Në natën e parë të “Festivalit të Këngës”, Alketa Vejsiu performoi së bashku me baritonin e shquar Gëzim Myshketa këngën “Rrjedh në këngë e ligjërime”. Fill pas performancës, vajza e kompozitorit “Nder i Kombit” Feim Ibrahimi iu drejtua Facebook-ut. Pianistja Etrita Ibrahimi reagoi mbi përdorimin e këngës pa leje, si edhe për mospërmendjen e emrit të kompozitorit të ndjerë.
“Zonja Alketa Vejsiu,
Së pari, kënga ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’ ka dy autorë: Feim Ibrahimi dhe Gjokë Beci!
Së dyti, kujt i mori leje RTSH-ja për përdorimin e saj??
Së treti, kujt ia paguan RTSH-a të drejtën e autorit, duke qenë se atij (ALBAUTOR-it) që duhet t’ia paguajë, nuk ia paguan për asnjë autor dhe për asnjë minutë muzike të përdorur???
Pres përgjigje. Faleminderit!
P.S Faleminderit Gëzim Myshketa për përzgjedhjen e këngës për performancën tënde në festival. E vlerësoj shumë mendimin tënd pozitiv dhe sidomos vlerësoj faktin që kërkove lejen dhe partiturën për ta kënduar saktë atë. Natyrisht nuk dija ku do ta këndoje, pasi nuk e kam zakon të përzihem në gjëra që nuk më takojnë. Ato janë zgjedhje personale të secilit, të cilat nuk i diktoj unë. Organizatorët e eventeve duhet thjesht të zbatojnë ligjin dhe të jenë të saktë në gjithçka.” – shkruan Etrita Ibrahimi.
Sot (e premte, 20 dhjetor), gjatë natës së dytë të Festivalit, Alketa Vejsiu e konsideroi gafë nga ana e saj mospërmendjen e emrit. Ajo kërkoi publikisht ndjesë. “I përket familjes dhe nderit të familjes suaj, por që i përket patjetër edhe gjithë shqiptarëve,” shtoi moderatorja, duke përmendur një listë muzikantësh që kanë lënë gjurmë në historinë e “Festivalin e Këngës”.
