
Ky artikull trajton jetën dhe veprimtarinë e Jeffrey Epstein - financierit dhe kriminelit amerikan të njohur për skandalet e tij me trafikimin seksual të të miturve dhe lidhjet me figura të njohura botërore - krimet e tij të dokumentuara dhe hetimet që pasuan. Do të shpjegohen gjithashtu dokumentet e njohura si “Epstein Files” dhe përmendja e figurave publike shqiptare në disa nga këto hetime, duke ofruar një pasqyrë të detajuar të gjithë çështjes.
Lindja, arsimimi & fillimet e karrierës
Jeffrey Edward Epstein lindi më 20 janar 1953 në Brooklyn, New York, në një familje me origjinë hebreje. Prindërit e tij, Paula Epstein (Stolofsky) dhe Seymour Epstein, ishin fëmijë imigrantësh: nëna punonte si ndihmëse në shkollë ndërsa babai ishte kopshtar dhe punëtor i parkut të qytetit.
Epstein ishte i talentuar që fëmijë, sidomos në matematikë dhe muzikë, ai luante piano dhe shkëlqente akademikisht në Lafayette High School, ku përfundoi edhe shkollimin e mesëm, 2 vite përpara moshatarëve. Më pas ai ndoqi kurse në Cooper Union dhe më pas në Courant Institute of Mathematical Sciences të New York University, por nuk përfundoi asnjë nga programet dhe nuk mori diplomë universitare. Kjo mungesë diplome do të bëhej më vonë një nga elementët që ai do të manipulonte në karrierën e tij si njohës i financave dhe analizave të komplikuara.

Në shtator 1974, në moshën 21-vjeçare, Epstein u punësua si mësues matematike dhe fizike në Dalton School, një shkollë private prestigjioze në Manhattan, ku shkonin fëmijë nga familje shumë të pasura. Ai u zgjodh për këtë pozicion edhe pse nuk kishte diplomë universitare dhe as kualifikime zakonisht të kërkuara për mësimdhënie, por besohet se u rekomandua nga profesorë ose persona që panë në të një intelekt të shquar. Gjatë kohës së tij në Dalton, disa studentë e përshkruan atë si të “karizmatik” dhe “të veshur në mënyrë të pazakontë”.
Më tej, Epstein u përball me një konflikt në shkollë për sjellje të papërshtatshme ndaj nxënëseve të mitura, sipas raportimeve të ish-studentëve dhe ish-stafit, që kanë thënë se shpesh u jepte vëmendje të tepruar vajzave të reja, duke shkelur kufijtë e zakonshëm midis mësuesit dhe nxënësit.

Pas vetëm dy vjetësh në Dalton, në qershor 1976, Epstein u përjashtua nga pozicioni i mësuesit për “performancë jo të mirë” dhe mungesë të rezultateve si mësues. Por ai kishte ndërtuar rrjet social me prindërit e fëmijëve të kësaj shkolle, përfshirë Alan “Ace” Greenberg, një prej drejtuesve të Bear Stearns (ku Epstein u punësua më tej), një nga bankat më të fuqishme të kohës në Wall Street. Kalimi i Epstein nga shkolla drejt financave ndodhi pikërisht për shkak të rrjetit të kontakteve që ai krijoi brenda komunitetit të Dalton, duke përfituar nga lidhjet e Greenberg me Wall Street-in.
Kur u punësua në Bear Stearns në vitin 1976 si asistent i një tregtari në bursë, ai ishte vetëm 23 vjeç, pa diplomë dhe pa përvojë zyrtare financiare. Gjatë periudhës së tij atje, ai përjetoi pezullime dhe akuzime për sjellje të dyshimtë, si manipulim i shpenzimeve të kompanisë për persona të tij të afërt, dhënia e informacionit të brendshëm për oferta të shpejta për të dashurën e tij dhe disa shkelje të rregullave të tregtimit, të cilat u hetuan, por nuk çuan në akuza penale. Banka e la të qëndronte edhe pse u zbulua se kishte gënjyer në CV-në e tij duke pretenduar diploma që nuk i kishte. Ai është raportuar ta ketë pranuar haptazi këtë mashtrim duke thënë se “nuk do të kishte asnjë shans t'i jepej një mundësi për atë punë pa diploma të falsifikuara”.

