnë” burra me para, mund të zgjedhim të flasim pak më shumë për vajzat që notojnë vetë drejt qëllimeve të tyre; për ato që kanë notuar kundër rrymës; për ato që janë lodhur, janë zhytur, janë ngritur prapë në sipërfaqe dhe kanë vazhduar; për ato që nuk dinin të notonin, por e mësuan rrugës; për ato që kanë qenë të vetme në det dhe, megjithatë, sërish e kanë gjetur bregun.
E di, këto nuk bëjnë aq zhurmë sa alarmi për “moralin e vajzave të sotme”. Në terma viraliteti dhe populizmi, “vajzat e pamoralshme” janë material shumë më i përdorshëm sesa vajzat që notojnë vetë.
- Shkruar nga Sindi Salaj, kryeredaktore e Anabel, një vajzë e sotme që ka mjaftueshëm durim të flasë për vajzat përtej legjendave urbane.