
Ka disa njerëz që thonë “ajo që iku s’vjen më” dhe i lënë gjërat të shkojnë, por ka disa të tjerë që nuk i lënë gjërat të shkojnë aq kollaj. Elsa Lila, dukshëm, bën pjesë të kategoria e dytë dhe këtë e dëshmoi në emisionin “Mirëmbrëma yje”.
Por, le t’i marrim gjërat me radhë.
Festivali i Këngës në RTSH
Albina Kelmendi fitoi garën në Festivalin e 61-të të Këngës në RTSH, ku pjesëmarrëse ishte edhe Elsa Lila, e cila merrte pjesë në këtë kompeticion pas 25 vitesh.
Rikthimi i saj u prit me bujë dhe shumë pritshmëri, teksa shihej edhe si pretendente për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision.
Juria profesioniste e shpalli këngën e saj “Evita” si fituese të festivalit.
Megjithatë, mbështetjen më të madhe nga votat e publikut e mori Albina Kelmendi me këngën “Duje”, e cila së bashku me familjes e saj performoi në Liverpool.
Në këtë edicion, ishte hera e parë që kënga përfaqësuese në Eurovision zgjidhej vetëm me votat e publikut me anë të SMS-ve.

Elsa Lila dhe Albina Kelmendi në “The Voice of Albania”
Elsa dhe Albina nuk e ndanin skenën me njëra-tjetrën për herë të parë. Në vitin 2014, Albina ishte konkurente në “The Voice of Albania”, ku për ironi të fatit, Elsa ishte mentorja e saj. Bashkëpunimi i tyre, ndërthurja mes eksperiencës së mentores dhe talentit të Albinës bën që kjo e fundit të fitonte vendin e dytë, duke u kthyer në një ndër emrat më të lakuar sa i përkiste talenteve të reja.
Drama dhe akuzat
Gjatë bisedës me Arbana Osmanin, Elsa Lila pretendoi se i është vjedhur fitorja e Festivalit të Këngës në RTSH nga votat e blera. Ndonëse nuk i përmendi emrin, ajo la të kuptohej se bëhej fjalë pikërisht për Albinën “që dikur e bëri të famshme”.
“Nuk e bëra skandalin, për të mos e bërë për herë të dytë akoma më të famshëm atë njeri që e bëra në vitin 2014 me duart e mia, me diturinë time dhe me artin tim. I njëjti person”.
Po ashtu, Elsa tha se ka mjaftueshëm prova për të mbështetur të tilla pretendime.
“Atë çështje do e kisha çuar shumë larg, por nuk e bëra. Jam mësuar të mos merrem me polemika, por me talentin tim. Nuk desha t’i jepja skandalit edhe më shumë famë”.
View this post on Instagram
Madje, nuk përjashtoi as mundësinë e ndjekjes së kësaj çështjeje në rrugë ligjore.
“Të kenë pak kujdes nga gjykatat, sepse funksionojnë kur duan. Hakmarrja është një pjatë që shërbehet e ftohtë”.
Me sa duket, kjo dramë mund të mos mbarojë me kaq!
 
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                        
		                       