Në korrik 1980, në një moment kur Epstein sapo kishte mbushur 27 vjeç dhe ishte ngritur shumë lart në detyrë në Bear Stearns, revista Cosmopolitan e përmendi atë në seksionin e tyre “Bachelor of the Month” (Beqari i Muajit) me një foto dhe përshkrimin e tij si një “financier i New York-ut që flet vetëm me njerëz që fitojnë mbi një milion dollarë në vit”, me një frazë që thoshte se ai kërkonte “nje vajzë të bukur nga Teksasi”. Kjo ishte një nga herët kur emri i tij u shfaq në publik, para se skandali i tij penal të bëhej publik dekada më vonë.
Kjo shikohet në retrospektivë si një nga momentet e para publike ku ai dukej i futur brenda elitës sociale pavarësisht mungesës së kredencialeve formale.
Fillimi i hetimeve dhe akuzat kundër Jeffrey Epstein

Rasti penal ndaj Jeffrey Epstein nisi rreth vitit 2005, kur policia e Palm Beach, Florida mori një raportim që tregonte për abuzim seksual të një vajze 14-vjeçare. Ky raportim, i ardhur nga një vajzë e re dhe familja e saj, çoi në një hetim më të gjerë mbi aktivitetet e Epstein. Gjatë hetimeve u zbuluan dëshmi që tregonin se Epstein kishte përdorur vajza të reja dhe të mitura për të shërbyer si “masazhatore” dhe për të përfituar seksualisht prej tyre, shpesh duke i shfrytëzuar në pronat e tij luksoze në Palm Beach, New York dhe ishujt Karaibe, ku ai kishte vilat e tij private.

Hetimi fillestar çoi në identifikimin e dhjetëra vajzave të tjera që pretendonin se ishin viktima të abuzimit ose të trafikimit seksual nga Epstein. Shumë prej tyre ishin të reja, të pambrojtura dhe u shfytëzuan shpesh me pretekstin e të punuarit si masazhatore ose ndihmëse për organizimin e eventeve në pronat e Epstein. Dëshmitë e tyre përshkruanin një rrjet të ndërtuar me kujdes për të fshehur aktivitetet e paligjshme, përfshirë pagesa të fshehta, përdorimin e takimeve sociale me njerëz me influencë dhe manipulime psikologjike ndaj viktimave.
Pas një hetimi intensiv që zgjati disa vjet, rasti u përfundua në vitin 2008 me një marrëveshje shumë kontroverse midis Epstein dhe Prokurorit të Shteteve të Bashkuara për Rajonin e Florida-s. Përmes kësaj marrëveshjeje, Epstein pranoi fajësinë për lehtësimin e realizimit të aktivitetit të prostitucionit për një të mitur, por nuk u përball me akuza federale më të gjera që mund të kishin përfshirë trafikim dhe komplot.

Dënimi ishte vetëm 13 muaj burg, me leje për të kaluar pjesën më të madhe të kohës jashtë qelisë duke punuar në komunitet, gjë që shkaktoi një reagim masiv kritik nga publiku dhe mediet. Analistët ligjorë dhe aktivistët kundër abuzimit seksual e konsideruan këtë marrëveshje si një shembull të një sistemi ligjor që lejonte individë me pasuri dhe ndikim të shmangnin drejtësinë e plotë. Ky rast u bë një pikë reference në debatet mbi si trajtohen krimet seksuale nga njerëzit e fuqishëm në SHBA.
Në vitin 2019, më shumë se një dekadë më vonë, Epstein u arrestua sërish në New York me akuza federale për trafikim seksual të të miturve dhe komplot për trafikim, duke zbuluar se rrjeti i tij ishte më i gjerë dhe më i organizuar nga ç’kishte dalë në pah në vitet 2005–2008. Ky arrestim u bë pas një hetimi të gjatë nga Zyra Federale e Hetimit (FBI) dhe Prokuroria e Distriktit Jugor të New York-ut. Dokumentet e publikuara më vonë treguan një strukturë komplekse që përfshinte asistente bashkëpunëtore të afërta, fluturime private dhe pronat luksoze të përdorura për qëllime kriminale.

