Mbidozat janë të rrezikshme, por dy grave që morën shumë më shumë LSD nga rekomandohet iu ndryshoi jeta... për mirë.
Një grua 46-vjeçare mori 550 doza LSD dhe jo vetëm që mbijetoi, por vuri re se dhimbja që ndjente në këmbë prej më shumë se njëzetë vitesh iu pakësua ndjeshëm.
Në një rast tjetër, një vajzë 15-vjeçare me çrregullim bipolar mori dhjetëfishin e dozës normale të LSD-së dhe ndjeu përmirësime në shëndetin e saj mendor.
Përvojat e tyre u botuan muajin e kaluar në revistën shkencore, Journal of Studies on Alcohol and Drugs, së bashku me historinë e një gruaje të tretë që kaloi në mbidozë LSD-je në javën e dytë të shtatzënisë. Ajo solli në jetë një djalë të shëndetshëm, që tani është 18 vjeç dhe nuk ka asnjë problem me zhvillimin.
Edhe pse përvojat e këtyre grave janë të rralla, historitë e tyre mund të nxisin kërkimin shkencor mbi përdorimin e substancave halucinogjene për të trajtuar çrregullime si varësia, çrregullimi i stresit post traumatik, depresioni dhe ankthi.
“Nuk do të realizonim dot kurrë prova klinike me doza aq të larta dhe momentalisht askush nuk po eksploron efektet pozitive të dozave të mëdha të LSD-së,” thanë autorët.
“Për të kuptuar efektet e dozave ekstremisht të larta të halucinogjenëve si LSD-ja, nevojitet ekzaminimi i mbidozave në gjendje natyrale.”
Gruaja 49-vjeçare, identifikuar si CB, ishte infektuar me sëmundjen Lyme në të njëzetat. Sëmundja i shkaktonte dhimbje në këmbë dhe kyçe. Në shtator të 2015-s, ajo mori 55 miligramë kokainë, por në fakt ishte LSD e pastër pudër.
Gruaja humbi ndjenjat dhe volli rregullisht për 12 orë. 12 orë pasuese tha se ndihej më mirë. Rrinte ulur në një karrige me sytë hapur dhe herë pas here thoshte ndonjë fjalë. Të nesërmen s’ndjente më dhimbje në këmbë. Dhimbja iu rikthye, por e mbante nën kontroll me një dozë të ovgël morfine dhe një mikrodozë LSD-je një herë në tre ditë. Pas dy vitesh, hoqi dorë nga morfina dhe LSD-ja pa asnjë simptomë tërheqjeje.
15-vjeçarja – identifikuar si AV – që mori dhjetë doza LSD-je verën e vitit 2000 u zgjua të nesërmen me shëndet mendor të përmirësuar.
Ajo ishte diagnostikuar me bipolaritet atë vit dhe më parë kishte vuajtur nga depresioni dhe ankthi. Vajza kaloi gabimisht në mbidozë sepse personi që po hollonte LSD-në në ujë hodhi 1000 mikrogramë për gotë në vend të 100 mikrogramë. AV piu një gotë të plotë dhe disa gllënjka të mbetura nga dy të tjera.
Ajo u soll çuditshëm për 6 orë e gjysmë, kaloi një krizë dhe kur erdhi ambulanca, ishte shëndoshë e mirë. I ati e vizitoi në spital të nesërmen ku ajo i tha “mori fund.” E kishte fjalën për bipolaritetin. Mjekët konfirmuan se ishte shëruar dhe se tashmë kishte një tru normal.
Në rastin e tretë, gruaja 26-vjeçare NM piu gjysmë gote LSD të holluar në ujë dhe më vonë kuptoi se ishte shtatzënë. Mbidoza nuk ndikoi negativisht në shtatzëninë e saj dhe s’pati asnjë efekt mbi fëmijën që tani është 18 vjeç.
Përshtatur nga CNN