
Vala e të nxehtit që po përfshin Europën Perëndimore është më e rënda dhe më e përhapura e regjistruar ndonjëherë në këtë rajon, sipas një analize të re shkencore. Studiuesit thonë se një situatë e tillë është pasojë e krizës klimatike, e nxitur nga djegia e karburanteve fosile.
Sipas analizës, pothuajse gjysma e 850 qyteteve më të mëdha të Europës po përjetojnë nivelin më të lartë të stresit termik të regjistruar ndonjëherë. Stresi termik nuk lidhet vetëm me temperaturën, por edhe me lagështinë në ajër. Kur ajri është më i lagësht, djersa avullon më ngadalë dhe trupi e ka më të vështirë të freskohet, gjë që e bën vapën më të rrezikshme.
Britania e Madhe regjistroi temperaturën më të lartë të qershorit në historinë e saj: 36.7°C. Ndërkohë, në shumë vende të Europës Perëndimore janë raportuar rritje të rasteve të urgjencave mjekësore, mbyllje shkollash, spitale nën presion dhe ndërprerje të udhëtimeve hekurudhore e ajrore.
Në verën e vitit 2022, më shumë se 60 mijë njerëz humbën jetën në Europë për shkak të të nxehtit. Për të kuptuar plotësisht ndikimin e valës aktuale do të duhet kohë, por shkencëtarët paralajmërojnë se pasojat pritet të jenë të rënda.
Analiza është kryer nga shkencëtarët World Weather Attribution, të cilët studiojnë lidhjen mes ngjarjeve ekstreme të motit dhe ndryshimeve klimatike. Sipas tyre, nxehtësia ekstreme po përkeqësohet me shpejtësi, ndërsa ndotja nga karboni vazhdon të grumbullohet në atmosferë.
Shkencëtarët thonë se, nëse një valë e tillë do të ndodhte në vitin 2003, do të ishte rreth 2°C më e freskët. Në vitin 1976, një tjetër vit i njohur për temperaturat ekstreme, do të ishte rreth 3.5°C më e freskët.
Edhe netët e nxehta, që ndikojnë te gjumi dhe shëndeti i njerëzve, janë bërë rreth 100 herë më të mundshme sot krahasuar me vitin 2003.
“Kjo ngjarje nuk do të kishte ndodhur kurrë në qershor pa ndryshimet klimatike,” tha tha Dr. Theodore Keeping, studiues i motit ekstrem në Imperial College London dhe pjesë e ekipit të World Weather Attribution.
“A do të duket kjo si një verë e freskët në të ardhmen? Absolutisht po. Shpejtësia e ndryshimit është tronditëse,” tha ai.
Simon Stiell, kreu i OKB-së për klimën, tha se ndryshimet klimatike po përshpejtohen për shkak të varësisë së botës nga qymyri, nafta dhe gazi. Sipas tij, zgjidhjet janë të qarta: kalim më i shpejtë drejt energjisë së pastër, mbrojtje e pyjeve dhe forcim i aftësisë së qyteteve për t’u përballur me klimën e re.
Sipas shkencëtarëve, modeli aktual i motit nuk është i pazakontë për verën, por është i pazakontë niveli i nxehtësisë, i rritur nga ngrohja globale.
Në thelb, kjo valë e të nxehtit nuk është vetëm një episod i vështirë vere, por një paralajmërim se klima për të cilën janë ndërtuar qytetet, shtëpitë dhe infrastruktura jonë po ndryshon më shpejt sesa po arrijmë të përshtatemi.
-
-
Dietologia tregon ushqimet që nuk do t’i hante gjatë vapës
24 Qershor, 14:09 -