Ndërkohë që pritej gjyqi për këto akuza të reja, Epstein u gjet i vdekur më 10 gusht 2019 në qelinë e tij në burgun federal të Manhattan-it. Rasti u regjistrua zyrtarisht si vetëvrasje nga varja, por vdekja e tij shtoi teori të shumta spekulative dhe debate ndërkombëtare. Disa medie dhe ekspertë të hetimeve sugjeruan mundësinë e ndërhyrjes së palëve të treta, duke nxitur pyetje mbi rolin e lidhjeve të Epstein me elitat financiare, politike dhe shoqërore.
Dokumentet dhe materialet që dolën pas vdekjes së tij - pjesë e asaj që njihet si “dosjet Epstein” - treguan për herë të parë një pamje shumë më të gjerë të rrjetit të tij dhe bashkëpunëtorëve, duke përfshirë email-e, regjistra fluturimesh dhe lista personash të përfshirë në aktivitetet e dyshimta.
Bashkëpunëtorët kryesorë dhe viktimat
Rrjeti i Epstein përfshinte bashkëpunëtorë kyç dhe viktima që kontribuuan në zbardhjen e aktivitetit kriminal:
Ghislaine Maxwell – e dënuar për trafikim seksual dhe rekrutimin e vajzave të mitura. Arrestimi i saj në vitin 2020 dhe dënimi më vonë nxorën në pah mënyrën si Epstein e përdorte për të manipuluar viktimat.

Sarah Kellen, Adriana Ross dhe bashkëpunëtorë të tjerë – menaxhonin operacionet dhe organizonin takimet private. Disa prej tyre janë ende subjekt hetimesh civile dhe federale.
Viktimat kryesore, si Virginia Giuffre, kanë dhënë dëshmi publike dhe ligjore që dokumentojnë rrjetin dhe aktivitetet e Epstein.

Çfarë janë “Epstein Files”: Dosjet dhe publikimi
Termi “Epstein Files” i referohet një arkive masive prej më shumë se 6 milionë faqe dokumente, fotografi dhe komunikime të lidhura me hetimin e Jeffrey Epstein, rrjetin e tij shoqëror dhe aktivitetet që lidhen me abuzimin seksual dhe trafikimin e viktimave. Këto dokumente janë mbledhur nga FBI dhe Departamenti i Drejtësisë së SHBA (DOJ) si pjesë e një hetimi që zgjati dekada dhe që përfshijnë materiale nga vëzhgimet, komunikimet, regjistrat e fluturimeve dhe provat ligjore që lidhen me Epstein dhe bashkëpunëtorët.

Në 18 nëntor 2025, Kongresi amerikan miratoi Epstein Files Transparency Act, një ligj që kërkon publikimin e materialeve që janë të ndaluara për arsye sigurie. Sipas këtij ligji, Departamenti i Drejtësisë publikoi dokumente në 19 dhjetor 2025 dhe më pas një sasi gjigante dokumentesh të reja më 30 janar 2026, duke përfshirë rreth 3 milionë faqe, 2,000 video dhe 180,000 imazhe. Këto materiale përmbajnë email-e, fotografi, regjistra fluturimesh, dokumente hetimore dhe komunikime të tjera që lidhen me hetimin ndaj Epstein.

Publikimi ka ngritur shumë debat, për shkak se disa dokumente fillimisht nuk ishin redaktuar siç duhet, duke ekspozuar të dhëna të viktimave, dhe u hoqën përkohësisht nga faqja e DOJ për redaktime të mëtejshme. Avokatët e viktimave kanë kritikuar ashpër qeverinë amerikane për dështimin e redaktimit të dokumenteve që ekspozuan emrat dhe adresat e tyre.
Çfarë tregojnë materialet e publikuara deri tani? Përmendjet e personazheve botërorë si Donald Trump dhe emra të tjerë
Materialet e publikuara tregojnë se emra të fuqishëm dhe të njohur botërisht, përfshirë Donald Trump, Bill Clinton, Bill Gates, Elon Musk dhe Andrew Mountbatten-Windsor (princ Andrew) janë përmendur në email-e, regjistra komunikimesh dhe kontakte që lidhen me Epstein.
Departamenti i Drejtësisë ka theksuar se përmendjet e këtyre emrave nuk nënkuptojnë automatikisht fajësi penale dhe se shumë prej tyre kanë reaguar duke mohuar çdo lidhje me aktivitetet kriminale të Epstein. Për shembull:
Donald Trump e njihte dhe shoqërohej me Jeffrey Epstein në vitet ’80 dhe ’90 përmes takimeve sociale dhe eventeve të elitës në New York dhe Florida. Trump ka mohuar çdo lidhje me aktivitetet kriminale të Epstein. Dokumentet e publikuara përmendin emrin e tij në disa komunikime, por nuk ka prova që ai ka qenë i përfshirë në trafikimin seksual të viktimave.

Bill Gates dhe Elon Musk janë përmendur në komunikime, por nuk ka prova që ata kanë kryer vepra të paligjshme të lidhura me trafikimin seksual të viktimave të Epstein.
Spekulimet online për listat me emra të famshëm

Në internet kanë qarkulluar shumë lista dhe pretendime se dosjet përmbajnë një “listë zyrtare të klientëve” të Epstein që përfshin emra të famshëm si Michael Jackson, Beyoncé, Jay-Z, Cameron Diaz, Woody Allen, Kevin Spacey, Naomi Campbell, Madonna, Leonardo DiCaprio, Mick Jagger, Steven Spielberg, e të tjerë. Megjithatë, nuk ka burime të besueshme të DOJ apo FBI që konfirmojnë një listë të tillë të formuluar si prova penale me implikime të drejtpërdrejta.

Cilat janë detajet që po dalin nga dosjet e publikuara
Materialet e fundit të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë përfshijnë:
Email-e të kontaktve me personalitete të biznesit dhe politikës, si Elon Musk apo Steve Bannon; shumë prej këtyre komunikimeve lidhen me takime shoqërore, plane biznesi ose evente, por pa prova të veprimeve kriminale.
Fotografi dhe video të shoqërisë së tij, përfshirë figura të njohura, por pa kontekst të qartë për fajësi penale.

Eventet dhe organizimet e Epstein: Dosjet përshkruajnë festa dhe mbledhje private që ai organizonte në pronat e tij, shpesh me art dhe muzikë live, ku përfshiheshin figura të njohura të showbiz-it dhe politikanë. Mediet e besueshme raportojnë se disa prej këtyre eventeve përfundonin me aktivitet seksual me viktima të reja, dhe disa komunikime në email-e përshkruanin personazhe që merrnin pjesë në “darkat private” ose vizitat në shtëpitë e Epstein.

Koha dhe vendet: Dokumentet tregojnë aktivitet të vazhdueshëm nga 1995 deri në 2019, me vizita në New York, Palm Beach, pronën në New Mexico, ishullin Little Saint James në Karaibe dhe shtëpinë në Paris. Regjistrat e fluturimeve (“Lolita Express”) tregojnë transportin e të ftuarve në këto destinacione.
Email-e dhe komunikime: Në dosje ka qindra email-e që përmendin vajza të reja nga vende të ndryshme, duke përfshirë disa nga Shqipëria dhe Ballkani. Një email i verifikuar, për shembull, përshkruante vajza nga Shqipëria si “të mrekullueshme”.
Fotografi dhe video: Materialet përfshijnë fotografi të Epstein me figura të njohura, disa të marra nga evente luksoze, dhe të tjera në pronat e tij private. Megjithatë, zyrtarët amerikanë theksojnë se prania e emrit ose figurës në fotografi nuk nënkupton automatikisht fajësi penale.
Aspekti financiar
Epstein kishte pasuri të madhe, përdorte kompani offshore dhe llogari të ndryshme për të menaxhuar investimet dhe për të shmangur taksat.
Ai përdorte pasurinë për influencë sociale dhe politike, duke organizuar evente luksoze dhe duke ofruar donacione të mëdha, shpesh për të fituar favor ose mbrojtje nga individë me pushtet.
Dokumentet tregojnë përdorimin e pasurisë për të krijuar rrjete të ndikimit dhe për të fshehur aktivitetet e tij kriminale.


Përmendjet e shqiptarëve: Reagimet e Atifete Jahjagës dhe Behgjet Pacollit
Në dokumentet e publikuara më janar-shkurt 2026, janë përmendur edhe dy figura të njohura nga Kosova:
Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës, u përmend në një email nga viti 2012 që u publikua si pjesë e materialeve të DJO-s, ku një person me emrin “Daniel” i referohet një udhëtimi në New York duke përmendur “presidenten e Kosovës” së bashku me emër të një princeshe nga Tajlanda.
Megjithatë, këshilltarja e Atifete Jahjagës, Valentina Abazi, ka thënë se Jahjaga “asnjëherë nuk e ka takuar, kurrë nuk ka kërkuar takim me të dhe as nuk e ka ditur kush është” Epstein.

Behgjet Pacolli, ish-president i Kosovës, u raportua gjithashtu të jetë përmendur në këto dokumente.
“Nuk kam pasur asnjë dijeni dhe asnjë përfshirje në çështje që lidhen me persona apo raste të përmendura së fundmi. Nuk kam asnjë informacion konkret dhe nuk kam qenë pjesë e asnjë zhvillimi të tillë”, ka reaguar Pacolli duke deklaruar në një intervistë për gazetën Tema.
Publiciteti global ka nxitur dhe hetime të tjera ndërkombëtare, vende si Polonia po shqyrtojnë nëse dokumentet përmbajnë fakte që lidhen me viktima ose kontakte të mundshme me vendin e tyre.